Gjergj Balsha, Bushatllinjtë dhe pashallarët, një përshkim i historisë që nga viti 1380

Nga:Astrit LULUSHI

Më 1389, Serbia ra nën perandorinë osmane. Në atë kohë, Gjergj Balsha, dhëndër i mbretit serb Lazar, ishte princ i Malit të Zi. Në principatën e tij përfshiheshin të gjitha territoret shqiptare në veri të lumit Drin, si dhe pjesa jugore e Hercegovinës e bregu i detit nga Raguza deri në Durres. Balshajt rridhnin prej një familjeje nga Baux, fshat në jugperëndim të Francës. Ata ishin vendosur në bregdetin shqiptar dy a tri breza para betejës së fushë Kosovës, shkruante Charles du Cange në vitet 1600, në Historinë e perandorisë bizantine.

Dhe libri i tij është një nga burimet më të cituara nga Eduard Gibons, historian britanik i shkekullit XVIII. Sipas tij, Dukange është udhërrefyesi më i pagabueshëm i historisë së mesjetës.

Pra më 1389, ndërsa Gjergj Balsha me trupat e tij ishte nisur në ndihmë të forcave serbe, shqiptare, hungareze etj., kundër sulltan Muratit në betejën e fushë Kosovës, atij i erdhi lajmi se beteja kishte marrë fund, ata ishin mundur. Kjo e shtyu Balshajn të fillonte përgatitjet për mbrojtjen e territoreve te veta. Ai e dinte se pas kësaj humbjeje, zotërimet e tij do të bëheshin vendstrehim për të gjithë ata që iknin për t’i shpëtuar zgjedhës osmane. Edhe pa asnjë provokim, vetëm ky zhvillim do t’i nxiste trupat osmane të sulmonin territoret e tij.

Më 1394, Balsha kërkoi ndihmë ushtarake e financiare nga Venediku dhe si shkëmbim i dorëzoi kësaj republike qytetet e Krujës e Durrësit, por edhe Shkodrën që ishte kryeqëndra e tij. Aleanca me venedikasit ndihmoi, por më shumë ishte humbja e Bajazitit në betejë me Timurlengun më 1402, që i detyroi turqit të ndërprisnin përkohësisht ofensivën e tyre në Ballkan.(West,1941)

Me vdekjen e Gjergj Balshës, vendin e tij e zuri djali i tij, Balsha i III-të, i cili mundi t’u rimarrë venedikasve Durrësin, Shkodrën e qytete të tjerë që i ati kishte qënë i detyruar nga rrethanat të hiqte dorë. Kur Balsha i III-të vdiq më 1423, në krye të zotërimeve erdhi nipi i tij, Stefan Cërnojevic. Historianët thonë se Cërnojevici ishte martuar më një vajzë të familjes së Kastriotëve, dhe kjo bëri që ai të vihej përkrah Skënderbeun në luftë kundër trupave osmane. Pas vdekjes së Stefan Cernojecicit, për të cilin thuhet se u varros në një nga ishujt e vegjël të liqenit të Shkodrës, vendin e zuri Gjoni, djali i tij.

Gjon Cërnojevici vdiq më 1490 duke lënë pas 2 djem, Stanishin dhe Gjergjin i cili u vu në krye të principatës. Stanishi quhej edhe Maksimus (më i madhi) dhe kjo i bën disa studjues të arsyetojnë përse vënia e Gjergjit në krye të principatës u kundërshtua nga vëllai i tij. Kështu, luftës kundër pushtuesve, tani iu shtuan edhe luftrat e brendëshme. Stanishi, në luftë për pushtet, kërkoi ndihmën e perandorisë osmane, por megjithatë nuk fitoi. Pas kësaj, ai shkoi në Stamboll nga ku me dekret të Sulltanit u dërgua në Shkodër si qeveritar a komandant ushtarak. Historianët thonë se banorët e Shkodrës, duke e njohur si bashkëpuntor të pushtuesit, protestuan kundër emërimit të tij. Pas kësaj, atij iu dha një farë detyre a pushteti në një zonë pranë qytetit. Edhe atëherë, si sot, zona quhej Bushat dhe prej andej dolën një numër pasardhësish të Stanishit, pashallarë e të tjerë, të njohur si Bushatllinjtë.(Denton,1877)

Në këtë përfundim arrin historia, por legjenda tregon edhe dicka tjetër. Sipas një gojëdhëne, më 1493, Gjon Cërnojevici, shkoi në Venedik për t’i kërkuar kësaj republike zbatimin e traktatit për per të mbrojtur Malin e Zi. Gjatë kësaj vizite ai, mendoi se edhe lidhja e krushqisë me ndonjë familje të njohur venedikase do të ndihmontë. Gjergji, një nga djemtë, ishte martuar më parë me vajzën e një fisniku venedikas, i cili pastaj e kishte ndihmuar Shkodrën gjatë rrethimit turk. Tani radhën për martesë e kishte Stanishi apo Stefani. Një nga prijësit e Venedikut i premtoi vajzën e vet, por kur erdhi dita e martesës, Stanishi sëmurë rëndë nga lia dhe fytyra e tij u bë tepër e shëmtuar. Kështu, kur Gjon Cërnovici shkoi për të marre nusen e birit të tij, thotë gojëdhëna malazeze, në vend të Stanishit, ai morri një djalë të pashëm nga Ulqini me mbiemrin Gjura. Familja venedikase dhe nusja e panë dhe e pëlqyen, ndërsa Gjura e dasmorët e Cërnovicit e dinin se ajo i takonte Stanishit. Gjatë kthimit, kur iu afruan kulles së Cernovicit, Stanishi u doli përpara dasmorëve dhe i tha nuses se ai ishte dhëndri. Nusja u tmerrua nga shëmtia e tij, ndërsa Stanishi i zemëruar e ndoshta xheloz, nxorri shpatën dhe e vrau Gjurën. Mes dasmorëve u ndez lufta – fisi Gjura e të afërmit kundër Cërnovicëve dhe përkrahësve të tyre. Nga kjo betejë u vranë thuajse të gjithë dasmorët. Por Stanishi mbeti gjallë dhe për t’i shpëtuar hakmarrjes, u hodh në anën turke. Dhe këtu legjenda bashkohet me historinë; Stanishi shkoi në Stamboll, u kthye në Shkodër e u vendos në Bushat.

Gjithashtu, mbështetur vetëm në këtë histori a gojëdhënë, një tjetër pasojë mund të ketë rezultuar nga beteja e përgjakëshme mes dasmorëve; ndarja fetare e Malësisë, duke bërë që fise malësorësh shqiptarë të ndiqnin ritin katolik, ndërsa ata malazezë, ritin ortodoks.