FBI-ja po kryen rreth një mijë hetime për vjedhjet e dyshuara nga Kina të pronës intelektuale amerikane

FBI-ja po kryen rreth një mijë hetime për vjedhjet e dyshuara nga Kina të pronës intelektuale amerikane, thanë të enjten zyrtarë amerikanë të zbatimit të ligjit.

Shumë nga hetimet pritet të rezultojnë në akuza penale kundër një numri individësh dhe kompanish gjatë këtij viti, thanë zyrtarët.

Në hetime marrin pjesë të 56 zyrat e FBI-së në të gjithë vendin dhe përfshijnë pothuajse çdo industri dhe sektor të ekonomisë amerikane, nga kompani të tilla të mëdha si Fortune 100 deri në firmat më të vogla në Silicon Valley, tha drejtori i FBI, Christopher Wray.

“Ata nuk synojnë vetëm bizneset e sektorit të mbrojtjes,” tha zoti Wray në një konferencë mbi nismën e Departamentit të Drejtësisë për të luftuar spiunazhin ekonomik kinez. “Ata kanë gjithashtu në shënjestër studimet e avancuara që bëhen në universitetet tona,” tha ai.

Që prej fillimit të hetimeve, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza për më shumë se dhjetë raste që lidhen me spiunazhin kinez.