Gllënjka e fundit një krimineli lufte

Për Tribunalin e Hagës nuk ka asnjë dyshim: Slobodan Pralak, një kroat i Bosnjës me tri diploma fakulteti, është kriminel i luftës. Pralak nuk deshi të hyjë në histori si i tillë – dhe helmoi veten para gjykatësve dhe opinionit botëror që po përcillte shpalljen e vendimit të shkallës së dytë.

Nga Enver Robelli

Mes gjenialitetit dhe çmendurisë është një fije e hollë. Psikologët flasin për «gjarpërinj të veshur me kostume», kur i përshkruajnë karrieristët e pamëshirshëm. Këta tipa mund të hedhin në humnerë ndërmarrje, popuj dhe firma – dhe në fund t’i bëjnë dëm edhe vetes. Slobodan Pralak ishte i veshur me një kostum të kaltër në të errët, me vija të holla, kur të mërkurën hyri në sallën e Tribunalit të Hagës. Ai dhe pesë kroatë të tjerë qenë dënuar me burg shumëvjeçar më 2013 për krime të luftës ndaj myslimanëve të Bosnjës.

Tani gjykatësit dëshironin të shpallnin vendimin e shkallës së dytë. Kur kryesuesi Carmel Agius konfirmoi dënimin me 20 vjet burg për Slobodan Pralakun, ky burrë me mjekër të bardhë papritmas mori fjalën dhe tha se nuk është kriminel lufte dhe se dënimin e hidhte poshtë me përbuzje. Pastaj ai mori një gllënjkë nga një shishe e vogël me ngjyrë bojëkafe. Kjo pamje fillimisht të kujtonte një skenë filmi nga ndonjë kafehane të rakisë në Ballkan. Por, avokatja e Pralakut shpjegoi se klienti i saj ka marrë helm. Shpallja e dënimit u ndërpre, mjekët erdhën vrap, gazetarët u detyruan të braktisin sallën e gjyqit, lajmet urgjente në mediat botërore ndiqnin njëra-tjetrën. Pasditen e hershme u konfirmua vdekja e Pralakut në Hagë.

Gazetarët në Ballkan, të cilët e kanë intervistuar dhe portretuar Pralakun nuk qenë aq të befasuar nga shou i tij spektakular dhe morbid. Megalomania, etja e pakufishme për të qenë dikush dhe mbivlerësimi i vetes përshkojnë biografinë e Pralakut si një pe i kuq. Ai ishte shembulli i gjallë që tregonte se arsimimi nuk të mbron nga urrejtja dhe marrëzia. I lindur në vitin 1945 në Çaplinë të Bosnjë-Hercegovinës, Pralak fillimisht përfundoi studimet në fakultetin e elektroteknikës, pastaj mori një diplomë në filozofi dhe sociologji. Thua se nuk i mjaftonte ky nivel arsimor, ai në fillim të viteve ’70 zbuloi dashurinë e tij për aktrim dhe studio dramaturgjinë. Njeriu me tri diploma universitare dhe me nofkën «Brada» (Mjekra) punoi si regjisor, xhiroi seri televizive dhe filma dokumentarë. Në Jugosllavinë socialiste njerëzit e tillë me respekt quheshin «kulturni radik», punëtor kulture.

Kur shteti i përbashkët jugosllav filloi të shpërbëhet, Pralak ëndërroi të përparojë në karrierë. Ia ktheu shpinën teatrit dhe iu bashkua ushtrisë kroate për t’iu kundërvënë agresionit serb. Por, atëbotë kryetari nacionalist kroat Franjo Tugjman kishte plane më të mëdha. Ai nuk synonte vetëm dëbimin e pakicës serbe nga vendi, por edhe pushtimin e Hercegovinës, pjesës jugperëndimore të Bosnjës, me qëllim që të gjithë bashkëkombësit e tij t’i bashkojë në një «Kroaci të Madhe». Më 1991 Pralak mori postin e shefit të HVO-së, paraushtrisë së kroatëve të Bosnjës, e cila përkrahej nga Zagrebi. Dramaturgu tani vizatonte kufij të rinj në Ballkan. Krahas serbëve edhe kroatët luftonin për të copëtuar Bosnjë-Hercegovinën. Sipas Tribunalit të OKB-së udhëheqja e kroatëve të Bosnjës ishte pjesëmarrëse në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, e cila synonte shpërnguljen e dhunshme të myslimanëve nga vendbanimet e tyre.

