Grua e vendit tim, grua sfiduese e kohës në kapërcyell

Nga Albert Vataj

Jam matur sa herë të të rrëfej këtë të vërtetë dhe gjithnjë kam drashtur. Frikësohesha së vërtetës, më shumë se sa çdo keqkuptimi që vinte si rrjedhojë e kësaj. Megjithatë sot më 8 Mars, guxova, si lëndë e hyjshme e ngjizur në barkut tënd, ushqyar prej gjakut dhe hekave tuaja, mirënjohës deri në më të lartën përulësi që më sjell te puth këmbët tuaja dhe të lutem.
Grua e vendit tim, grua sfiduese e kohës në kapërcyell!
E lindur fatkeqe femër, e mënjanuar, e përçmuar, e përndjekur, e dhunuar, e fyer, e denigruar… ti grua e vendit tim, ke mundur të ngrihesh mbi këtë baltë që kërkonte gjithnjë e pareshtur ta përlyente altarin tënd dhe thyente qiellin ku cek me krenari.
Të bënë të ndiheshe në faj se ishe femër, se linde lindëse e pasardhësve, jo si një shejtnesh e vullneteve të epërme, por si bartëse e një barre detyruese.
Nuk guxove të ngiheshi mbi poshtërimin e nënshtrimit, dhe përuljes së detyrës s’të mësoje as të mëkoi ç’ishe, ç’kishe të drejt të ishe, të provoje se deri ku shtrihen caqet e lirisë që prekin krahët e tu pendëshkulur.
Të shitën dhe u bleve pa kuptuar çmimin e vërtetë që kishe, pa mësuar kurrë se ishe plaçkë apo identitet.
Arti të derdhi në mitin e heroit, me krahë të fuqishëm e llëre të zhveshura, duke zhbërë në ty gjithçka hijeshuese dhe ëmbëlake, ndjuese dhe përshkuese, dehëse dhe dalldisëse. Fantazmat e rrethimit dhe armiku imagjinar, kokat e temperuara në frikë dhe makth, të zhagiten nëpër llogore dhe të shtrydhën nën urdhra dhe metalin e ftohtë të bindjes.
Ishe kudo që atdheu kërkonte të ngrihej “shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut”, me gjirin në një dorë duke mëkuar kërthinë hekakeqe, kazmën e rëndë në tjetrën për të ngritur rrënimin tënd të çdoditshëm, me syrin prej gjelati të burrit dhe prej dhelpre të shefit.
Gjithçka bënë me gruan tek ti, por pa mundur të zhbëjnë nënën dhe edukatoren, atë dashuri që jepje vjedhurazi pjellës tënde dhe s’guxoje ta këmbeje me atë që ndaje shtratin dhe trupin, kumtin dhe prehjen.
Ti grua e kohës në trazim, robin e zejes së kahershme të nënshtrimit, ti që nuk gëzove emër as të drejtë, por nuk u kursye asnjë normë e kanun, ligjësi e rregull që të të fuste nën zgjedhë.
Nën këtë barrë hoqe por nuk u dhe, jo se kishe shtatë shpirtra, por u udhëprive nga dhjetë urdhërimet e shenjta ku ti besove të bëje gruan e devotshme, nënën e përkushtuar, qytetaren e denjë.
Me duart e tua të ashpërsuara nga puna e rëndë, shpirtin e thërrmuar nga dhimbja që s’pati asnjë ngushëllim, dëshirat që s’ti njohu trupi dhe kënaqësitë që s’gjetën kurrë prehje në ty. Ti, zëri yt i mefshtë që s’guxonte të dëgjonte as vetja, u shua pa u ndezur brenda thëngjillit të fatit tënd të keq, ku strukeshe prej frikës dhe truceshe prej pamjaftueshmërisë për të qenë ajo çfarë një pushtet i epërm kishte urdhëruar.
Kurrë s’dite të ankoheshe, as të kishe të drejtë, edhe pse çdo drejtësi ligjëronte zëshëm përmes fijeve inkandeshentë të rrezeve të shpirtit tënd.

