Figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut në disa vepra në gjuhën angleze

Prof. Dr. Refik Kadija

Figura e Skënderbeut është trajtuar në gjuhën angleze nga një numër autorësh anglofonë si Edmund Spenser, William Havard, George Lillo, Thomas Wincop, Benjamin Disrael, Clement Clark Moore, H. Longfellow, Agnes Repplier, Lord Byron, etj. Por unë dëshiroj të veçoj këtu  një shkrimtar kanadez, Charles Ewert (Çarlz Juërt), lindur në Saskatchewan të Kanadasë më 1948 dhe banues në Newcastle të Ontarios, i cili më 1981 botoi romanin “SCANDERBEG – Eagle of Albania” për të cilin ai shkruan:

      Eshtë e padiskutueshme që një libër është po aq një dhuratë për autorin sa është dhe për lexuesin. Për dhuratën që më dha “Skënderbeu” i jam shumë mirënjohës. Gjurmimet e mia për historinë e Skënderbeut dhe të popullit shqiptar kanë qenë jo vetëm dritëdhënëse por dhe thellëisht emocionuese. Në personalitetin e Skënderbeut i gjeta ata elementë të humanitetit dhe të shpirtit njerëzor që mund të shërbejnë si drita udhërrëfyese  për çfarëdo kulture e qytetërimi. Këtu gjeta një njeri të cilit iu dha shumë, nga i cili u prit shumë dhe nga i cili u muar shumë. Guximi i tij, autoriteti komandues dhe dëshira e rrënjosur thellë për t’i vënë në shërbim aftësitë e tij ishin gjithmonë të veshura me një modesti të veçantë, e cila e ushqen jetën njerëzore me një gatishmëri për të marrë e për të pranuar pushtetin e Zotit”.

Trajtimi i temës mbi bëmat e jetën e Skënderbeut meriton me të drejtë një vëmendje të veçantë.

Në qoftë se para 50 vitesh, në kumtesat e mbajtura në Konferencën Ndërkombëtare organizuar në Tiranë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut më 1968), përmenden vetëm 10 autorë anglezë e amerikanë  që trajtuan figurën e Skënderbeut, mund të themi se tani ekzistojnë të paktën 31 vepra historike dhe letrare (7 poema, 3-4 drama, 3 romane, etj.) të botuara në gjuhën angleze deri më sot.

Mendohet, me mjaft siguri, se publiku letrar anglez është njohur me motivet shqiptare, sidomos me bëmat e Skenderbeut, që nga koha e Mbretëreshës Elizabeta I dhe e U. Shekspirit. Botuesi më i famshëm i periudhës elizabetiane Uilljam Ponsonbi, i cili vdiq më 1604, vetëm një vit pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeta I, ishte botuesi i veprave të Edmund Spenserit dhe Filip Sidneit. Më 1596 ai botoi veprën e famëshme “Historia e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut” të Marin Barletit të përkthyer në anglisht nga Zachary Jones Gentleman, të shoqëruar si kushtim nga tre sonete, njeri prej të cilëve është soneti i Spenserit për Skenderbeun. Mund të themi se soneti i Edmund Spenserit është krijimi i parë letrar për figurën e Skenderbeut në letërsinë angleze. Dhe kjo për dy arësye: Së pari, soneti i Spenserit u kompozua më parë se përkthimi dhe u botua më 12 tetor 1593; pastaj u përdor si epigraf për përkthimin e Gentleman-it. Së dyti, ai sonet është krijim i mirëfilltë i letësisë artistike angleze, dhe jo një krijim poetik nga ndonje poet çfarëdo, por nga njëri prej poetëve anglezë më të mëdhenj të të gjitha kohrave. Ndërkohë, libri i Gentleman-it është përkthim në anglisht i një vepre historike.

Përkthyesi anglez Zachary Jones Gentleman mori variantin e famshëm frëngjisht të historisë së Skënderbeut të Marin Barletit, të botuar në Paris më 1576 dhe të përkthyer nga origjinali latinisht nga Baroni Jacques de Lavardin,[1] dhe e ktheu në gjuhën e popullit të vet, më 1596 – 20 vjet pas përkthimit frëngjisht, me titullin Historie of George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albinie; containing his Famous Actes, his Noble Deedes of Armes and Memorable Victories against the Turkes for the Faith of Christ (Historia e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, Mbret i Albainisë, e cila përmban bëmat e tij të famshme, veprat e tij fisnike ushtarake dhe fitoret e tij të paharrueshme kundër turqve për fenë e Krishtit).

