Gjovalin Paci, triumfi ngallnjyes i malësorit që nisi pikturën me thëngjill dhe synon Luvrin

Ai është një arketip i artistit të lindur në vështirësi, të rritur në përleshjen me të pamundurën dhe një botë ku duhet vazhdimisht vetëm të ndeshësh. Kurrë nuk do ta mendonte se pasioni i tij i vizatimit që nisi me thengjill në shkëmbinjtë e malësisë së Razmës, kur kulloste bagëtitë, në fimëjërinë e tij të hershme, të transformohej në një uragan rrapëllitës të vlerave promovuese dhe cytjes së një egoje për pushtetin e gjeniut. Rruga nga malësia në Shkodër, dhe nga Shkodra në Tiranë është një udhë që i rrethvjen përpjekjeve të tij për të jetuar. Ndërsa ngjitej si një Sizif në malin e detyresës, një yllë sa vinte e shndriste më shumë duke mbushur me dritë e reflektuar famë universin e tij. Puna vetëmohuese, përplasja me meskinin e kohës dhe smirën nuk e gjunjëzuan këtë Ante të penelit. Ekspozitë pas ekspozite, promovim pa promovimi, sukses pas suksesi, qytet më qytet e shtet më shtet, ai, Gjovalin Paci do të hynte tashmë në enciklopedinë e artit bashkëkohor si një personalitet dinjitoz dhe me ambicie të kurajshme.

Kush është Gjovalin Paci
Gjovalin Paci lindur ne Shkodër ne 1958, është prezantuar si një artist befasues me mbi 50 ekspozita personale të celura si brenda ashtu dhe jashtë vendit, Paris, Frankfurt, Bruksel, si dhe në vende të ndryshme të Ballkanit. Shumë punime të tij janë pjese e koleksioneve të ndryshme të artit, të shoqëruara dhe me vleresimet më të larta të kritikës vendase dhe të huaj.
Gjovalin Paci është një artist bashkëkohor. Punimet e tij janë plot koncept dhe filozofi, duke kaluar nga cikli me temat biblike tek motivet tradicionale dhe me aq delikatesë tek temat lirike. Mjetet gjysme mistike dhe tonet e erreta, një finesë e jashtëzakonshme plot potencial shprehës, i bëjnë pikturat e tij të çuditshme dhe mjaft origjinale.

Nisja e vështirë
E ka nisur kështu rrugën e vështirë e të lodhshme të artistit ndërsa ishte vetëm 6 vjeç e shkonte të kulloste bagëtinë. Në fillim si shprehje të një dëshire të papërmbajtur për të vizatuar gjërat me të cilat ishte në kontakt të përditshëm, si delet, kuajt, pemët, njerëzit, tokën… Sot ai është prezantuar me një cikël punimesh kushtuar universit dhe planeteve, i shtyrë nga mendimet dhe joshja që i nxitin përsiatjet e tij për misterin, të panjohurën.
