Guxim i madh i pushtetit të Edi Ramës, policët godasin me grushta ish-deputetët e opozitës

Sot te Bregu i Lumit në kryeqytet policia shkoi, në pikë të mëngjesit, dhe filloi prishjen e shtëpive të banorëve, të cilët dalin në mes të rrugës me fëmijë dhe gra. Reagimi i opozitës ishte i mënjëhershëm, duke dërguar atje disa ish-deputetë të saj, ku spikatën Klevis Balliu i PD dhe Endrit Braimllari i LSI.

Duke kërkuar sqarime, të dy ish-deputetët për çka po bën policia e cila po përdor forcën, ata u goditën dhe u kapën për fyti nga forcat e policisë. Më përpara policia, me urdhër të ministrit të Brendshëm, kishte ndaluar futjen e medias afër operacionit policor. Të dy ish-deputetët kërkuan me insistim të shkonin pranë banorëve të rrezikuar, por kordonët me policë u rreshtuan duke bllokuar opozitën të shkonte te banorët.

Siç shikohet nga disa foto të marra në mënyrë rastësore, policia goditi në fillim ish-deputetin e PD-së, Balliu dhe më pas edhe të LSI-së, Braimllari, të cilin e shtynë për ta hedhur përtokë.

Akti i sotëm ku policia godet dhe ndërhyn dhunshëm mbi deputetët e opozitës, mbetet një ngjarje e shëmtuar dhe si alarm se si pushteti i kryeministrit po degjeneron në pushtet policor. Edhe gjatë protestës së fundit të opozitës, policia dhe garda përdorën gaz helmues mbi qytetarët si dhe u goditën një numër gazetarësh.

Ky akt i sotëm i pushtetit tregon se po shkohet drejt një përplasje të fortë mes popullit opozitar dhe të pakënaqur me qeverisjen, çka do jetë fatale me datë 30 qershor.