Studiuesi Franklin B. Williams, Jr., në studimin e tij “Spenseri, Shakspeare-i dhe Zachary Jones-i”, argumenton se përkthyesi Zachary Jones Gentleman dhe William Shakespeare janë njohur dhe kanë pasur kontakte me njeri-tjetrin [Spenser, Shakespeare, and Zachary Jones, by Franklin B. Williams, Jr. Shakespeare Quarterly, Vol. 19, No. 3 (Summer, 1968), pp. 205-212 (artikulli ka 8 faqe) © 1968, Folger Shakespeare Library].

Zachary Jones-i ishte bashkëkohës i Spenserit në Kembrixh dhe ia kushtoi veprën e përkthyer Scanderbeg kunatit të Spenserit, Sir George Carey (1547 –  1603), babai i të cilit ishte kushëri i parë i Mbretëreshës Elizabeta I. Në korrik 1596, kur i vdiq i ati, George-i  u  bë Baron Hunsdoni i dytë dhe pastaj “Lord Chamberlain”. Më 1597 iu dha titulli Kalorës i Garterit dhe shfaqja e parë e komedisë së Shekspirit Gratë Gazmore të Uindsorit u dha për të kremtuar këtë rast. Si babai i tij Henry ashtu dhe vetë George Carey ishin “patronët” – mbrojtësit zyrtarë të kompanisë teatrore të Shekspirit të njohur si “Lord Chamberlain’s Men”. George-i u martua me Elizabeth Spenser-in, kushërirën e poetit Edmund Spenser dhe patën një vajzë, gjithashtu të quajtur Elizabeth.

[1] Poeti më i madh i “Plejadës” (Rilindjes Franceze) Pierre de Ronsard (1524-1585), i mbiquajtur “Princi i Poetëve”, shkroi në vend të parathënies një sonet kushtuar Zhak de Lavardinit, në të cilin e portretizon  Skënderbeun si më poshtë (cituar nga libri i shqiptaro-francezit Aleksandër Zoto, Ed., Anthologie de la prose albanaise. Fayard, 1984):

[…] Et Scanderbeg, haineux du peuple Scythien
Qui de toute l’Asie a chassé l’Evangile.
O très-grand Epirote ! Ô vaillant Albanois !
Dont la main a défait les Turcs vingt et deux fois
 […]”

“[…] Dhe Skënderbe, që  urreheshe nga populli skithian
Që nga gjithë Azia e kishte flakur tutje Ungjillin.
O, epirot madhështor! O, shqipëtar sypatrembur!
 Dora e të cilit i mundi turqit njëzetedy herë[…]”
 (Përkthimi në shqip nga R.K.)

Për heroin shqiptar poeti i madh rilindas Edmund Spenseri (1552/3 – 1599) thotë se është ‘tmerri i turqve dhe murtaja e të pafeve / i madh si në emër, ashtu dhe në pushtet e fuqi’; ai ‘mund të matet me më të mëdhenjtë e heronjve’ të antikitetit.

Një version i sonetit të Spenserit në përkthimin shqip:

Pse të ngrejmë kot në qiell Lashtësinë,

Monumentet e zotrave fuqiplotë,

Heronjtë që bota u falte lavdinë

Dhe fëmijve ua mbushnin kokën plot,

Dhe që me bëma të famshme i magjepsën,

Statuja dhe kolosé të mëdha admirojnë,

Sheshe triumfatore që ata ngritën,

Piramida gjigande që qiellin kërcënojnë?

Ja tek është një që më von’ doli në dritë

Që matet me më të mëdhenjt’ e të mëdhenjve

Dhe meriton të lartësohet për triumf e meritë

Tmerri i turqve, kolera e të pafeve;

I madh si në emër dhe në fuqi e pushtet.