Nuk ka mbaruar asnjë shkollë arti, por talenti i tij është i padiskutuar dhe premton ta shpjerë larg. Punimet e tij të realizuara në vite kanë arritur ndërkaq shifrën e 4 000 të tillave, kryesisht në vaj dhe tekstil. Gjovalin Paci kujton me mall kohën kur dikur fëmijë, në një çantë mbante bukën dhe ushqimin e në tjetrën, ngjyrat, fletoret…

Gjovalin Paci për punën e tij
“Piktura ime është kjo, gjithçka që na ndodh dhe që nuk e njohim. Të gjithëve na ngacmon e panjohura. E pakapshmja më pëlqen, më intrigon, më bën të mendoj dhe pastaj ky mendim apo ngacmim pasqyrohet në pikturën time. Pastaj ajo britma që shpreh unë në punën time nuk është një klithmë që kërkon bukë apo diçka që është konkrete dhe normale… Britma ime është diçka e brendshme, ajo pakënaqësia që ndjen njeriu në vetvete ndaj krijuesit, ndaj Zotit. Kjo është e gjithë ideja që përshkon punimet e mia. Punimet e mia nuk i përkasin një pikture tokësore, që kapet menjëherë… Kjo e imja është një pikturë e një tjetër dimensioni, është një temë mistike, krejtësisht e kulluar”
Megjithatë, ai nuk harron të theksojë faktin se në Tiranë ka gjetur një indiferencë që e ka munduar shumë. “Kam pasur shumë probleme me galeritë dhe njerëzit. Së pari ishte problemi i shkollës dhe pastaj edhe problemi i pikturës, plus që dashamirësia mungon gjithmonë, njëlloj egoje e jashtëzakonshme. Eshtë krijuar njëlloj hierarkie artistike dhe pranohen vetëm ata që janë brenda kësaj hierarkie, ndërsa të tjerët mbahen larg. Unë mendoj se gjithsecili sot duhet ta ketë rrugën të hapur, me aftësitë që ka, sepse asnjeri nuk i prish punë tjetrit. Sot ka hapësira për të gjithë, secili duhet të bëjë punën e vet…”, shprehet Paci. Piktura për të është ditari, ku hedh emocionet e ditëve dhe ruan kujtimet, që ndjekin njëra-tjetrën. Nuk e sheh veten si piktor dhe as e ka parë kurrë si të tillë, megjithatë ka hedhur në ngjyra dhe ka formësuar ndjesitë e tij për vite me radhë. Dhe më në fund urën e komunikimit e ndërton natyrshëm, duke zbuluar para publikut një pjesë të fshehtësisë së tij njerëzore përmes punëve

Emocion përmes maktheve ngjyrash të ftohta dhe Evash të epshme
Tridimensioni i qasjes së një peneli në përcikjet e tij ndërmjet qiellit, tokës dhe Hyut, formëzojnë kutin e një arti modern, që duke të joshur të përpin në shtjellat e saj të përmendjes drithëruese. Në tërësinë e saj, kjo pikturë mbart me kumtin e larushuar përmes relieveve dhe ngjyrave, atë realitet që ngërthen sejcilin prej nesh. Trajtat emotive që përshkojnë si një fill i vetëm gjithë impresionin, lakohen vibrues mbi telajon dhe formëzojnë plotësinë e formës. Përplotësojnë gjithçka që shkulmon në gjëndjen e transit të piktorit. Biblikja, toksorja, njerëzorja shkrihen nëpërmjet linjave të pandashme që ngjizin trupa që zanafillin nga gjëndje dhe kulme emocionesh për tu njësuar në trajta spazmesh shpirtërore. Linjat duket se fillojnë për të mos përfunduar askurrë, në pikturën e Pacit. Sosin në një telajo dhe fluturojnë në tablonë tjetër për të ravijëzuar sakaq rishtaz një tjetër episod të vërshimit të tij mistik. Në formën e bordurave, ata duket sikur kërkojnë të formëzojnë trajta plazmuese, më shumë si mure rrethuese të emocionit, se sa si qasje delikate për të shfryr atë që gufon furishëm brenda një konstelacionin shpirtëror. Nga një telajo në tjetrën perceptojmë kjartazi një tendencë të evolucionit të vetë piktorit që specifikohet tek gjymtyrët, që jo rastësisht shfaqin një mangësi delikatese të perceptimit dhe të përçimit. Graviteti