Frang Bardhi dhe apologjia kundër falsifikimit të origjinës shqiptare të Gjergj Kastrioti – Skënderbeut

Moikom Zeqo

Dijetari më i madh shqiptar i shekullit XVII është padyshim Frang Bardhi. Mbas Marin Barletit ai është përfaqësuesi i dytë i madh i humanizmit shqiptar. Lindi në Kallmet të Zadrimës, pranë qytetit të Lezhës, ku siç dihet më 1444 Gjergj Kastriot Skënderbeu bëri Kuvendin e Besëlidhjeve së Princave Shqiptarë për të luftuar kundër turqve.

Vazhdoi studimet në kolegjin e Loretos në Itali, studime të cilat i nisi në vitin 1628 dhe i mbaroi në qershor të vitit 1633. Nga viti 1633 deri në 1635 Frang Bardhi ndoqi studimet më të larta në një kolegj të Romës. Gjatë kësaj kohe atij i lindi ideja për të bërë një fjalor dygjuhësh: latinisht dhe shqip.

Më 1635 Frang Bardhi e boton fjalorin. Fjalori përmban 5000 fjalë të përkthyera në shqip, si dhe disa shtojca në fund, kurse pjesa shqipe përmblodhi afro 2500 fjalë. Fjalori ka dhe 113 proverba e shprehje të shqipes si dhe emrat e toponimet e qyteteve shqiptare më të rëndësishme. Në parathënien e shkruar shqip për lexuesit Frang Bardhi ka theksuar se: “Në të errët dhe pak dritë vlen e kushton më shumë”. Ai e kish bërë të vetin parimin e humanizmit të kohës për shkrimin e gjuhëve amtare e se gjuha është “tipari i parë dallonjës i një kombi”.

***

Një vit më vonë, më 1636 brenda një kohe shumë të shkurtër prej afro 15 ditësh Frang Bardhi shkruan kryeveprën e tij “Apologjia e Skënderbeut”. Frang Bardhi në këtë libër bën një polemikë të ashpër e me argumente shkencore kundër Tomeo Markoviçit, një peshkop boshnjak i cili me anë të një librushke të tij i mohonte shqiptarësinë Skënderbeut, duke e quajtur si sllav.

Kundër këtij fallsifikimi, të cilin Frang Bardhi e quan “të kobshëm”, dijetari ynë mbështetet në faktet dhe dokumentet. Metoda shkencore në histori, që përdor Frang Bardhi është më e përparuara për kohën. Frang Bardhi thekson, se dy parime të mëdha kanë rëndësi për historikun “metoda dhe e vërteta”.

Apologjia e Skënderbeut është një vepër e shkëlqyer dhe e bën autorin të spikasë midis dijetarëve të tjerë të shquar të Europës. Këtë vepër Frangu e shkroi në moshën 30 vjeçare.

***

Në librin eseistik dhe historik “Apologjia e Skënderbeut” Frang Bardhi citon dhe aforizma poetike, emra poetësh, duke dëshmuar kulturën e tij letrare dhe poetike, klasike dhe humaniste. Që Bardhi ka qenë i njohur me hullitë poetike, këtë mund ta vërtetosh lehtë dhe qartë. Bardhi është i pari që na flet për një dukuri tejet interesante: për rimën, në një kohë që Eposi Mesjetar i Veriut, po edhe shekuj më pas De Rada te “Milosao” përdorin vargje të bardhë, dmth pa rimë.

Kur u fut rima në poezinë shqipe? Bonlow ka thënë në një studim të tij pretencioz, se janë shqiptarët, që për herë të parë kanë përdorur rimën në poezinë gojore në Evropë, duke u shpërndarë kjo shëmbëlltyrë edhe te popujt e tjerë.

Në “Fjalorin latinisht-epirotikisht” të Frang Bardhit në 1635 autori ka përfshirë edhe disa proverba të rimuara, pra është i pari që tregon se rima kishte hyrë tashmë në poezinë apo folklorin artistik shqiptar.

“Qysh ashtë gjykue, s’ka me mungue”. Ky proverb mund të kthehet në dy vargje të mirëfillta 6 rrokëshe.

Një tjetër shembull: “Kush s’asht i besuem, s’di me urdhnuem” Rimat janë foljore, por edhe mbiemrore.

Një shembull i tretë: “Shumë shtane (të shitra të qëlluara) e një të bame”. Në vend të rimës, kemi asonancën shtane – bane.

***

Në “Apologjinë e Skënderbeut” Frang Bardhi citon tri strofa të një poeti të shek. XV, Gjon Jakov Recinit, me sa duke me origjinë dalmatine. Ato janë marrë nga vepra e poetit e quajtur “Beteja e Herkulit me Skënderbeun”:

Skënderbeu epirotas fluturon,

me forcë të madhe si stuhi,

duelin e ashpër e fiton,

krenar, zemërfatos ai.

 

Kalin e papërmbajtshëm mban,

Skënderbeu i lindur nga Epiri,

Herkulin kundërshtar përballë,

e shigjeton me sytë prej ylli.

 

Ai parzmore prej lëkure ka,

shigjetë, shtizë e hark gjigand,

tek Herkuli i Tebës një topuz hata,

E hedh ai me furi që larg.

 

Gjon Jakov Recini bën një shtjellim të subjektit të ndërthurur me mitologjinë (Herkulin) dhe historinë (Skënderbeu). Për ta lartësuar këtë të fundit i krijon një skenë fantastike të duelit të Herkulit me Skënderben, duke e nxjerrë fitimtar këtë të fundit, pra më të madh dhe të fuqishëm se sa Herkulin. Historia kështu lartësohet më shumë se sa mitologjia.

A ka apoteozë më të bukur dhe fantastike për kryetrimin tonë? Frang Bardhi, duke i zgjedhur këto fragmente poetike, shpreh publikisht referencat dhe hobitë e tij për poezinë në përgjithësi, një shpirt poeti të vërtetë.

***

Në shtator të vitit 1636, ai vendoset në Zadrimë të Lezhës. Nga Zadrima ai shkruan disa letra dhe relacione të rëndësishme si ato me datë 7 shtator 1636, 8 shkurt 1637, 5 maj 1637, 28 maj 1637, qershor 1637, 19 prill 1641, etj.

Nga përmbajtja e këtyre letrave dhe relacioneve, mësojmë se Frang Bardhi është marrë edhe me përkthime nga gjuhët e huaja në shqip, përkthime, të cilat për fat të keq, deri më sot nuk janë gjetur nga dijetarët e interesuar rreth figurës së tij, për etnografinë dhe kulturën popullore vendase, si dhe për projektet rreth kryengritjeve kombëtare për liri nga Bardhi vetë.

Në 1643 në moshën 37 vjeçare pa pritur Frang Bardhi vdes, me sa duket nga malarja. Frang Bardhi nuk jetoi shumë, por ka patur një emër të madh dhe të ndritur. Ai qe një dijetar i shquar dhe i flaktë, sypatrembur dhe luftarak. Ai arriti një shkallë kulture të lartë për kohën dhe shkroi vepra të guximshme dhe me kopetencë.

Me këto vepra ai ka kontribuar në kulturën tonë kombëtare si një nga përfaqësuesit e saj më të mëdhenj në shekuj. Një bashkëkohës i tij ka shkruar për Frang Bardhin : « Le të krenohet Shqipëria dhe të gëzojë fisi i Bardhajve që i dha atdheut bij të denjtë».