Festohet 28 Nëntori- Çelet zyrtarisht dhe hapja e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit

Në qytetin e Vlorës, autoritetet më të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës morën pjesë sot në ceremonitë për 105-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Po sot u shpall zyrtarisht dhe hapja e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit. Përgjatë 300 ditëve të ardhshme janë parashikuar aktivitete të ndryshme që do të përfshijnë të dy vendet. Kryeministri Rama saktësoi se nuk bëhet fjalë për shprehje të një tundimi për t’u kthyer në të shkuarën, por e një vetdije se para shqiptarëve është çelur një perspektivë e re.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ai i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama çelën ceremonitë për 105 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në Sheshin e Flamurit me ngritjen zyrtare të simbolit më të rëndësishëm të vendit. Më pas ata ju drejtuan monumentit të Ismail Qemalit ku dhe bënë homazhet e rastit.

Në shtëpinë muze ku në 1912 patriotët shqiptarë shpallën Pavarësinë u hap zyrtarisht Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut. Në 300 ditët e ardhshme do të përkujtohen përvjetoret e disa ngjarjeve që kanë lënë shenjë në historinë e kombit shqiptar, ndërsa aktiviteti përmbyllës do të jetë Samiti i dytë i Diasporës, së cilës Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë, sic u theksua dhe dje gjatë mbledhjes mes dy qeverive në Korcë.

Afrimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, shoqërohet shpesh me komentet mbi t ashtuquajturin projekt të Shqipërisë së Madhe. Pikërisht për këtë, kryeministri Edi Rama në fjalën e tij saktësoi se “gjithçka thashë dhe gjithçka do të thuhet e do të bëhet në këtë vit mbarëkombëtar të Skënderbeut, nuk është asgjëkundi shprehje e një tundimi për t’u kthyer në të shkuarën apo për ti rënë daulleve të së shkuarës. Por është shprehje e një vetëdijeje se sot përpara nesh shqiptarëve është çelur një perspektivë e re dhe së bashku ne kemi detyrimin që për sa kohë e kemi këtë privilegj që të mund të bëjmë si drejtues institucionesh apo qeverish e shtetesh, atë që çon një hap më tutje drejt realizimit të kësaj perspektive që është, shqiptarët e bashkuar në BE”

Idesë së objektivit të integrimit euratlantik të të dy vendeve i mëshoi dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaci: “Shqipëria është anëtare e organizatës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s. Kosova është shtet i lirë dhe sovran. Në rrugëtim të sigurt për t’u integruar në NATO dhe BE, dhe me miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi një komb me dy shtete sovrane. Të dy shtetet tona kanë një ëndërr. Kanë një qëllim. Integrimin e plotë në institucionet euroatlantike”

Ndërsa presidenti Ilir Meta, vuri theksin te simbolika e fortë që figura e Skendërbeut ka për shqiptarët: “Me bindjen se Skënderbeu do të jetë gjithmonë ylli i mëngjesit dhe dielli që do të ndriçojë çdo shqiptar dhe mbarë kombin tonë në përpjekjet tona për prosperitet për paqe dhe për një të ardhme plotësisht evropiane, ju uroj edhe një herë gëzuar këtë ditë të bekuar!”

Nga ana e saj opozita, e cila më 28 nëntor përkujton dhe Ditën e Çlirimit, bëri homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Tiranë. “Nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeut deri tek luftërat e fundit çlirimtare të shqiptarëve, 28 Nëntori është dita kur flamuri që na bashkon të gjithëve si komb, na kujton për sakrificën e madhe dhe çmimin e lartë që liria dhe pavarësia shqiptare kanë patur ndër shekuj. Por po kështu na kujton për peshën e përgjegjësisë së brezit të ri dhe shqiptarëve sot. Për brezat e ardhshëm, betejën për Shqipërinë europiane dhe demokratike si thirrjen më të lartë dhe nderimin më të madh për sakrificën e heronjve dhe martirëve të lirisë dhe të pavarësisë”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.