Fox News-Tucker Carlson: Nëse duam të fshijmë të kaluarën, duhet të presim pasojat

Diçka që Presidenti Trump tha të martën meriton më tepër vëmendje nga sa do të tërheqë në të vërtetë. Të hënën, një turmë njerëzish rrëzuan memorialin e një ushtari të luftës civile në Durham të Karolinës së Veriut. Policia bënte sehjir, ndërsa liberalët në të gjithë vendin e duartrokitën. “Cilat statuja e kanë radhën?”, pyeti Presidenti. George Washington, Thomas Jefferson?

Nuk është shaka. Befas, është një pyetja serioze. Thomas Jefferson ishte pa diskutim një njeri i madh. Ai ishte autori i Deklaratës së Pavarësisë. Themelues i Universitetit të Virginias dhe ndoshta mendimtari më i madh në historinë politike të Amerikës. Të gjithë ne jetojmë nën hijen e tij. Megjithatë, për fat të keq, Jefferson ishte edhe pronar skllevërish. Kjo është e vërtetë. Është një njollë morale. Duhet ta kemi parasysh. Por për fanatikët e majtë kjo nënkupton që ai duhet të zhduket përgjithmonë nga kujtesa e publikut. Tashmë kanë nisur kërkesat për këtë.

Më 2015, studentët e Universitetit të Missourit kërkuan heqjen e statujës së Jeffersonit. Dy vjet më parë, në CNN, prezantuesi Ashleigh Banfield sugjeroi që Memoriali i Jeffersonit në Washington duhej hequr. E kotë të thuhet që nuk ekzistojnë më kufij, me plot kuptimin e fjalës, kur nis të mendosh në këtë mënyrë. Vitin e kaluar, qindra aktiviztë në New York kërkuan heqjen e statujës së Theodore Roosevelt në American National History Museum. Ata thoshin se Roosevelt ishte racist.Ky është standardi. Askush nuk është i sigurt. Kujdes Abraham Lincoln. Ti e ke radhën.

Tani, për të qenë të qartë, sikur të jetë e nevojshme, skllavëria është e keqe. Nëse beson në të drejtat e individit, zor se gjen gjë më të keqe se skllavëria. Por le të jemi të sinqertë. Deri 150 vjet më parë, kur një grup amerikanësh trima luftuan e vdiqën për t’i dhënë fund, skllavëria ishte norma dhe jo përjashtimi, kudo në botë. Dhe, për fat të keq, ka qenë për mijëra vjet. Platoni kishte skllevër, kështu edhe Muhamedi, paqja qoftë me të.

Shumë fise afrikane kishin skllevër dhe i shisnin. Edhe Aztekët. Para se të çlironte Amerikën Latine, edhe Simon Bolivari ishte pronar skllevërish. Skllavopronaria ishte kaq e rëndomtë midis indianëve të Amerikës së Veriut sa që Cherokee-t i morën me vete edhe në Rrugën e Lotëve (largimi me forcë i indianëve të Amerikës në kohën e presidentit Andrew Jackson nga tokat e tyre në një zonë në perëndim të lumit Mississippi). Dhe nuk ishte diçka që e mësuan nga kolonizatorët evropianë. Indianët kishin dhe tregtonin skllevër kur Kristofor Kolombi zbuloi Amerikën. Me që ra fjala, edhe ai kishte skllevër.

Asnjë nga këtë nuk është për të mbrojtur mizoritë e skllavërisë. Dhe mizori ishin vërtet.

 

Ajo që dua të them është që nëse ne do të gjykojmë të shkuarën nga standardet e sotme, nëse do ta reduktonim jetën e një njeriu në të vetmen gjë të keqe ku ka marrë pjesë, bëjmë mirë të përgatitemi për pasojat. Dhe ja pse: 41 nga 56 burrat që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë ishin pronarë skllevërish.

James Madison, babai i Kushtetutës, kishte një plantacion plot me skllevër. Edhe George Mason, babai i Kartës së të Drejtave, për fat të keq kishte skllevër. Por a e bën kjo gjë të paligjshme atë që ata shkruan?

Nëse këta burra ishin thjesht racistë të poshtër dhe vetëm kaq, atëherë edhe shoqëria që ata krijuan është po aq e keqe sa ata. Nuk ka arsye të respektojmë traditat e saj apo t’u bindemi ligjeve të saj. Amendamenti i Parë, për shembull, e drejta për të folur lirisht, Amerika mburret me të prej qindra vjetësh. Tani, të majtët e hedhin poshtë si veprinë e skllavopronarëve supremacistë të bardhë. Është pa vlerë, na thonë. Duhet të hiqet. Tani është bërë rutinë të dëgjosh liberalët tek thonë që fjala e urrejtjes, çfarëdo që të jetë kjo, nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë. Ndonëse, sigurisht, i gjithë synimi i Amendamentit të Parë ishte mbrojtja e fjalëve që ofendojnë të tjerët. Është një deklaratë injorance shokuese e megjithatë është bërë gjë e zakonshme.

Chris Cuomo i CNN e ka thënë. Ai supozohet të jetë jurist. Në Pomona College në Kaliforni, studentët pretendojnë se fjala e lirë është “një mjet i përdorur nga institucionet hegjemonike”. Se çfarë kuptimi ka! Ata thonë se e drejta e të shprehurit lirisht duhet të aplikohet vetëm nga disa grupe racialë. Por ky nuk quhet racizëm, sepse ju e dini që nuk ka racizëm tek e majta. Aty ka vetëm njerëz të sinqertë që bëhen merak për urrejtjen. Aktualisht po zhvillohet një debat i vërtet në të gjithë vendin. Dhe nuk është për statujat apo për antifashistët e së majtës ekstreme, është për institucionet amerikane dhe nëse ato ia vlejnë të ruhen. Radikalët e majtë duan të shembin gjithçka, siç bënë me statujën në Durham të martën.

Barazi para ligjit. Mbrojtje e individit kundër turmës. E drejta absolute për të thënë e besuar gjithçka që zgjedh. Këto do të ikin. Të zëvendësuara nga diçka më e errët dhe konformiste më strikte. Ky është vendi ku doni të jetoni? Nëse jo, tani është koha për të folur. Elitat po refuzojnë ta bëjnë. Ato kanë shumë frikë.