Fatkeqësitë natyrore dhe teatraliteti politik dhe propogandistik i shtetit si mënyrë sensibiliteti

Sa herë që Shqipëria ka përmbytje, shihen të njëjtat skena qesharake teatrale. Kryeministri dhe ministrat, gjithnjë me kamera nga prapa, veshin çizmet dhe dalin në ndonjë zonë të përmbytur. Në shtabin e kryeministrit të gjithë zyrtarët duken si gazetarë në redaksi lajmesh. Shkoi kaq e shkoi aq niveli i ujit. Në qarqe prefektët pasi veshin çizmet filmike mbledhin shtabin vendor. Edhe ata nuk kanë asgjë në dorë. Mbledhjet edhe këtu kalojnë me dhënie lajmesh e filmime në terren në mënyrë që të krijohet ideja e rreme se po ndjekin situatat.
Por një qeverisje që mbahet me propagandë, e ka të pamundur mos ta bëjë atë edhe ditët kur ajo nuk hyn në punë.
Falë padijes së DAP-it (kryeçobërtari dhe shkatërruesi administratës shqiptare) dhe verbërisë së qeverive, Shqipëria është një shtet administrata e të cilit përbëhet nga 99% “politikëbërës”, që do të thotë se 99% japin e urdhra e vetëm 1% duhet të zbatojë urdhrat. Si pasojë e këtij formulimi, Shqipëria nuk ka forca për përballimin e situatave të zakonshme e të jashtëzakonshme, por i kalon ato në dorë të ushtrisë, policisë, të cilat nuk janë të specializuara në këtë drejtim. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave është njësi teorike, por jo ekzekutive, nuk ka thuajse asgjë në dorë që të ndryshojë gjendjen.
Në mungesë të ndërtimit të infrastrukturës për komplekse arkivorë për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe arkivat e sistemit, shumë institucione, në kundërshtim me çdo parim të normave të arkivistikës, i kanë depozituar dokumentet e paraarkivit të tyre në bodrume dhe kate të para të godinave. Në këtë katastrofë, është e pamundur të mos jenë dëmtuar këto dokumente në një zinxhir institucionesh që janë gjykata, prokurori, ministri, bashki, etj. Dhe vini re! Në asnjë njoftim të gazetarëveprefektë, gazetarëveministra, gazetaritkryeministër etj, nuk raportohet për gjendjen e arkivave, sepse në (pak ose aspak) formimin e tyre, as i llogarisin e mendojnë ato.
Në vitin 2000, hyri uji në Gjykatën e Tiranës. U dëmtuan apo humbën shumë dosje, një pjesë e të cilave u sollën për ruajtje të përkohshme në godinën e Ministrisë së Drejtësisë. Asgjë nuk ndryshoi për ndërtimin e Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Drejtësisë. Kjo ministri vazhdoi ndërtimin e burgjeve me kamera cilësore, etj, por asnjëherë nuk mendoi për ndërtimin e një arkivi që do i kursente shtetit miliona euro që do harxhohen kot në vitet që do vijnë.
Një ministër në Perëndim, e nis ditën e parë të punës nga arkivi i institucionit. Këta tanët, të “gjithditur”, as i shohin ndonjëherë.

Kastriot Dervishi