Fishkëllima e së keqes!

Nga Arian Galdini

Nuk ka më keq sesa kur një qytetar, një popull, hesht kur e keqja shpaloset me plotësinë e arrogancës, poshtërsisë, fëlligështisë dhe padrejtësisë së saj. Heshtja në këtë rast është vetë e keqja. Në raste e kohë të tilla, kur nuk flet, në fakt flet, e kur nuk vepron në fakt vepron…
Duke qenë se ne shqiptarët ku bëj pjesë pa asnjë dyshim edhe unë, jemi kthyer në një popull që ankimimet dhe shqetësimet i shprehim me bollëk dhe plot pathos e ‘pastërti’ vetëm nëpër kafene, qoshe, blogje dhe facebook; Duke qenë se ne shqiptarët jemi kthyer në blogista dhe facebook-ista të paparë, apo kafetarista a qosheista që i kërkojmë llogari gjithkujt, shajmë gjithkënd, ankohemi për këdo, e gjejmë fajin, të keqen dhe problemin gjithmonë tek të tjerët, gjithmonë jashtë vetes; Duke qenë se ne shqiptarët presim nga ‘frëngjitë e kotësisë’ me pushkët tona të baltës, paragjykimit, sharjes, dyshimit, mosbesimit, skepticizmit, shpifjes, dekurajimit dhe shpërfilljes këdo që përpiqet të thotë, shkruajë, veprojë apo bëjë diçka; Duke qenë se ne shqiptarët nuk zgjedhim asnjëherë të ndjekim të dobëtin, që është i tillë ngase është i ndershëm, i zoti dhe me integritet, por na pëlqen të ndjekim të fortin që shkëlqen nga foltorja e Partisë apo Pushtetit, nga ndriçimi i studiove televizive apo luksi i veshjes dhe makinës; Duke qenë se ne braktisim të mirin ngase e shohim të barabartë, braktisim të ndershmin ngase e shohim të pafrytshëm, braktisim të talentuarin ngase e shohim si problematik, vrasim kreativitetin ngase na prishet status quo-ja; Duke qenë se ne nga frika ndjekim të fortin, nga padija i japim fuqi batakçiut, nga skuthëria i shkojmë pas hajdutit; Ja ku e kam një histori që shpresoj e uroj se duhet të na buçasë mu në timpanët e ndërgjegjes, nëse mundemi.
Kjo histori është për të gjithë ata që shfryjnë e bëjnë ‘tautologjira pellazgjike’, kot së koti në facebook, për gjithçka ndodh në vendin tonë, por që nuk kërkojnë dhe luftojnë për përgjigje në përballjen reale. Kjo histori është për të gjithë ata që broçkollisin pafund nëpër blogje, facebook, kafenera e qoshe, duke u ndjerë ‘burra e gra, djem e vajza shumë të mirë’ meqë shfryjnë gjëra të mira virtualisht apo kafeneikisht, por nuk bëjnë asgjë kur rreth nesh fishkëllen treni i së keqes që përcjell cdo ditë drejt fëlligështisë viktimat e rradhës, qofshin këta njerëz, ligje apo institucione, shpresë, moral, drejtësi apo besim.
Sa më shumë fishkëllen treni i së keqes pranë apo rreth nesh, aq më shumë e ngremë zërin si moralista e pastërtorë të mëdhenj, ne ‘të mirët’ e blogjeve, facebookut, kafeneve apo qosheve.
Shpresoj të keni durim ta lexoni. Sidomos shpresoj të keni guxim ka kuptoni. E shpresoj të gjeni forcën ta ktheni në sfidë ndaj vetes, e paskëtaj ta kthejmë në sfidë ndaj njëri-tjetrit:

Kjo është një histori e shkurtër shkëputur nga libri i një autori Gjerman: ‘Kur një Komb harron Zotin’, i cili rikujton trenat plot me hebrej të cilët bënin udhën e tyre të përditshme drejt kampeve të vdekjes e kalonin para Kishës ku mbidheshin besimtarë të krishterë çdo të dielë, përfshirë edhe autorin e librit, gjatë periudhës së Holokaustit.
‘Ulerimat e tyre na torturonin ne – shkruan autori – por ç’mund të bënim ne për ta ndalur këtë.. Ne e dinim orën kur treni do të kalonte pranë Kishës sonë, ndaj sapo dëgjonim fishkëllimën e trenit, ne fillonim të këndonim himne ndaj Zotit. E ndërsa treni kalonte pranë Kishës sonë, ne ngrinim zërat e këndonim me sa kishim fuqi deri në kupë të qiellit.
Nëse ulërimat e hebrejve, ende dëgjoheshin, ne vazhdonim ta ngrinim akoma edhe më fortë zërin teksa këndonim. E ngrinim aq shumë zërin, saqë filluam të mos i dëgjonim më ulërimat e hebrejve në trenin që po i çonte drejt vdekjes.
Vitet kaluan, e askush prej nesh nuk flet për këtë gjë më. Por unë ende e dëgjoj fishkëllimën e trenit në veshët e mij të ndërgjegjes ndërsa fle. Zot më fal. Zot më fal që as unë, e askush tjetër nga ne, nuk bëmë asgjë për të ndërhyrë që ta ndalnim atë marrëzi..’
Paralelizmi që kam unë në mendje me këtë histori është i thjeshtë dhe i qartë. Dhjetra skandale me korupsion, plaçkitje, dëmtim a humbje jetësh njerëzore në vendin tonë. Debate të pafundme, lodhëse deri në rraskapitje, televizive e kuvendore për krimin që ka mbërthyer Kuvendin, Partitë dhe Institucionet. Gjithçka ndodh, të gjithë ankohemi, asgjë nuk ndryshon. Atëherë çdo të bëjmë ne? Do të vazhdojmë të ngremë nivelin e shfryrjes dhe zërin e ankimimit nga frëngjitë e kotësisë, nga blogjet apo facebooku, nga kafenetë apo qoshetë, për tu ndjerë vetë të mire, të drejtë e të pastër, e për të mos dëgjuar fishkëllimën e trenit të së keqes që po na kalon përkarshi jetëve tona, e çon drejt humbjes a vdekjes viktima që ulërasin?
Çdo ditë e keqja kalon karshi nesh. Çdo ditë e keqja na rrethon e na fiton më shumë terren më shumë hapësira, më shumë numra. Çdo ditë treni i së keqes fishkëllen. Çdo ditë ka njerëz që janë viktima, ka institucione që janë viktima. Atëherë, do e lejojmë edhe më, këtë gjë?
A nuk ka ardhur vallë ende dita që të vendosim sot, jo neser, por sot, që të jemi kurajozë e dinjitozë? Nuk do tia bëjmë vetes sot pyetjen: Nëse jo unë, atëherë kush? Nese jo sot, atëherë kur?
Nëse do të heshtim a nëse do të mjaftohemi veç me ngritjen e ankimimeve nëpër blogje, facebook e kafene, fishkëllimën e trenit, kemi për ta pasur gjithmonë në ndërgjegjen tonë.
Arian Galdini