i trupave dhe personazheve emotiv duket se është i rëndësishëm për piktorin. Ai i vendos fort në taban, sikurse u jep po ashtu mundësi të kapen fort pas rrethrrotullisë që hera-herë është një frymëmarrje eterne, e tek-tuk një hapsin që diku thyhet e diku tjetër është aq e fortë dhe e zymtë sa për tu kapur në të duhen vetëm ato gjymtyrë. Tjetër veçori e një prej periudhave të punëve të Pacit është dhe ndërfutja, rrokaqafja dhe rikrijimi, në çdo nerv, në çdo nyje, në çdo gjymtyrë, në çdo kacarritje për zgjatim, për formëzim. Biokimi e këtyre gjëndjeve, dukshëm orjenton përnga një evolucion shumfishues i objekteve, i qënjeve, i gjithsisë dhe pjesëzave përnga e tërë, përnga pafundësia. Qeliza në këto tablo është pambarimisht në evolucion, pafundësisht në pajtueshmëri me krijimin. Në çdo gjë dhe gjëndje një jetë gjallon, një emocion kapërthehet pas rrezeve të para të agut, një ngulm në tërbimin e vet, porsi një stuhi galaktike shtjellin, e behim me fillesat e një bote që piktori e hedh për eksplorim. Krijimi dhe rikrijimi janë në një pakt sublim. Gjithçkaja krijohet nga diçka, dhe diçka kumton ne gjithçka krijimin tërësor të gjithçkasë. Nuk ka ndalim. Përmes linjave dhe ngjyrave, nejve që herë lidhen e herë zgjidhen, për misionin e krijimit. Gjithësia merr formë brenda një shpirti e vihet përballë ëndjes tonë dhe shijeve të holla estetike për të dëshmuar dhe kumtuar. Teksa përçon në çdo grimcë këtë krjim dallon kjartazi, se kurrëçka nuk është aty rastësisht. Rastësore mund të jetë momenti, impresioni qaset të orvatet në të qenin si i tillë, por kurrsesi jo, ajo që është brenda këndeve të telajos. Epja për të përceptuar tanëçka Paci vendos në telajo, nuk është bindja foshnjore, për të zbërthyer enigmat. Më duket se ka diçka më të ngërthyer, më të garrameçme. Do të thoja, është si të zgjidhësh një rebusi. A nuk është dhe ekuacioni i tërësisë sonë të përjetimit dhe zotërimit të jetës diçka e tillë, e ngjashme.
Akriliku i pjekur më shumë se një dritëshikim i trajtimit, më shumë se një mënyrë e zotërimit të këtij tërbimi të sentimenteve të kulmëzuara estetikisht, është një shkas për tundim, për yshtje nga përfshirja me të gjithë dimensionet e përjetimit, edhe me shqisën e të prekururit. Rilievet thepisen, rrumbullakosen dhe sakaq shkrihen përnga njëtrajtshmëria e lëmuar, si kurmi i një vërshimi pikëllues uji e trajta e epshme e Evave që përplotësojnë botën tonë të epshme. Kjo skulpturë e sheshtë shakadahet po me atë nerv limfatik dhe zjarm brendie, sa dhe vetë shtatoret dhe muralet, para të cilave kemi mbetur gojëkyçur, pa fjalë, të dyzuar, por mrekullit të përfshirë. Loja me format nga tabloja në tablo, në çdo pjesëz të së tëres hidhet për të mbetur ajo që perceptim pas perceptimi të rrëfen një realitet të ri, një gjëndje, e cila të është fshehur më parë. Në përgjithësi koloriti i kësaj kreature estetikisht të përkorë, nuk ka gjasa të na ofrohet përkundër dëshirave dhe afshit që të ysht të gjendesh para një pikture. E kenun për të mos ju gjunjzu asaj që duam, ajo është për më shumë, për të joshur më të thellat dhe më të naltat shije dhe kandje. Shumë syresh do të ngrysen para një larushie të ftohtë ngjyrash dhe formash të një pjese të punëve të Pacit. Ata thjeshtë do të kundrojnë, do të sorollaten dhe do të rikthehen rishtaz, do të tendosen në fortësinë e pasqyrimit dhe ndjesitë e tyre do nisin sakaq të kapin sinjale dhe të perceptojnë reflektime, deshifrimi i të cilave ngjet rëndom tek mistikja, natyra që piktori ka vendosur të