Fjala e Skëndërbeut në Kuvendin e Lezhës

Etër dhe princër fort të nderuar, dhëntë Zoti e pushofshin të krishterët tanë së besuari dhe më në fund një farë neverie na majttë ne larg besës otomane, ose, më drejt, larg pabesisë së tyne mëse kartagjenase. Dhe unë sot sigurisht nuk do të turbulloj qetësinë e atdheut, si një iniciator, ndoshta i urryer i një lufte të re, dhe nuk do t’ju shtyja ju me ngut në këto vështirësi e rreziqe të luftës  për interesa të larta, sikur Gjon Kastrioti, babai im i dëgjuar, e nga ana tjetër një princ shumë i urtë, të mos i kishte zënë aq fort nesë këtij Murati të pabesë, kur nën preteksin e paqes, arriti ti merrte rob e peng për siguri të bijtë. Por çtë qahesh më tej për prindin tim? Ky është një gabim i përgjithshëm, një fat i përbashkët i të gjithë princërve të krishterë. Ç’të them për fuqinë e grekëve, të misëve dhe pastaj të princërve të tjerë të krishterë? Të gjithë këta s’ka dyshim që i zhduku një besim i tillë i tepruar  dhe tani su ka mbetur asgjë nga otomani i pabesë, veçse mundësia për tu penduar.

Prandaj nuk mbetet asgjë, o etër të këtij kuvendi…

Por ja, do të thoshte kush, shumë gjëra otomani i ka shtënë në dorë edhe me trimëri. Krahina të panumërta dhe mbretëri të shumta i ka vënë nën zgjedhë në ditët tona me anë të armëve, e do të numëronte fitoret e pambaruara të tij: Hyri krenar në Azi, i ra jo një herë anë e mbanë Greqisë dhe pa derdhë pikën e gjakut u fut kaq herë në Misi. Pra, mos kujtoni vallë se ai e paska aq të lehtë të godasë Arbërinë e pamposhtur, Epirin e pathyeshëm. Arbrin, Epirin, ku gjithë këto kapedanë, gjithë këto princër të pathyeshëm, gjitë këto popuj fort luftarakë janë në vlug të fuqisë me armë në dorë, e të bashkuar! Dhe me të vërtetë, se sa e çmojnë barbarët dhe se sa e llogarisin trimërinë tuaj, për këtë dëshminë më të sigurtë mund ta keni nga unë, që kam kaluar shumë vjet me ta në paqe e në fushë. Me pahirë e me përdhunë i bindin nevojës për të luftuar kundër jush…

Por ndërsa dëshira ime për të folur dhe arsyeja e një pikëdhimi të përligjur po më shtyjnë që të zgjatem, unë po e them hapur se do të ket shumë nga ata që janë mësuar për një kohë kaq të gjatë me paqen, megjithëse jo krejt të ndershme, dhe prandaj mund të hidhërohen ngaqë nuk i ftoj tani për këto luftëra të vështiradhe mund të thonë se, sido që të marrë puna e fatit, asgjë s’mund të kryhet pa gjakun e tyre. Do të pikëllohen gjithashtu nënat, që do të duhet të dërgojnë bijtë në luftra të rrezikshme, do të vajtojnë gratë; të shqetësuara për fatin e burrave, dhe fëmijët e vegjël, të lënë në shtëpi, nga frika se mos mbeten jetimë. E ndoshta të gjithë do të më quajnë gjakatar, gjë që tmerrohem kur e mendoj e do të më mallkojnë si një shkaktar të papritur luftrash të rrezikshme dhe të gjakshme…

… Vetë përfundimi i luftës si një gjykatës i drejtë, do të tregojë për së shpejti në është bërë çdo gjë mirë apo keq. Vetëm për një gjë do të guxoj unë t’ju zotohem juve të gjithëve, se në të gjitha punët e mundimshme që do të na duhet të hyjmë, në të gjithë rreziqet që do të jetë nevoja të përballojmë, mua do të më keni ushtar apo kapedan me durim të pathyer. Çshtjes suaj e të krishtërimit unë s’kam për ti munguar as ditë as natë, asnjëherë…

Por sido që të ndoshë në këtë mes, ne të paktën s’këmi për tu penduar për qëllimet tona, sepse unë gjatë gjithë asaj kohe që jetova me armikun, ia mësova dhe ia di shumë mirë lëkurën, dhelpëritë, mashtrimet e gjithë zakonet me radhë, gjë e cila është shumë e rëndësishme në punët e luftës…

( Në këtë luftë) do të kemi me vete senatin dhe popullin e Venedikut, të vetmen shtyllë të fesë së krishtere, më të fuqishme sot në det e në tokë, që mund t’i krahasojë më triumfet e veta me gjithë triumfet që mbahen mend në historinë njerëzore dhe që mund të matet me të tjerë për çfarëdo lloj lavdie…

…Fjala që ka marrë dhenë dhe thëniet e të gjithëve pohojnë se një ushtri shumë e madhe po gaditet pareshtur kundër nesh e me energji nga më të mëdhatë që mund të bëhen. Prandaj i duhet dhënë fund çdo vonese, o etër të kuvendit, duhet lënë mënjanë këto këshillime tona, për të cilat nevojat e luftës s’kanë kohë të presin. Duhet ti bien anë e mbanë gjithë vendit, duhet të shpallet vendimi, duhet numëruar kokë për kokë njerëzit, të shkruhen pa humbur kohë ushtarët, me qëllim që të mos i kërkojmë mënyrat e luftës, kur të jetë vonë, atëherë kur të kemi armikun përpara dhe kur buçima e borive për të thirrur ushtarët të na shurdhojë veshët.

Ngrihuni pra o etër të pathyeshëm, tregohuni, më në fund, me ndihmën e perëndive, të denjë për sundimi e krishterë para gjithë brezave që do të vijnë këndej e tutje. Falenderimet nga unë për mirësinë e sotme, pritni të armatosur, me përkrenare në krye, para flamujve, në djersë, në pluhur, dhe do ti keni sipas ndihmave që do të jepni për luftën…

Pjesë nga fjala e Skënderbeut në Kuvendin e princërve të Arbrit.

“Historia e Skënderbeut”, Marin Barleti, f.122-129