Gjekë Gjonaj: Bashkimi i shqiptarëve në Mal të Zi, mision i pamundur

Nga Gjekë Gjonaj

Kanë mbetur më pak se një muaj e gjysmë deri në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi të shpallura për më 30 gusht, ndërkohë është e qartë se nuk do të kemi një platformë të unifikuar politike të shqiptarëve karshi këtij shteti. Partitë shqiptare nuk morën mësim nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi në tetor 2016 të cilat u karakterizuan nga një rënie e theksuar e përfaqësimit parlamentar si pasojë e përçarjes së tyre. Ato po e përsërisin të njëjtin gabim katër vite më pas dhe në zgjedhjet e ardhshme nuk do të dalin të bashkuara në një listë të vetme zgjedhore, por do t’i ndajnë votat si çdoherë më parë , duke garuar më së paku në dy lista zgjedhore rivale, duke minimizuar numrin e mandateve. Bazuar në përvojën e hidhur të viteve më parë, kur pak ditë para mbarimit të afatit të regjistrimit në Komision Qendror të Zgjedhjeve, me ç’ rast të gjithë mendonin se shqiptarët do të garonin vetëm në dy lista, u regjistrua një koalicion i tretë, ndonëse kjo për momentin duket më pak e besueshme. Domethënë, përfaqësuesit e partive që tubojnë shqiptarë as pas tridhjetë vitesh të sistemit pluralist nuk arritën t’i kapërcejnë mospajtimet , ndarjet e përçarjet e ndërsjella.

Liderët e partive shqiptare nuk u bashkuan, sepse nuk e kanë kuptuar ose nuk duan ta kuptojnë që tek bashkimi qëndron shpresa dhe hapet rruga e ndryshimit që do t’u sjellë mirëqenie dhe stabilitet. Nuk u bashkuan sepse nuk u pajtuan për çështje të rëndësishme. Secila parti synonte të merrte vendin e parë apo të dytë, kështu që nuk u morën parasysh disa kritere, por çdonjëra në mënyrën e saj përpiqej të vendoste interesin e vet. Pra, mrekullia shqiptare edhe kësaj herë nuk ndodhi. Unifikimi i faktorëve politikë shqiptarë u tregua i pamundur.

Shpresa e shqiptarëve në Mal të Zi që partitë shqiptare për herë të parë të dalin në zgjedhje parlamentare të bashkuara, duke pretenduar të sigurojnë së paku dy vende në parlamentin malazez dështoi. Po ashtu ndjeshëm u shua, apo më mirë të themi u zbe, edhe fryma e bashkimit të shqiptarëve të cilën e filloi Malësia në marsin e vitit 2019 e cila u dëshmua se ishte rruga më e mirë dhe e vetme për arritjen e synimeve politike dhe integrimin e shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë.

Ftesat e elitës politike që subjektet politike shqiptare të reflektojnë dhe të bashkohen pa kushte ishin deklarative dhe të pasinqerta. Bisedimet e deritashme të kryetarëve të partive shqiptare që në këto zgjedhje të dalin në një listë të përbashkët dështuan, sepse unifikimi dhe bashkëpunimi i gjerë brenda partive shqiptare ishte i pamundur.

Në interesin e përbashkët të tyre nuk duket të jetë aspak e mira e përbashkët e shqiptarëve. As edhe për një fije të vetme. Përndryshe, arsyeja përgjegjësia, korrektësia dhe sinqeriteti do t’ bënin të veponin ndryshe. Politikanët tanë “ vizionarë” as kësaj herë nuk arritën të vendosin një gurë të fortë themeli i cili do të ishte risi e këndshme e shumëpritur dhe e nevojshme në politikën shqiptare. Shqiptarët në Mal të Zi edhe në këto zgjedhje do të ecin të pasigurt, pasi lëshuan rastin e mirë të jenë të bashkuar dhe me tërë kapacitetin e vet të mobilizojnë trupin votues për të votuar në masë të madhe të zgjedhurit e tyre në Kuvend. Parakusht për këtë fitore do të ishte bashkimi. Lista e bashkuar e shqiptarëve do të nxirrte më shumë qytetarë në kutitë e votimit. Njëherë do të ngrite besimin brenda subjekteve politike dhe do të forconte dialogun dhe unitetin e munguar. Me bashkimin politik të shqiptarëve zëri i qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë do të ishte më i fortë.

Nga ana tjetër, me këtë veprim të nxituar dhe të pamenduar mirë subjektet nacionale shqiptare treguan për të satën herë se vazhdojnë të vuajnë nga mosbesimi kronik i cili si virusi ka gjetur strehë në radhët e tyre. Përveç mosbesimit fjala është edhe për liderizmin. Ajo që i ndanë krerët e partive politike shqiptare është edhe “ kokëfortësia” politike, mllefi, inati dhe hatërmbetja. E të gjitha këto nuk kanë qenë faktor i shëndetshëm i bashkimit.