kumtojë. Atë që do ta quante si të përbashkët të punëve të tij, Paci do të veçonte mbizotërimin e toneve të errëta dhe një lloj ndriçimi i fuqishëm që zbret nga maja e një mugëtire që krijohet nga poshtë. “Është një lloj frike që të krijohet kur bie muzgu, nata, drita e fortë dhe errësira gjithmonë krijojnë një kompleks mistik”, saktëson ai. Tjetërçka që beh para kureshtisë është një risi, nëse mund ta quajmë atë të kodeve. Simetria korrekte e vendosjes së gërmave, jo në sinkron alfabetik, që qarkojnë kryesisht nudot e dëngura në epsh e sharm, sipas tij përfaqësojnë diçka, një fenomen a një dukuri jetësore dhe ajo që përfaqëson e gjithë puna në tërësinë e saj. Është një ndërthurje mes strukturës së prozës, të muzikës në pjesën abstrakte dhe të figuratives në siluetën e vajzës. Nga një tridimension, ai vjen me një tridimension tjetër, më të drejpërdrejtë, më përfshirës, më domosdo për joshjen e yshtjeve frelëshuara estetike.Si për të mos mbetur i plotesuar si deri më tash me telajon, ai kushtron duke përftuar instalacionin në këtë qasje të shpaluarit të gjithë asaj larushie fëshfëritëse, e gjithë atij dufi gurgullues që kaplueshëm kërcën hop nga një realitet në tjetrin, nga një strofkë në një univers. Do ta quanin të makthshme, atë që piktori në këtë hop orvatet të përplotësojë tërbimin e vet me “shtëpia e artistit”. Sipas tij, kurrçka tjetër nuk përçon veç ngasa realiteti përqarkon, si artistin e gjithsekënd tjetër rrethekrah. “Është artisti i rrethuar prej mijëra e mijëra ngjarjeve, guxon të deshifrojë këtë panoramim sendesh dhe mjetesh, ku futen për shembull: lajmi, moda dhe të tjerë elementë që artisti i përjeton në mënyrë shqisore ose të padukshme. Mes tyre është artisti, në rastin konkret piktori, i cili qëndron mes ca gurëve e ca tubave; një moment thotë, jam i madh, një moment thotë jam i vogël e një moment thotë, jam i mesëm. Pra është ideja e njeriut në formim e në plotësim e sipër”. Sakaq ai udhërrëfen kundruesin, i cili duke u gjend i hutuar në një kryqkalim drithërues, kjo do ta hopte më tej në të tjera labirinthe magjepsëse të deshifrimit të kodeve të Pacit dhe flirtimit me Evat e dlira të mëkatit të zanafillës. Gjithseçysh, ajo që është e Pacit është e tij, dhe kurrsesi s’ka si të jetë e tjetërkujt. Enigmatike, misterioze, e ngurtë, muzikale, drithëruese, e epshme e gjithëçka tjetër që sekush që gjëndet para punëve të tij munet me ndje, me përceptu, e me i dhan njasaj gjëndje nji lloj tagri a një emërtesë. Përsfundit të gjërave, duhet më u kujtu edhe nji përkujdesje që duhet me e ysht gjithsekënd, është, se nëse kjo pikturë nuk ju thotë kurrgja, e më së shumtu nuk ju jep kurrçka, kjo nuk don me thanë se ajo s’ka gja me thanë, e me dhanë, por ju sjeni i mujtun, për me ndigju atë çfarë ajo thotë, dhe me marrë ma të naltin emocion, të cilën ajo është gati me e dhanë.
Me mbi 50 ekspozita, tashmë malësori që nisi sfidën e artit që në moshën 6-vjeçare kur vizatonte me thengjillë në malet e Razmës, ndërsa kulloste bagëtitë, është një fenomen artistik. Pikturat e tij, kompozimet e tij me akrelik, impresionet e tij artistike, gulçi i shpirtit të tij është në një shumësi të madhe punësh. Tablotë e tij tashmë gjendën në sallone mondane, në zyra shtetarësh të fuqishëm, në shtëpi ambasadorësh e politikanësh, në syrin dhë vëmëndjen e pareshtur të kritikës. Ai u përpoq dhe arriti t’ia dalë duke sfiduar kohën dhe duke u ndeshur pamëshirshëm me të pamundurën. Jeton për të pikturuar, dhe pikturon për të jetuar.

Albert Vataj