Hava Bekteshi, Artistja shqiptare që futi çiftelinë në Filarmoninë e Hamburgut, Gjermani

Hava Bekteshi është një ekonomiste nga qyteti Neustadt afër Hamburgut, Gjermani. Ajo ka migruar nga Maqedonia në Gjermani, me prindërit, kur ka qenë vajzë 14 vjeçe. Muzika autoktone shqiptare dhe instrumenti më i njohur shqiptar, çiftelia, ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e kohës së lirë në shtëpinë ku Hava është rritur. Në këtë mënyrë ky instrument është bërë që nga fëmijëria e hershme mjet për shprehjen e ndjenjave, mallit e dhembjes, edhe për Havën. Me kohë, çiftelia e saj ka kaluar muret e shtëpisë dhe të familjes së saj, duke zënë gjithnjë më shumë vend edhe në shkolla, orkestra, mese artistësh, dhe kudo ku ekonomistja shqiptare ka gjetur mundësinë për ta bërë të njohur këtë pjesë të traditës shqiptare. “Kam marrë pjesë në festivale të ndryshme, në bashkëpunime me muzicientë të zhanreve të ndryshme ku gjithmonë e kam përfshirë çiftelinë. Pastaj kam zhvilluar projekte me nxënës gjermanë, projekte në teatro, si në Teatrin Gjerman “Deutsches Schauspielhaus” por dhe jashtë Gjermanisë, në qytetet si Venedik, Lyon, etj.”, thotë Hava Bekteshi për albinfo.ch. Por, si kurorëzim të përpjekjeve të saj në këtë drejtim, Hava e konsideron paraqitjen në koncertin e realizuar bashkë me Filharmonë e famshme të Hamburgut (Elbphilarmonie). Kjo është realizuar të shtunën që shkoi, më 25 maj, në kuadrin e projektit “Stadtlied” (Kënga e qytetit) që u zhvillua në Hamburg. “Mbrëmë në Elbphilharmonie, në Hamburg jam paraqitur me çifteli nën tingujt e këngës sime të bukur shqipe „Tingellon teli i Çiftelisë”! Kështu, çiftelia është parë e dëgjuar për herë të parë në një koncert të tillë madhështor”, shprehet Hava Bekteshi për albinfo.ch. “Ka qenë diçka kaq e pabesueshme dhe unë jam shumë mirënjohëse që pata mundësi të qëndroj në këtë skenë gjigante së bashku me kaq shumë artistë tjerë profesionistë”. Ajo është zgjedhur si njëra ndër protagonistet e këtij koncerti madhështor. Për koncertin kanë raportuar edhe televizione të ndryshme gjermane, të cilat kanë bërë edhe portretin e Hava Beksteshit.