Per bëmat e tua, O Skënderbe, ky vëllim flet.[1]

Përveç sonetit të Spenserit, parathënia e përkthimit anglisht të kronikës së famshme të Marin Barletit ka dhe dy sonete të tjerë që i kushtohen këtij përkthimi por dhe vetë heroit të veprës. Pra, në parathënien e përkthimit anglisht kemi gjithësejt 3 sonete.  Këta dy sonetet e fundit ka shumë gjasa të jenë kompozuar nga njerëz të afërt të përkthyesit për të lavdëruar punën e përkthyesit. Kjo sugjerohët nga titujt e soneteve, të cilët janë thuajse krejtësisht të njëjtë, si dhe nga katër shkronjat e para të mbiemrit të dy autorëve të soneteve, respektivisht “R. C. GENT.” dhe “C. C. GENT.” Mendojmë se duket qartë që “G-E-N-T” janë katër shkronjat e para të mbiemrit të përkthyesit “Gentleman”. Njëri sonet titullohet “R. C. Gent. Në lavdërim të këtij libri”, kurse tjetri “C. C. Gent. Në lavdërim të kësaj vepre”. Strofa e tretë e sonetit të dytë ngre lart madhështinë e figures së Skënderbeut:

Nëse njerëz të mëdhenj vepra të mëdha kërkojnë

Kush mund të matet me të Madhin,  Skënderben?

Nëse për këto ata këshillë pranojnë,

Këtu si bëmat ashtu dhe këshillat e tij i gjen.

Edhe soneti i tretë ngre lart figurën e Skënderbeut duke e krahasuar me Aleksandrin e Madh në trimëri, fuqi e lavdi. Poeti i fton lexuesit që “dëgjojnë për bëmat e ditëve të tij” të “admirojnë vlerat e tij dhe t’ia ngrejnë lart lavdinë”.

Tashmë dihet me siguri se më 3 korrik 1601 u shfaq në Londër një dramë me hero kryesor Skënderbeun, e cila besohet se është shkruar nga dramaturgu i famshëm i kohës së Shekspirit, Christopher Marlowe (1564-1593), autor i  dramave të mëdha Doktor Fausti dhe Timurleni (në të cilën përmendet Shqipëria – Pjesa I, Akti I, Skena II, vargu 164).  Duke u mbështetur në disa burime të reja, po jap qasjen time për këtë dramaturg dhe dramën e tij për Skënderbeun. Për fat të keq drama e Marlout për Skënderbeun nuk e pa dritën e botimit dhe dorëshkrimi nuk është gjetur deri më sot. Por ajo ekziston e regjistruar nga njëfarë E. Allde në regjistrin e shfaqjeve “the Stationers’ Register” me titullin The true historye of George Scanderbarge “as yt was lately playd by the right honorable the Earle of Oxenforde his servants” (“Historia e vërtetë e George Skanderbarge-ut” “ashtu siç u shfaq kohët e fundit nga shërbëtorët e shumë të nderuarit Kont i Oksenfordit”).

Studjuesi amerikan Samuel Claggett Chew (1888 – 1960), në veprën e tij The Crescent and the Rose, Islam and England during the Renaissance (New York, 1937), Ch. XI Moslems on the London Stage (I. Tamburlaine and Bajazet; Scanderbeg), pp. 474-478, shprehet me keqardhje për humbjen e kësaj drame:

      “Nga shumë drama elizabetjane që nuk kanë arritur deri tek ne, për humbjen e asnjë vepre tjetër nuk të vjen keq më shumë se sa për atë që bën fjalë për jetën e heroit luftëtar Xhiorxhio Kastriota, i njohur si Skanderbeg. Kastriota u lind më 1403, një vit pasi u mund Bajaziti I nga Timurleni. Ai ishte biri i një lordi epirot dhe u muar peng nga Muradi II kur Epiri u pushtua nga turqit më 1423. Ai u bë muhamedan dhe për njëzet vjet qe nën shërbimin ushtarak të otomanëve – anëtar i ‘reparteve luftarake të kristianëve të konvertuar’ për të cilët shkroi Marlou (Timurleni, III, I, 9).” Për njohjen e Marlowe-t me historinë e Skënderbeut dhe përdorimin e tij në disa nga aspektet e Timurlenit, shih Bakeless, I, 218, dhe Tamburlaine the Great, ed. U. M. Ellis-Fermor (New York, 1930), notes, passim]. Humbja e dramës së Kristofor Marlout për Skënderbeun mund të ketë ndodhur edhe për faktin se ajo u shfaq 8 vjet pas vdekjes së dramaturgut të shquar, i cili u vra në rrethana të dyshimta në një tavernë në moshën 29 vjeçare dhe nuk la trashëgimtarë që mund të kujdeseshin për dorëshkrimet e tij.

