Gazeta italiane “La Repubblica”: Midis arkeologjisë e bunkerëve, hijeshia e kontraditat e Shqipërisë

Numri i turistëve italianë për të kaluar pushimet në tokën e shqiponjave, një krahasim që e përdorin shpesh mediat e huaja, ka ardhur gjithnjë në rritje. Disa nga sekretet e kësaj bukurie me numrin gjithnjë e në rritje të turistëve italianë që e vizitojnë, i ka përcjellë sot në faqet e saj e përditshmja e njohur italiane “La Repubblica” në reportazhin e titulluar “Midis arkeologjisë e bunkerëve, hijeshia e kontraditat e Shqipërisë.” Prej janarit të 2017 e deri më korrik rreth 56 % më shumë turistë italianë kanë vizituar vendin tonë në krahasim me një vit më parë. “Afërsia, deti që pasqyron atë të Puglias e kosto e ulët e jetesës janë arsyet që ka shtyrë 182 mijë italianë të kalojnë sivjet pushimet në vendin e shqiponjave”, shkruan “La Repubblica”. “Vite më parë për këdo që udhëtonte në gadishullin Ballkanik, i duhej të xhironte përqark Shqipërisë për të vazhduar udhëtimin e tij. Sot në këtë vend që ka lënë pas 46 vite regjimi që e izoluan nga pjesa e tjetër e botës, zbulojmë një destinacion turistik.” “Vendpushimet e jugut, ku ndër të parat është Saranda, janë më të preferuarat në sezonin turistik. Ashtu siç përfshihen në udhëtimet turistike dhe zonat arkeologjike të Butrintit, Gjirokastrës e Beratit, të cilat ruajnë e rrëfejnë të kaluarën”. “Veriu, shkruan “La Repubblica”, është më pak i eksploruar, megjithëse ofron skenar natyralë habitëse që të largojnë nga hovi i madh i modernizimit që po i ndryshon pamjen Shqipërisë.” Udhëtimi i medias italiane në Shqipëri ndalet në  Shkodër, ku Muzeu Historik i qytetit ka qenë dikur burg i regjimit. “Janë ruajtur disa nga qelitë e dhomat e torturave. Në qytet ishin 23 vende të tilla për 24 mijë banorë.” Në Shkodër gjendet një pjesë tjetër e historisë, Muzeu Marubi i fotografit italian nga Piacenza, Pietro Marubi që u largua nga Italia i përshirë në vrasjen e Duca di Parma Carlo III di Borbone.Pasi mbërriti në Shkodër ai ngriti studion e tij fotografike. Por Shkodra është dhe “porta e hyrjes në dy vende magjepse; Thethi e Koman.”