Forumi i Davosit e Centesimus Annus: më tepër vëmendje për njeriun dhe ambientin

Për ekonomistin Giovanni Marseguerra, koordinator i komitetit shkencor të Fondacionit “Centesimus Annus”: “duhet të promovojmë gradualisht një tranzicion ekologjik, përmes investimeve. Evropa duhet të rishikojë parametrat, që e kanë udhëhequr politikën e saj ekonomike deri tani”.

R.SH. – Vatikan

Filloi sot Forumi i Davosit, në të cilin, deri më 24 janar, do të konfrontohen për çështje ekonomike krerët e shteteve dhe të qeverive, financues, industrialistë dhe ekonomistë. Drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, deklaroi se “të gjithë duhet të reagojnë ndaj ndryshimit të klimës. Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të promovojë politika fiskale, që mbështesin ekonomitë me emetim zero në atmosferë, duke identifikuar edhe rreziqet, që lidhen me klimën, në sektorin financiar”. Për presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, i cili foli sot paradite, “Amerika po fiton përsëri, si kurrë më parë. Ne po mundohemi të krijojmë një ekonomi më gjithëpërfshirëse”. E në mesazhin e tij për Forumin, Papa Françesku bëri thirrje për kapërcimin e individualizmit e për detyrimin moral të kujdesit për njëri-tjetrin.

Ekonomisti italian Giovanni Marseguerra, koordinator i komitetit shkencor të Fondacionit “Centesimus Annus”, nënvizon, në mikrofonin tonë, se “aktualisht, ekonomia është përfshirë nga një shndërrim i thellë. Tema e qëndrimit ndaj ambientit dhe njeriut është bërë thelbësore, edhe si pasojë e enciklikës themelore të Papës Françesku “Laudato si’”. Tani duhet të jemi në gjendje ta ndryshojmë këtë kapitalizëm global, që promovon përjashtimin dhe mënjanimin, me parime më të vëmendshme ndaj njeriut dhe ambientit”. Ekonomia aktuale bazohet në rritjen e  vazhdueshme të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Brut). I kërkuam profesorit një koment mbi këtë e mbi faktin se edhe pabarazitë në nivel botëror vijojnë të rriten.

Fatkeqësisht po dalim nga një periudhë, në të cilën miti i rritjes së PBB-së u shoqërua simetrikisht nga miti i konsumit. Duhej të konsumonim, të konsumonim, pra, të prodhonim e të prodhonim. Mirëqenia është tjetër gjë; studimet e fundit e kanë treguar këtë. Sigurisht, pajtimi i qëndrueshmërisë me këtë model ekonomik është shumë i vështirë konkretisht. Duhet të promovohet gradualisht një tranzicion ekologjik, ose më saktë, një transformim i sistemit të prodhimit, që e ka parasysh më tepër qëndrueshmërinë. Nevojitet kohë, nevojiten shumë përpjekje dhe sjellje të ndryshme nga ana e secilit prej nesh.

Profesor, ç’rol shihni për Evropën, vendet e së cilës duhet të respektojnë të gjitha parametrat e Maastricht-it, së paku, deri tani. Por, këto parametra ka rrezik të mos krijojnë mirëqënie e sidomos, të pengojnë investimet publike…

Duhen shumë para për të bërë një tranzicion ekologjik të drejtë, sepse duhet të kemi kujdes në ruajtjen e ambientit, por duhet të mbrojmë edhe të drejtat e njerëzve, të shohim aspektet shoqërore, përndryshe tranzicioni ekologjik mund të na kushtojë tepër nga pikpamja njerëzore dhe personale. Prandaj, Evropa duhet absolutisht t’i shikojë në mënyrë më kritike parametrat, që kanë udhëhequr politikën e saj ekonomike deri tani, duke favorizuar investimet, ato që krijojnë tranzicion ekologjik, por edhe duke marrë parasysh vështirësitë, me të cilat do të ndeshen, sidomos më të varfrit, gjatë viteve në vijim.

Në Fondacionin “Centesimus Annus” është folur shpesh për të ashtuquajturit Eurobond. Sipas jush, a vazhdon ky projekt në nivelin evropian apo është braktisur e, sidomos, për çfarë do të shërbenin këta Eurobond?

Do të shërbenin shumë, por nuk e di nëse ka shpresë për t’i miratuar në nivelin evropian. Do të ishin shumë të dobishëm, sepse në këtë çast, duhen investime, investime të financuara. Është paradoksale që në fund të një dekade pas furnizimit të jashtëzakonshëm me para likuiditeti nga të gjitha bankat qendrore, mungojnë pikërisht burimet financiare, që do të duheshin për investime të qëndrueshme. Eurobondet janë një nga zgjidhjet për këtë problem. Fatkeqësisht, vullneti politik evropian është mjaft i dobët.