Gazeta “Zani i Malsisë”, sqarim për të pa-“Sqaruarit”…! e mirënjohjeve

Sqarim për të pa-“Sqaruarit”…!

Gazeta “Zani i Malsisë” e gjen si detyrim të ripublikojë serinë e posterve të mirënjohjeve që kjo gazetë ka bërë për të vlerësuar dhe nderuar emrin dhe kontributin e gjithë atyre që kanë dhënë dhe bërë për Malsisënë dhe jo vetëm. Në komentet e dërguara në postimin e fundit të kësaj serie mirënjohjeje shfaqen pakënaqësi, se pse nuk është vënë ky emër dhe është vënë ai emër.

Si sqarim jemi të detyruar të shprehemi se: “Zani i Malsisë” e ndjen obligim qytetar që gjatë punës së saj të evidentojë, të promovojë dhe t’i jetë mirënjohës të gjithë atyre, që me pasion e përkushtim, arritën të përfaqësonin Malsinë në veçanti dhe shqiptarinë në përgjithësi, të kontribuonin në lartësimin e vlerave dhe traditave, të linin një vepër lavdie në profesionin dhe talentin e tyre. Përzgjedhjet e emrave që u bënë pjesë e kësaj mirënjohjeje, janë rezultat i një praktike vlerësuese, e cila mund të mos jetë perfekte, por është dhe mbetët dashamirësi dhe vlerësim, është detyrim qytetar dhe obligim i atyre aspiratave të lartë dhe asaj detyre atdhetare që ka secili nga ne.

Ne ishim në dijeni se në këtë parakalim personalitetesh, ndaj të cilit ne si “Zani i Malsisë” shprehëm mirënjohje dhe respekt, do të kishte rezerva, pakënaqësi dhe hatërmbetje, për përfshirjen ose jo të emrave dhe personazheve. Ju sigurojmë se nuk ka patur nga ne asnjë dashakeqësi apo qëllim ndaj të cilit, secili nga ju të kishte pakënaqësi apo aludime. U përpoqëm dhe besojmë se respektuam të gjithë grupet dhe përkatësitë, pa diferencime gjinore apo religjioze, sociale apo politike. Për ne e rëndësishme është vepra, kontributi, ajo që mbetet gurë në themelet e asaj krenarie, për të cilën kemi të drejtë të krenohemi.

Edhe pse jashtë këtyre 10-tësheve mbetën shumë emra dhe personalitete të fushave të ndryshme, ne e kemi vlerësuar dhe konsideruar kontributin e tyre dhe jemi të hapur ta përfshijmë veprimtarinë e çdonjërit prej tyre në faqet e gazetës “Zani i Malsisë” si një vlerë.

Me respekt, “Zani i Malsisë”