Greqia çon në BE çështjen e teksteve shkollore, kërkon ndërhyrje nga Federica Mogherini

Greqia e ka bërë të madhe çështjen e teksteve shkollore shqiptare. Dy nga eurodeputetët e SYRIZA-s të kryeministrit Tsipras, i kanë drejtuar një pyetje përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Pyetja nënshkruhet nga Dimitris Papadimouli, një nga nënpresidentët e parlamentit Europian dhe nga eurodeputeti Stelios Kouloglou. Në argumentimin e tyre ata theksojnë që në një kohë që Shqipëria aspiron përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE, harta me përmbajtje nacionaliste dhe irredentiste përfshihen në tekstet zyrtare shkollore, duke propaganduar idenë e “Shqipërisë së Madhe. Këto harta përfshijnë territore të gjithë vendeve fqinje, si dhe të një shteti anëtar të BE-së, që është Greqia”. Sipas dy eurodeputetëve, është e qartë që këto praktika nuk promovojnë vlerat e BE-së për bashkëpunim dhe bashkekzistencë paqësore, nevojën e pajtimit dhe të fqinjësisë së mirë. “Që nga axhenda e Selanikut 2003, procesi i anëtarësimit në BE ka qenë mjeti që vendet e Ballkanit Perëndimor të promovojnë reforma të rëndësishme. Këto reforma duhet të ruhen nga nacionalizmi dhe gjuha e urrejtjes, që do të kenë pasoja katastrofale për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit”, vënë në dukje dy eurodeputetët grekë. Ata thonë se për këtë arsye kërkojnë që Federica Mogherini të japë përgjigje për dy pyetje që parashtrojnë dy eurodeputetët: Cilat janë iniciativat e organeve institucionale të BE-së për promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe luftimin e nacionalizmit dhe gjuhës së urrejtjes në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor. Në çfarë mase fenomenet e përshkruara më sipër vënë në rrezik procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, posaçërisht në momentin që vendi ka paraqitur kërkesën për hapjen e negociatave të anëtarësimit?