Disa aluzione të shkurtra e mjaft të çuditëshme për emrin e heroit kombëtar shqiptar gjënden në disa vepra dramatike të teatrit anglez të shekullit XVII. Skënderbeu herë lartësohet si simbol i heroizmit, herë përçmohet deri në nivelin e një rufiani. Shprehja popullore angleze “shpata e Skënderbeut ka nevojë për krahun e Skënderbeut” (angl. “Scanderbeg’s sword must have Scanderbeg’s arm”) përdorej shpesh në këtë kohë. Dramaturgu Ben Jonson (1572-1637), mik e pasardhës imediat i Shekspirit, përmend njëfarë “zuzari horson Skander-bag” (angl. “Horson scander-bag rogue”) në komedinë e tij Every Man in His Humour (1598) (Akti I, Skena III, vargu 22), e cila u vu në skenë nga trupa teatrore e Shekspirit dhe në të cilën ka interpretuar dhe vetë Shekspiri. Dramaturgu dhe pamfletisti Thomas Dekker (ca.1572-1632) i referohet heroit tonë si “Skanderbag Zuzar” (angl. “Skellum Skanderbag”) në dramën e tij më të njohur “Festa e Këpucarit ose Zanati i mbarë” (angl. The Shoemaker’s Holiday or the Gentle Craft). Dramaturgu londinez i periudhës së Neoklasicizmit James Shirley (1596-1666) krijoi figuren e Kapiten Skuanderbegut (angl. Captain Squanderbeg), i cili del në skenë në Aktin IV, Skena I të dramës së tij “Honoria dhe Mamoni” (angl. Honoria and Mammon). Shirley i referohet Skënderbeut si luftëtar edhe në dramën tjetër “Zotëria i Venedikut” (angl. The Gentleman of Venice), Akti III, Skena I.

Gjithashtu, poeti kalorsiak Richard Lovelace (1618-1658) evokon Skënderbeun, ose me saktë kockat e tij, në një poezi me titull “Gjenisë së Zotit Xhon Hill, për përkthimin e saktë që i ka bërë Hierokliut, komenteve të tij mbi vargjet e arta të Pitagorës” (angl. To the genius of Mr John Hill, on his exact translation of Hierocles, his comments upon the golden verses of Pythagoras). Kjo poezi gjëndet në vëllimin e tij “Lucasta”. Poeti anglez tregon për legjendën e dhunimit të varrit të shenjtë të Skënderbeut në Lezhë nga jeniçerët, të cilet ziheshin me njeri-tjetrin se kush e kush të merrte nga një copë kockë të heroit dhe ta mbante si “hajmali” duke besuar se ajo do ta mbrontë në betejë:

Zënka e ushtarëve nuk linte asnjë dyshim

Se kush këpuste një Cifël të Kastriotit

Do mbrohej me magji për të sfiduar vetë vdekjen,

Mbi shkëmbinj zhveshur do hidhej me këtë kockë armatosur.[2]

Nga 1601 deri më 1733 Skënderbeu nuk u shfaq në asnjë skenë angleze. Gjatë kësaj periudhe rreth 130-vjeçare nuk u shkrua asnjë vepër letrare e veçantë në Letërsinë Angleze me përjashtim të një romani të përkthyer nga frëngjishtja, vepër e romancieres franceze Anne de la Roche Guilhem (1644 – 1707/1710).

Romancierja dhe përkthyesja franceze Anne de la Roche Guilhem (1644 – 1707/1710) u lind në Rouen të Francës me 24 korrik 1644. Ajo ishte një protestane (hygenote) e përbetuar. Për bindjet e saj ajo u detyrua të emigronte në Angli (ka shumë mundësi nëpërmjet Hollandës) më 1685 dhe u vendos në Londër ku qëndroi deri sa vdiq më 1710 e rrethuar nga miqtë e saj hygenotë. Ajo u bë e njohur me disa romane që shkroi gjatë qëndrimit në Angli, të cilët shtypeshin në Hollandë dhe shpërndaheshin fshehurazi në Francë. Ajo u muar dhe me përkthime nga letërsia spanjolle. Dihet me saktësi se ndër veprat që shkroi gjatë qëndrimit në Londër është dhe romani Le Grand Scanderberg prej 178 faqesh. Ky roman për Skënderbeun u shkrua në Londër, u shtyp fillimisht në frëngjisht më 1688, dhe u botua në Amsterdam, Savouret, Hollandë, dhe pastaj, dy vjet më vonë u përkthye në anglisht dhe u botua më 1690me titullin “The Great Scanderbeg. Translated from the French Original” (Skënderbeu i Madh. Përkthyer nga origjinali frëngjisht) në Londër nga Richard Bentley. Pas 31 vitesh, më 1721, ky roman përsëri u përkthye, u redaktua dhe u botua në anglisht nga John Watts.

