Fjalimi i Presidentit Donald Trump në Festën e Madhe të Boy Scouts të hënën që i ka vënë fëmijët në rrugën e duhur

Nga James Bovard

Shumë nga media u shokuan dhe tmerruan nga fjalimi i Presidentit Donald Trump në Festën e Madhe të Boy Scouts të hënën. Shumë komentatorë po flasin sikur ligjërata e bujshme e Trumpit t’i ketë ekspozuar fëmijët e mitur para pornografisë politike. Në vend që të fliste kundër Hillaru Clinton dhe të mburrej për fitoren në zgjedhjet e vitit të kaluar, Trump duhej të kishte mbajtur fjalimin e zakonshëm për “sistemin tonë të mrekullueshëm politik”.

Disa njerëz nuk kanë për t’ia falur kurrë Trumpit që u tha Skautëve se Uashingtoni është “kanal ujërash të zeza”. Në të vërtetë, ky mesazh mund të jetë një antidotë për shumë nga gjërat që dëgjojnë skautët. Fjalimi i Trumpit, për aq sa nxit dyshime rreth autoritetit politik, mund të jetë shumë më tepër i shëndetshëm se fjalimet e presidentëve të mëparshëm në Festë.

Kur kam qenë në Festën e Skautëve në Idaho më 1969, Presidenti Richard Nixon na dërgoi një mesazh lavdërimi për idealizmin tonë. Por lloji i idealizmit që Nixon dhe Skautët shpesh glorifikonin kishte më tepër gjasa të prodhonte servilizëm se sa liri. Para se të pranohesha në radhët e Festës, u mora në pyetje nga liderë të rritur Skautësh në një qytet pranë timit. Pyetja më e paharrueshme ishte: “Çfarë mendon për situatën në Vietnam?”. Edhe 12-vjeçarët duhej të mbroheshin nga tendencat disidente.

Festa e Idahos u zhvillua një muaj para festivalit muzikor të Woodstockut. Në vend të mijëra njerëzve që thërrisnin slogane kundër luftës, Festa ekzaltoi ushtarakët në të gjitha format. Në vend të mijëra hipive gjysmë të zhveshur, Skautët mbroheshin nga “policë me uniformë” që siguroheshin që çdo djalë të kishte veshur shallin e duhur gjatë gjithë kohës. Në vend të Joan Baez që këndonte “We Shall Overcome” (Do ta kapërcejmë), Skautët dëgjonin “Up with People”, një grup me 125 anëtarë i krijuar si antidotë ndaj “trazirave studentore dhe ankesave për Amerikën”.

Motoja e Festës 1969 ishte “Ndërtojmë për të shërbyer”. Më vonë vrisja mendjen: T’i shërbejmë kujt? Festa i ngrinte të gjithë qeveritarët në piedestal, duke filluar me Sekretarin e Shëndetit, Arsimit dhe Mirëqenies, Peter Finch, për të vazhduar me këdo që kishte një titull qeveritar me tre fjalë.

Pas udhëtimit në Idaho, u angazhova me Skautët mjaftueshëm gjatë sa të merrja rangun e Shqiponjës. Tesera zyrtare e Eagle Scout kishte edhe firmën e Nixonit si “president nderi” i Boy Scouts të Amerikës. Skautët e nderuan Nixonin me çmimin e tyre më të lartë, Bualli i Argjendtë, në të njëjtën kohë që ndihmësit e tij nisën operacionet e fshehta që u zbuluan më pas si skandali i Watergate.

Skautingu ka ndihmuar miliona djem të forcohen. Por në të njëjtën kohë ka inkurajuar shpesh bindjen e verbër ndaj çdo autoriteti.

Kur Presidenti Lyndon Johnson iu drejtua Festës së Skautëve më 1964, ai deklaroi se “fytyrat e qeshura dhe optimistë të skautëve do të më japin fuqinë e duhur në orët që kaloj tek përpiqem të udhëheq këtë vend të madh”. Johnson u tha djemve edhe se nuk duhej të kishin frikë nga qeveria. Por Festa nuk e ndaloi që të niste gjysmë milioni trupa në Vietnam, ku edhe shumë nga djemtë që dëgjuan fjalimin e tij frymëzues atë ditë vdiqën në një luftë për të cilën Johnson vazhdoi të mashtronte publikun amerikan.

Zonja e Parë Nancy Reagan mbajti fjalimin më 1985 (Presidenti Reagan ishte në periudhë rikuperimi pas operacionit) dhe u tha djemve  se “askush nuk mund të përdorë drogë dhe të mbetet boyscout i vërtetë. Skautët mund të ndihmojnë në shpëtimin e brezit të tyre nga droga”. Lufta kundër drogës që nisi Reagan i ktheu qytetet në zona lufte dhe dërgoi miliona amerikanë në burgje.

Presidenti Bill Clinton foli më 1997 dhe u mallëngjye për nevojën për të shërbyer dhe bërë “kthesën e duhur”, një formulë e sigurt për një president të mbytur nga skandalet. Clinton e mbylli me “Amerika është e madhe sepse Amerika është e mirë”, një slogan i brohoritur gjithmonë nga ekspertët që nuk bëjnë asgjë.

George W. Bush foli më 2005 si zakonisht për luftën kundër terrorizmit, ndërkohë që administrat e tij prej kohësh kishte shkelur mbrojtjen e privatësisë, sanksionuar në Kushtetutë, dhe fshehurazi përkrahte torturën si kyç për fitoren e së mirës kundër të keqes.

Në mënyrë kontradiktore, pas fjalimit të Trumpit, shumë majtistë i krahasuan Boy Scoutët me rininë hitleriane. Por është jokorrekte për djemtë e rinj që dëgjuan fjalimin e Trumpit të supozosh se ata do të bëhen Trumpistë pa tru – apo qoftë edhe Republikanë – në vazhdimësi. Përkundrazi, fjala e Trumpit mund t’i ketë kthyer disa nga të pranishmit në dyshues për çdo politikan, një korrigjim i mirëpritur në premtimet pa fund të Skautëve për bindje.

Marrë nga USA Today – Përgatiti: SYRI.net