Ti ishe e pashoqe në sakrificë dhe në sfidë. Jeta jote ishte luftë dhe ti mësove si të fitoje, për vete dhe për të tjerët, duke pranuar të ishe vetë therori dhe trofeu i triumfeve.
E vetme kundër të gjithëve, gjithçkaje, edhe kundër kohës.
Vjen një ditë që shpengimin e lirisë dhe ëndrrës e thyen frika e vragonjve, asaj robërie që të ndëshkoi dhe mëkoi, atyre privimeve që të ngrysën dhe të shtrydhën, asaj të shkuare që të pranoi zemërthyer, asaj kohe që rëndoi mbi ty çdo detyrë dhe të vetmen të drejtë që të besoi, ishte të ishe e përulur.
Ndryshimet që koha ngasi, për të fundit, u kujtuan për ty, për të dhënë çfarë të ishte ndaluar; të ishe grua, joshëse, sensuale, delikate, e bukur, e dëshiruar dhe dashuruese, të ishe çfarë hiri i epërm i Zotit të shpërbleu dhe balta e njeriut ta mohoi.
Fitove lirinë, dhe vetë liria u ndi e lirë në krahët e tu, në ato dëshira dhe ëndrra që guxove të besosh, aq sa dhe të bindesh se mund edhe të fluturosh.

E shkuara perëndoi, e tashmja lindi bashkë me ditën që zgjoi dhe zgjodhi ty paraprijëse e kohës që mori emrin tënd.
Dhe e përqafove me gjithë afshin e ndrydhjeve dhe ndalimeve, ndryshimin. U hodhe në krahët e lirisë duke u kredhur e magjepsur, e dehur prej atij shpengimi që të mësoi të rendësh frekëputur drejt caqeve që bota dhe mundësia kishte hedhur tej në skaje ku zemra jote cek dhe ep.
Sapo vargonjt këpute, s’dite ç’të bëje me veten, me gruan, me nënën, me bashkëshorten. I lejove vetes shumë faje dhe nuk u ndive në pendim
Ti meriton më shumë, meriton të jesh e lirë dhe liria juaj të jetë një liri e lartë në përgjegjësinë e misionit që e shenjtëron nënën në prehrin tuaj, e fisnikëron përuljen në solemnitetin e puthjes së duarve që shkruan veprën e sakrificës.

Ngrehu ti grua e vendit tim, grua sfiduese e kohës në kapërcyell, lufto edhe sot si dje, lufto të fitosh veten, atë që po zhbëhet kërcënueshëm mbi gërmadhat e të drejtave që tu mohuan. Mblidh copëzat e hapërdara të shpengimeve, për të ribërë diellin e gruas që po shuhet tek ti, për të ndezur rrezet e dritës së ditëve të ëndrrave tona. Shpëto grua, nënë, bashkëshorten, amvisen, shenjtërinë e atij shpirti që shenjtëroi vullnetin që na shpërbleu me ty.
Me duart e tua që mbrun e përkund, ende dhe shend, ledhaton e përpush, mblidhi copat e rrënimit tënd, të besoj ende në shenjtërinë tënde. Deri dej tu desh të luftoje e vetme kundër të gjithëve, sot të duhet të luftosh me çdo mjet dhe çdo çmim kundër vetes.
Dashuro, dëshiro, merito, merr, përjeto, përfshihu, gëzohu, lumturohu…, merr çdo gjë që të përket ty sepse edhe unë biri yt, bashkëshorti yt, kolegu yt, të meritoj.
Gjithçka që jam deri në këtë përgjërim, jam shprehja vullnetmirë e atij pushteti të lartë që më shpërblen me ty dhe më thërret të gëzojmë së bashku këtë ditë solemne.
Albert Vataj