Sir William Temple (1628-1699), burre shteti, diplomat e eseist i shquar anglez, në esenë e tij të famshme Ese mbi virtytin heroik (angl. Essay on Heroic Virtue) e radhit Skënderbeun midis shtatë prijësve “të cilet e kanë merituar, pa e vënë në kokë, kurorën mbretrore” (angl. “who have deserved, without wearing, the royal crown”). Shtatë prijësat që, sipas Sir William Temple-it, e kanë merituar një kurorë mbretërore janë: “Belisarius-i, Narses-i, Gonsalvo-ja i Kordovës, William-i i Parë Princi i Orange-it, Alexandri Duka i Parmës, Gjon Huniadi dhe Gjergj Kastrioti ose Skanderbegu”.[3]

Në letërsinë angleze të epokës së Neoklasicizmit, gjatë shekullit të 18-të u shkruan, fatmirësisht u botuan tri tragjedi (dhe dy prej tyre u vunë në skenë) me hero kryesor Skënderbeun. Jemi munduar të japim një trajtim të dokumentuar për secilin prej tyre.

Kështu, më 1733 në Teatrin “Goddman’s Fields” u shfaq drama SCANDERBEG e William Havard-it. William Havard (1710 – 1778), Scanderbeg: A TragedyAs it is Acted at the Theatre in Goodman’s Fields. By Mr. Havard (London, J. Watts, 1733.) London: Printed for J.WATTS at the Printing-Office in Wild-Court in Lincoln’s Inn Fields. MDCCXXXIII. (75 faqe)

Kjo tragjedi është një dramë në 5 akte me një prolog dhe një epilog dhe me një ndërrim të shpeshtë të skenave – ajo ka pikërisht 58 skena: Akti I ka 6 skena; akti II ka 16 skena; akti III ka 13 skena; akti IV ka 13 skena dhe akti V ka 10 skena. Skena e veprimit të dramës është “një vend fqinj pranë Konstandinopojës”.

William Havard-i ishte një dramaturg dhe aktor i shquar i kohës, i cili lindi në Dublin në korrik 1710, në familjen e një vreshtari. Fillimisht studjoi për kirurgji, por i ndërpreu studimet mjekësore për t’u bërë aktor dhe u angazhua në teatrot e Londrës qysh në fillim të viteve 1730. Suksesin e parë si dramaturg e arriti pikërisht me dramën në vargje Scanderbeg: A Tragedy(1732/3), e cila u shfaq në teatrin londinez Goodman’s Fields më 15 mars 1733. Pas dramës Scanderbeg, Havardi shkroi tragjedinë King Charles the First (Mbreti Çarlsi i Parë) (1737), e shkruar duke imituar Shekspirin, e cila pati sukses. Pas shumë vitesh ai shkroi dramën Regulus (1774), e cila nuk pati shumë suskses, dhe një farsë me titull Elopement (Rrembimi”). Më 1737 William Havard-i u angazhua në Teatrin Mbretëror Drury Lane, ku punoi gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij, gjersa u largua përfundimisht nga skena më 1769. Sipas Charles Read-it, redaktorit të librit A Cabinet of Irish Literature (Një Etazher i Letërsisë Irlandeze), botuar në tre vëllime gjatë viteve 1876-1878, “drama në vargje Scanderbeg (1733) u mbështet në dramën Heroi Kristjan të Lillo-s, por e tejkaloi atë”. Dramaturgu dhe romancieri ilimunist Henry Fielding ushqente respekt të madh për talentin aktrues të Havardit dhe e rendiste përkrah Garrick-ut. Havardi vdiq më 20 shkurt 1778, në moshën 68 vjeçare. Në nderim të tij dramaturgu, regjizori dhe aktori i madh anglez i Neoklasicizmit David Garrick shkroi epitafin “Nderim për kujtimin e një karakteri të njohur e të respektuar për një kohë të gjatë”.

