Fati i refugjatit është në duart e atyre që u rëndon si një faj padrejtësia e botës

SOT NË DITËN NDERKOMBËTARE TË REFUGJATËVE

Nga Albert Vataj

E gjithë jeta e njeriut është një Golgotë, një Tokë e Premtuar, është një kalvar i pambarimtë i përpjekjes për të gjetur pre dhe prehje, për të ndërtuar altarë e ngadhënjyer në besim, për të ngulmuar në të mundshme, më shumë se në të drejtë, për tu pajtuar me gjithçka, si me fatin e parashkruar.
Ne, gjithmonë vetëm ikim, na dëbojnë, na përzënë, na ndjekin, na poshtërojnë, na vrasin, na lënë pa të tashme dhe pa varr.
Zot i fatit të refugjatit, të ikanakut, është ai që zotëron çdo poshtërsi dhe perversitet, ai që mban në shpirt padrejtësinë e botës dhe krenohet me vulën e turpit, ai që i lejon vetes çdo mizori dhe kërkon falje për çfarë nuk e bëri të pendohet.
Refugjat, është statusi i atij që e ka dëbuar atdheu, është fati i hidhur i atij që përzënë me forcë, është ëndrra e atij që i është marrë gjithçka. E vetmja gjë që i ka mbetur është jeta, atë që i’a mëshiron fati i hidhur i të paftuarit, dita e trishtë e të pashpresit, jeta e mundimshme e shëmbëlltyrës së krijuesit, përjetësia e fatkobit që shpreson të shpërblehet në një tjetër botë.
Refugjatin askush nuk e pret, gjithkund është i padëshiruar. Ai është pa atdhe, pa të sotme, pa të ardhme. Është ai fatkeq që duhet ta paguajnë me çmim absurdi, një vlerë që tejkalon të gjithnjë të mundshmen e tij.
Ai ngado është i paftuar, u ndaluar, i tepërt, i huaj.
Me të loz politika, e fyejnë qeveritë, e poshtëron humanizmi, e braktis fati… dhe Zoti? ose nuk dëgjon, ose nuk ka një tjetër fat për këtë fatkeq.

Ecin duke ikur, ecin ditë e net, ngarkuar me kujtime dhe ëndrra. Hiqen zvarrë duke mos guxuar të lënë as gjurmë ikjesh. I frikësohen gjithkujt, edhe vetes. Mallkojnë ditën që kanë lindur dhe lëvdojnë Zotin që i ka harruar. Falenderojnë dorën që i ushqen e qiellin që i mbulon. I janë mirënjohës dashurisë dhe përulës mëshirës. E qeshura dhe e qara, në fytyrat e tyre është një hije trishtimi, që pikëllueshëm i vizaton panoramën e një trishtimi; që nuk ka zë që të klith, nuk ka qiell të gris, nuk ka jetë që të flijojë.

Fati i refugjatit është fati i njeriut; është e djeshmja, e tashmja, e nesërmja e gjithë atyre që ikin, gjithnjë ikin, pa ditur se ku shkojnë, pa mësuar kurrë, se cili do të jetë atdheu që do t’u jepet hua.