FUSHATA E ZGJEDHJEVE/ Basha fton Ramën në debat: Cakto vendin dhe orën, pastaj vendosin shqiptarët

Kreu i Partisë Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se nuk ka punuar për qytetarët, por kanabizoi gjithë vendin për pushtetin dhe tekat e tij.

Në një takim elektoral në Gjirokastër, Basha tha se Rama hoqi drogën nga Lazarati dhe e shndërroi të gjithë Shqipërinë në Lazarat.

Ai e ftoi edhe një herë Ramën në një debat televiziv dhe më pas sipas tij le të vendosin shqiptarët se kë duhet të votojnë.

“Edin Ramën do ta mundim me votë, ku premtoi 300 mijë vende pune dhe nuk hapi asnjë. Hidhjani në fytyrë kartat me 25 qershor. Me 25 qershor ata do të jenë një herë e mirë jashtë pazarit, jashtë tepsisë. Bëhuni njerëz të lirë, bashkohuni me PD dhe me Lulzim Bashën. Ju nuk do të jeni skllevër të asnjë partie.

PD nuk do të pranojë asnjë pazar me ta. Ejani ti japim fund pazarit të ndyrë me ta. Ky është momenti për tu rikthyer në PD. Për të ikur nga pazari i fëlliqur. Hidhjani në fytyrë karta dhe eja në shtëpinë tuaj në shtëpinë e lirisë. Kështu e duan shtetin këta. Edi Rama ndihet i fortë për sa kohë ai është i fortë. Ilir Meta është në rregull për sa kohë ka në rregull pazarin. Po të ftoj këtu nga ‘Çerçiz Topulli’ në debat televiziv, eja dhe tregoju shqiptarëve që kanë pyetje për ty dhe për mua. Eja dhe të na pyesin shqiptarët. Kam 48 orë që po të thërras në debat, caktojmë ditën vendin, pa teatër kukullash pa batuta, por me fakte konkrete”, tha Basha.

Basha theksoi edhe një herë se lënia jashtë listës së disa prej emrave themelues të partisë për zgjedhjet e 25 qershorit, ishte një vendim i vështirë, por i drejtë.

“Kjo është republika e vjetër, që ne duhet ta mundim sa më shpejt me votën e 25 qershorit. Ndryshimi duhet të fillonte dhe ka filluar që në shtëpinë tonë, asnjë nuk e ka karrigen të ngjitur pas vetes, – nënvizoi Basha. – Unë e kam vendosur dhe kam krijuar ekipin tim fitues, ndonëse janë vendime të vështira, janë të duhura dhe të drejta në kohën e duhur, ndaj ju kërkoj që të gjithë bashkë të marshojmë drejt fitores në 25 qershor. Është koha për vendime të forta dhe të mëdha. Ne nuk do ta lëmë më vendin si republikë të vjetër, kjo do të marrë fund në 25 qershor”, – shtoi Basha. /e.a/