Drama tjetër është ajo e dramaturgut George Lillo (1693 – 1739) me titull HEROI KRISTJAN  (angl. The Christian Hero), e cila gjithashtu u shkrua, u botua dhe u vu në skenë në Londër: George Lillo, The Christian Hero: A TragedyAs it is acted at the Theatre Royal in Drury Lane (London, John Gray, 1735). LONDON: Printed for JOHN GREY, at the Cross-Keys, in the Paultry, near Cheapside, MDCCXXXV. Kjo dramë me 78 faqe u shfaq për herë të parë më 1734 në Teatrin Mbretëror Drury Lane dhe u botua më 1735. Kjo tragjedi u mbështet në një histori të shkurtër të Skënderbeut me titull Jeta e Gjergj Kastriotit (angl. The Life of George Castriot), e cila u botua në Londër me 1733.

Shumë pak dihet për biografinë e George Lillo-s përveç faktit se ishte i biri i një argjendari hollandez që jetonte në Londër. Dihet gjithashtu se ai u bë dramaturg e tragjedian shumë i vlerësuar për kohën. Drama e tij më e njohur është Tregtari Londinez, ose Historia e Xhorxh Barnuellit) (The London Merchant, or The History of George Barnwell, 1731), e cila u vu në skenë në Teatrin Mbretëror Drury Lane dhe u shfaq me shumë sukses për njëzet netë rrjesht në periudhën më të nxehtë të vitit me sallën të mbushur plot. Për të shkruar këtë dramë Lilloja u frymëzua nga drama elizabetiane e pasionit. Në këtë dramë personazhet nga shtresa e mesme zëvendësojnë aristokratët apo anëtarët e familjes mbretërore që ishin heronjtë e zakonshëm të dramave të Neoklasicizmit. Drama bën fjalë për një çirak londinez që e grabit tri herë mjeshtrin e tij dhe vret xhaxhain e tij. Më në fund pendohet për krimet por megjithatë ekzekutohet. Subjekti mbështetet në një balladë të vjetër. Denis Dideroi imitoi tragjedinë e Lillos kur shkroi dramën e tij “Biri natyral” (“Le Fils naturel”, 1757). “Tregtari Londinez” pati ndikim të madh në zhvillimin e dramës”borgjeze” jo vetëm në Angli por dhe në Francë e Gjermani.

I nxitur nga suksesi i kësaj drame, Lillo-ja ndërmori të bënte një dramë me subjekt më të vështirë e më sublim Rreth vitit 1734 ai shkroi dramën Heroi Kristjan (The Christian Hero.Redaktori i kësaj drame nënvizon: “Subjekti i tragjedisë gjëndet në historinë e turqve. Karakteri i Skënderbeut, heroit të dramës, i ngjan Tamerlane-it dhe kundërvihet mirë përballë Muratit, Sulltanit turk. Karakteret e kësaj tragjedie në përgjithësi janë të spikatur qartë; disa skena patetike të dramës Heroi Kristjan nuk qëndrojnë aspak më poshtë se veprat e shumicës së dramaturgëve tanë më të nderuar. Sjelljet dhe veprimet e turqve dhe të krishterëve dallohen mirë ndërmjet tyre. Drama akumulon tension të lartë dramatik nga dëshpërimi i Skënderbeut, kur e dashura e tij Althea bie rastësisht nga rrethanat e luftës në duart e armiqve të tij”.

Kjo tragjedi ka pesë akte dhe dymbëdhjetë skena (tre aktet e parë kanë nga një skenë, akti IV ka katër skena dhe akti V ka pesë skena); gjithashtu drama ka një prolog dhe një epilog.    Tragjedia Heroi Kristjan shoqërohet nga një histori e shkurtër prej 15 faqesh për jetën dhe bëmat e Skënderbeut me titull Jeta e Gjergj Kastriotit (Life of George Castriot) e shkruar nga vetë George Lillo-ja dhe e botuar në Londër më 1733. Kjo histori e shkurtër shërben si bazë për subjektin e dramës. Dramaturgu pohon se “Tragjedia e Heroit Kristjan mbështetet në atë rrethanë të mrekullueshme e të rëndësishme në jetën e Skënderbeut siç është shpëtimi i Krujës nga rrethimi, pasi kishte qëndruar e rrethuar gati për gjashtë muaj nga trupat e shumta të Sulltanit Turk, Muratit të Dytë, i cili vdiq, mbas trazimesh e zhgënjimesh të pafund, nga dëshpërimi dhe tërbimi nën muret e atij qyteti. Prandaj mendojmë se është e domosdoshme që të japim një përshkrim, të mbledhur nga autorët më të besueshëm për jetën dhe karakterin e këtij princi të shkëlqyer, me qëllim që ata që nuk janë njohur ende me subjektin, kur ta lexojnë këtë, përveç udhëzimeve dhe kurioziteteve që mund të gjejnë aty, do të jenë në gjendje ta gjykojnë dramën më mirë”. George Lillo vdiq më 1639 në moshën 46 vjeçare. Tragjedia “Heroi Kristjan”dhe “Jeta e Gjergj Kastriotit” të këtij autori u botuan përsëri, së bashku me dy drama të tjera më 1775 në Londër në vëllimin “Vepra të Xhorxh Lillos, me disa të dhëna për jetën e tij” (“The Works of Mr. George Lillo, with Some Account of His Life”, vol. I, Printed for T. Davies, in Russell-Street, Covent-Garden, Bookseller to the Royal Academy, M DCC LXXV.).

