Françesku: arrihet tek Zoti, duke njohur vetveten e duke jetuar për të tjerët

Në vëllimin “Të ndryshojmë!” botuar nga Solferino, reflektimi i Jorge Mario Bergoglio-s mbi përvojën e fesë së krishterë, që çon drejt dëgjimit të Zotit, kur nuk është e shtirur dhe kur dëshirat e zemrës zhvishen nga siguritë njerëzore.

R.SH. – Vatikan

Le të bëjmë një kthim mbrapa në kohën kur Papa Françesku ishte Jorge Mario Bergoglio, jezuit, epror i sivëllezërve të tij në Argjentinë e, të mendojmë për rrënjët e “vullnetit të tij për ndryshime”, që edhe tani, në kohë pandemie, ashtu si atëherë, ishin për të pikë referimi e fuqishme. Për këtë, kemi në dorë një libër me titull “Të ndryshojmë!”, publikuar nga Shtëpia Botuese Solferini. Doli sot në libraritë e Italisë, me një hyrje të shkruar nga drejtori i revistës së jezuitëve “La Civilta Cattolica” (Qytetërimi i dashurisë), atë Antonio Spadaro. Ai e paraqet librin si një vepër, që “na ndihmon të kuptojmë përvojën fetare dhe kriteret e veprimit të Papës së parë jezuit në historinë e Kishës”, por edhe “bindjen e Atit të Shenjtë për rëndësinë e utopisë, kuptuar jo si diçka abstrakte, por si forcë jetësore e vështrim drejt së ardhmes, duke u nisur nga realiteti”.

Dëshira

Por cilat janë pikat kryesore të reflektimit? Së pari, dëshira, që trajtohet në pjesën e parë e të dytë të vëllimit. “Çdo jetë – thotë Papa i sotëm në parathënien e shkruar ditën e Krishtlindjes së vitit 1987 – matet mbi bazën e aftësisë për t’u dhuruar. Pikërisht aty, shkon përtej vetvetes dhe bëhet e frytshme. Përkundrazi, jeta e vdekja në vetvete thonë mbyllje, paaftësi për të qenë të frytshëm. Pra, të mos jetosh e të mos vdesësh vetëm për vete është kushti për të shfrytëzuar çdo mundësi transhendence. Vetëm në këtë mënyrë, jeta është jetë e vërtetë dhe vdekja është vdekje e vërtetë”. Atë Spadaro shpjegon se ky është këndvështrimi i themeluesit të jezuitëve, shën Injacit të Lojolës. Edhe Papa i ardhshëm dëshiron një jetë, që s’mund të mos marrë parasysh zërin e Zotit në historinë e sotme.

Vetvetja e Zoti

Më pas, në pjesën e tretë, libri pasqyron udhën shpirtërore, që bëhet me ndihmën e Zotit. Jorge Mario Bergoglio përvijon formimin e novicëve. “Njeriu që shkon drejt Zotit – vëren ai – duhet të mësojë ta njohë vetveten dhe aspiratat e tij më intime. Duhet ta kërkojë Zotin në realitetin e tij e jo me maskë. Duhet të maturohet nga brenda, me skeletin e vet e të mos ia kërkojë forcën ndonjë armature të jashtme”. Mistika, për Papën e ardhshëm Françesku, nuk është kurrë abstrakte, por e lidhur me historinë personale të secilit. Prandaj, njohja e vetvetes dhe njohja e Zotit ecin paralelisht. Për eprorin e atëhershëm të jezuitëve argjentinas, të ndjekësh Krishtin do të thotë ta braktisësh krejtësisht veten në “duart e Atit Qiellor e, edhe të lejosh që Ai të të braktisë”, pasi kur duket sikur e ke “humbur” Hyjin, e gjen vërtet atë.

Të zhveshur nga vetvetja, në shërbim të Zotit

Në fillim të pjesës së katërt, Bergoglio thekson qartë: “Të krishterët ndahen në dy kategori: ata që qëndrojnë të fortë në fe e, ata që nuk qëndrojnë. Këta të fundit, joshen” nga gjërat e kësaj bote. Kjo pjesë titullohet “Fjalë Krishtlindjesh” e Papa ndalet mbi heshtjen, bashkësinë, dashurinë e qëndrueshmërinë, që paraprihet nga këmbëngulja për të ndjekur secili, thirrjen e vet. Bergoglio përvijon udhën e shpirtit, që i reziston joshjes së mirëqënies, kalon nëpër pabesi e pasiguri, për të gjetur paqen e identitetin personal e së fundi, edhe guximin për t’u bërë apostull në mision. Për këtë, Ati i Shenjtë ka nënvizuar gjithnjë se duhet zbrazur zemra, duhet provuar shqetësimi e ankthi i saj kur i lë dyert e hapura, deri sa Zoti të hyjë vërtet në të. Kjo është edhe udha e jezuitëve, përvijuar në pjesën e fundit të librit. Meditimi, që mbyll librin, përqendrohet mbi koceptin e “Hirit hyjnor”, ndërthurur me lutjen, durimin, pendesën e bartjen e kryqit. “Është mirënjohja, që e rrënjos hirin në ne – shkruan Bergoglio. – Nëse zemra nuk ushqehet me mirënjohje, shpresa ndryshon shenjë: jo më një ndjenjë falenderimi për dhuratat e dorë e shtrirë për dhurata të tjera, por nxitim mosmirënjohës, që refuzon çdo gjë, sepse i duket pak”.