Në ditarin e tij gjenerali i serbëve të Bosnjës Ratko Mlladiqi, i dënuar javën e kaluar me burg të përjetshëm, përshkruan një takim me Pralakun më 5 tetor 1992. Sipas Mlladiqit Pralaku kishte thënë se kroatët nuk janë të interesuar për luftë kundër serbëve, si armiq kryesor ai i konsideronte boshnjakët, siç e quajnë veten myslimanët e Bosnjës. «Jemi në rrugë të mirë që Alinë (Izetbegoviqin, kryetarin e atëhershëm boshnjak) ta detyrojmë ta ndajë Bosnjën […]. Është në interesin tonë që myslimanët të kenë kantonin e tyre, në mënyrë që të kenë një vend ku mund të vendosen», kishte thënë Pralak sipas Mlladiqit.

Tribunali i Hagës të mërkurën konfirmoi vendimin e shkallës së parë se themeluesi i shtetit kroat Franjo Tugjman dhe vartësit e tij kanë përkrahur me armë, personel dhe para fushatën e spastrimit etnik të udhëhequr nga kroatët e Bosnjës. Kështu për luftën në Bosnjë një pjesë të fajit e bart edhe Kroacia – krahas Serbisë. Tugjmani, ministri i tij i Mbrojtjes dhe shefi i armatës nuk dolën kurrë para gjyqit: ata vdiqën para se Tribunali të përpilojë aktakuzat. Pralaku dhe pesë dorasit e tjerë urdhërdhënës u dënuan me gjithsej 111 vjet burg për dëbimin e mijëra boshnjakëve, për masakra, tortura dhe dhunime.

Gjenerali Pralak u bë i njohur në tërë botën më 9 nëntor 1993, kur iu dha urdhër njësive të tij tankiste të hapin zjarr kundër Urës së Vjetër në Mostar. Pas disa breshërive vepra e mahnitshme, të cilën e kishte ndërtuar 400 vjet më parë arkitekti osman Mimar Hajrudin, ra në lumin e Neretvës. Njerëzit në Mostar dikur e quanin urën një ylber prej guri, ajo ishte një lidhje mes Orientit dhe Oksidentit. Ura e regjistruar në listën e UNESCO-s si trashëgimi botërore ndërkohë është ndërtuar me para të BE-së, por Mostari mbetet një qytet i ndarë etnikisht: në perëndim kroatët katolikë, në jug myslimanët e Bosnjës.

Në vendimin e djeshëm të gjykatës thuhet se Pralak nuk është fajtor për shkatërrimin e urës, sepse ajo paskësh qenë cak legjitim ushtarak. Ky vendim i gjyqtarëve ngjalli pakënaqësi të madhe në mesin e vëzhguesve të procesit dhe historianëve: ata e shohin sulmin ndaj urës si krim të qartë të luftës. Kush e konfrontonte Pralakun me pyetje mbi këtë kapitull të errët të luftës së Bosnjës, ai ballafaqohej vetëm me qeshje cinike. «Për të shpëtuar një gisht të vetëm të ushtarëve të mi, unë do t’i kisha shkatërruar tri ura të tilla», thoshte ky njeri, i cili në vitet e rinisë u kishte shërbyer mysafirëve si kamerier pranë liqenit Titisee në rajonin e Schwarzwaldit. Pralak thoshte se – përndryshe – ai nuk e ka shkatërruar urën, sepse një ditë më parë ishte hequr nga pozita e komandantit. Në burg ai shkroi 18 libra mbi kohën e luftës.

Si gati të gjithë kriminelët e luftës nga Ballkani edhe Pralak donte të hynte në histori si martir. Për aktivistët kroatë të të drejtave të njeriut ai nuk është vetëm vrasës masiv, por edhe plaçkitës, i cili gjatë dhe pas luftës u bë milioner. Nacionalistët e konsiderojnë atë si hero. I verbër ndaj historisë u tregua edhe kryeministri i Kroacisë: aktgjykimi «është një padrejtësi morale», tha Andrej Plenkoviq. Me gjasë disa në Zagreb duan ta kujtojnë helmpirësin Pralak vetëm si njeri të kulturës. Njëri prej filmave të tij më të njohur bart titullin «Vdekja e një qeni». Vetëvrasja e Pralakut para kamerave e vë Tribunalin e Hagës në një situatë të pakëndshme. Autoritetet holandeze kanë filluar hetimet, të cilat pritet të tregojnë se si dështuan të gjitha masat e sigurisë.

Pas shpalljes së dënimit kundër 6 kroatëve të akuzuar për krime të luftës në Bosnjë, ekspertët juridikë presin që familjet e viktimave të kërkojnë dëmshpërblim nga qeveria kroate. Çmimin e marrëzive të Pralakut do ta paguajnë edhe qytetarët e thjeshtë kroatë – po aq sa edhe huliganët e futbollit, të cilët të mërkurën në ndeshjen mes Osijekut dhe Hajdukut të Splitit shprehën respekt për veprën e Pralakut dhe vartësve të tij.