Kurse Thomas Whincop-i (1696 – 1730), mik i poetit të madh neoklasisict Alexander Pope (1688-1744), në vitet 1730-të shkroi në Londër tragjedinë SKENDERBEU, ose DASHURI DHE LIRI (angl. Scanderbeg, or Love and Liberty). Kjo vepër mbi Skënderbeun është një dramë lirike e shkruar sipas rregullave të Neoklasicizmit dhe e përkthyer në gjuhën shqipe nga Skënder Luarasi. Drama e botuar shoqërohet nga një histori e shkurtër e Shqipërisë së kohës së Skënderbeut mbështetur në Historinë e Skënderbeut të Marin Barletit. Kjo dramë nuk u vu në skenë asnjëherë, kjo ndoshta për shkak të vdekjes së papritur të autorit në moshën 34-vjeçare më 1730, pak kohë pasi e kishte shkruar dramën. Bile dhe botimi i veprës u realizua me vështirësi nga e veja e autorit 17 vjet pas vdekjes së tij më 1747. Vepra dramatike e Whincop-it është një dramë lirike e shkruar sipas rregullave të Neoklasicizmit. Drama shoqërohet nga një histori e shkurtër e Shqipërisë dhe e jetës dhe luftrave të Skënderbeut. Kjo histori e shkurtër prej 17 faqesh titullohet The Life of George Castriot, commonly called SCANDERBEG, King of Epirus and Albania (Jeta e Gjergj Kastriotit, zakonisht i quajtur Skënderbe, Mbret i Epirit dhe i Shqipërisë) Mendojmë se “historia e shkurtër” e Whincop-it mbështetet në veprën madhore të Richard Knolles-it Generall Historie of the Turkes.Veprimi dramatik paraprihet nga një prolog prej 38 vargjesh i cili i fton lexuesit të japin një gjykim të paanshëm mbi dramën dhe ta çmojnë heroin, i cili nuk e ndau ndjenjën e dashurisë nga ndjenja e detyrës dhe detyrimi i tij “për ta çliruar vendin e tij” (“I tillë qe Skënderbeu, shpirtin fisnik të të cilit shikojmë,/ Ndonëse i betuar në dashuri, mundi ta çlironte vendin e tij”). Vendi i veprimit të dramës është “një luginë e vetmuar pranë Krujës, me një pamje në distancë të kampit të Sulltan Muratit”.

Drama në vargje e Thomas Whincop-it Skënderbeu ose Dashuri dhe Liri u përkthye në gjuhën shqipe nga përkthyesi i shquar dhe profesori i nderuar i Letërsisë Angleze Skënder Luarasi dhe u botua në Tiranë më 1968 me rastin e kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Përveç të tjerave, në këtë shkrim dëshiroj të vë në dukje shkurt edhe disa të dhëna që më duken me interes për një autore të fundit të shekullit XVI dhe fillimit të shekullit XVII që shkroi një vepër poetike për Skënderbeun, e cila është mjaft e njohur për rrethet akademike në Shqipëri. Bëhet fjalë për poeteshën e shquar të Rilindjes italiane Margherita Sarrocchi (1560 – 1617) dhe poemën e saj epike “La Scanderbeide”, në të cilën përshkruhen” në një mënyrë të gjallë ngjarjet e periudhës së parë të veprimeve të Gjergj Kastriotit pas kthimit në atdhe. Poema mbyllet me triumfin e tij mbi Sulltan Muratin në rrethimin e parë të Krujës, më 1450”. Kam bindjen se për këtë vepër madhore mund të shkruhen monografi. Është e vërtetë se botimi i parë i kësaj vepre i takon vitit 1606, por atëherë ajo u botua e papërfunduar; vepra e plotë u botua në Romë më 1623 nga Andrea Fei gjashtë vjet pas vdekjes së poetëshës (ajo vdiq në Romë më 27 tetor 1617). Vepra e përfunduat “La Scanderbeide” ka 12 këngë2251 oktava (strofa 8-she) dhe 18.888 vargje. U nxita për të shkruar për këtë poeteshë për disa arësye.

