Gërmimet në kalanë Rozafa të Shkodrës. Arkeologu Helidon Sokoli shprehet se kanë dal në pah shumë fakte interesante

Gërmimet në kalanë Rozafa të Shkodrës, që tashmë vijojnë prej gjashtë vitesh, janë përqendruar në  pjesën e oborrit të dytë dhe të tretë, kryesisht në objektin e kultit Kishës-Xhami. Arkeologu Helidon Sokoli shprehet se kanë dal në pah shumë fakte interesante që kanë të bëjnë me fazat që kanë kaluar, siç është objekti në fjalë duke qenë se sipas të dhënave dalin gjurmë se kemi të bëjmë me një objekt paleokristian.

Gjithashtu Sokoli sqaron se janë bërë gërmime të cilat kanë nxjerrë shtrezimet e pjesës së oborrit të tretë ku shihen qartë edhe ndikimet që kanë pasur periudhat mesjetare si ato otomane, apo edhe venedikase.

Nga gërmimet e ekspeditës së gjashtë të Institutit Arkeologjik polak dhe atij shqiptar në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të kulturës kombëtare Shkodrës kanë dalë artefakte mbi jetën në kala që në periudhën e mesjetës së hershme dhe të mesjetës së vonë. Arkeologët kanë zbuluar edhe varre dhe skelete të cilat i përkasin periudhës së pushtimit osman në pjesën e hajatit të objektit të kultit si dhe në pjesën e pasme ose pjesën e nekropolit. Kjo ekspeditë nxjerrë në dritë edhe mënyrën e përdorimit të riteve të varrimeve dhe të mënyrës së jetës në pjesën e banueshme të Kalasë Rozafa.