Së pari, kam përfshirë në studimet e mia për Skënderbeun gjithshka që është shkruar për të në gjuhën angleze, përfshirë përkthimet në anglisht nga gjuhë të tjera. Vepra e Sarrocchi-t u përkthye dhe u botua në gjuhën angleze në vitin 2006 nga Rinaldina Russell, Profesoreshë Emeritus e letërsisë dhe gjuhëve evropjane në Queens College, City University of NewYork. Përkthyesja e redaktoi dhe e përktheu poemën “La Scanderbeide” në prozë, duke iu përmbajtur ndarjes strofike të origjinalit italisht.

Së dyti, u nxita për të përmendur miqësinë dhe korrespondencën e poeteshës Margherita Sarrochi me shkencëtarin e madh Galileo Galilein. Tri prej shtatë letrave të saj për Galileon  kanë të bëjnë me poemën për Skënderbeun. Këto letra u përkthyen dhe u botuan në gjuhën angleze para një viti e gysëm, më 2016, nga një studjuese tjëtër amerikane, Meredith K. Ray (Margherita Sarrocchi’s Letters to Galileo: Astronomy, Astrology, and Poetics in Seventeenth-Century Italy (Palgrave Macmillan, 2016, ©2016, xii, 98 pages : illustrations ; 22 cm.). Në këtë botim jepet ‘Pasqyra e lëndës’: I. Hyrje II. Astronomia, Astrologjia, dhe Poetika në Italinë e shek. XVII. 1. Sarrocchi dhe Galileo në Romë 2. Shkenca dhe Scnaderbeide-ja. 3. “Scanderbeide”-ja e Sarrocchi-t dhe “Syri i Armikut” e Galileos 4. Kundërshtitë rreth “Yjeve Mediçejane” të Galileos. 5. Leximi i yjeve   6. Shtigje që ndahen III. Letrat e Margherita Sarrocchi-t dhe Galileos (me tri letra që kanë lidhje me njera tjetrën.). Letra e parë dërguar Galileit shoqëron dorëshkrimin e poems epike “Scanderbeide” dhe mban datën 13 janar 1612. (Sarrocchi ishte takuar me Galileon për herë të parë në Romë në shkurt 1611). Ky libër trajton një moment kyç në historinë e shkencës dhe vendit të gruas në të. Meredith Ray na jep studimin e parë shterrues dhe përkthimin e plotë në anglisht të korrespondencës së jashtëzakonshme midis Margherita Sarrocchi-it (1560-1617), një filozofeje të natyrshme dhe autores së një poeme epike, “Skënderbejadës” (1623) dhe astronomit të famshëm, Galileo Galileit. Kjo korrespondencë, e cilia zhvillua pak kohë pas publikimit të “Sidereus Nuncius” të Galileos, na tregon se si iu afrua Sarrocchi Galileos për t’i kërkuar që ta ndihmonte për të redaktuar poemën e saj epike, duke i ofruar në këmbim përkrahjen e saj për zbulimet e tij të fundit për teleskopin.

Së fundi, u entuziazmova kur e gjeta botimin e plotë të poemës “La Scanderbeide” të vitit 1623 në fondin e bibliotekës shkencore të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Besoj se për këtë merita i takon bibliotekarit të jashtëzakonshëm, me kulturë dhe erudicion të rrallë Vili Kamsi. Falë përkushtimit, këmbënguljes dhe mendjes së tij të ndritur, biblioteka shkencore e këtij universiteti u pasurua me disa vepra të rralla shumë të vyera.

http://www.gazetadita.al/figura-e-gjergj-kastriot-skenderbeut-ne-disa-vepra-ne-gjuhen-angleze/