Fati i fatkeqit dhe bota e ndarë në NE dhe ATA

Nga Albert Vataj

Fati ynë, fati i njeriut të thjeshtë, i atij që shpreson te mylmesa e bukës me djesë dhe shprëblesa e të drejtës me mund dhe sakrifica, fati i atij që ende beson në dhjetë urdhëresat e shenjta të Malit Sinai dhe në Moisiun, është fati i fatkeqit.
Është ai fat që na ra?!
Ai fat që merituam?!
Është fati i fatkeqit që na mbetet të pranojmë drithërueshëm dhe përulësisht; pa na lejuar të shprehim mospëlqimin tonë, as të refuzojmë; pa na e njohur si legjitime, të ankohemi as të rënkojmë, pa e toleruar dhimbjen as vajin tonë; madje, duke na e ndaluar të shpresojmë dhe ëndërrojmë.

ATA janë ata të plotpushtetshmit që kanë izmin tonë të bëjne me ne dhe fatin tonë çfarë ata të duan, çfarë atyre u lipset.
NE, ne jemi ne, kjo masë e çfarëdoshme e gjithçkasë për të mos qenë asgjë veç nënshtrim me hir ose me pahir.

ATA lindën fe dhe krijuan ideologji. ATA i vunë kazmën çdo utopie dhe krijuan pragmatizmin si një ideologji bashkëkohore dhe sadiste. Doktrinë që i kundërvihet me çdo mjet dhe pamëshirshëm, çdo qasje dhe rrekjeje të fatkeqit për të besuar, për të shpresuar, në çfarë i është mëkuar si një vullnet i epërm Prometeu dhe lejuar si nënshtrim i fatit të Sizifit.
I dobët, i sëmurë, i varfër, i bindur, shpresëvrarë… ai rend, një ditë në tjetrën, duke u përpjekur ta pranojë veten krijesë e realiteti paralel ku jetohet në NE dhe ATA.
Lufta e tij është të jetojë nën këtë përdhunë duke mohuar çfarë sheh dhe e trishton, çfarë dëgjon dhe e tromaks, çfarë është reale duke qenë vuajtje. Me të lozin, zbaviten, gajase, dhe… e flakin tej. Gjithqysh ai përpiqet që duke fituar bukën e helmët të shuaj urinë, ngopje që i shtyt tej agoninë nën këtë të tashme llamburitëse dhe syçjerrëse.
Ai, s’resht së pëpjekuri, duke harruar makthet si një ëndërr të keqe, i bindur se nën atë jastëk ëndrrat e bukura janë shpërbërë. Ai përpiqet ta ndajë të tashmen, të mësojë të jetë dhe të jetojë në NE dhe të kuptojë ATA. Por ai mundet të jetë veçse nëpërkëmbësja e kësaj karabinaje të përbindshme që pisket e përmjerr, shkel e shpërbën, dhunon e shpërfytyron, injoron dhe asgjëson, si në një lojë makabre e një sekti, që harresa e kishte hedhur tej në terrin e kohës.

NE, ai, njeriu i mbishtresimeve të pambërritshme, ai që është pjella dhe përmjerrja jonë gjeniale. Ai nuk njeh. Atij nuk i lejohet norma morale as humane. Ai është pushteti i atributit të vullnetit të sovranit, paraja e bukës, djersës dhe gjakut tonë, zotërimi i nderit, pronës dhe të tashmes, është gjithçka e kësaj asgjëje ku jeta jonë përçapet mundimshëm për të shtyrë një ditë në tjetrën.
Modelimi i të sotmes dhe të ardhmes është strukturimi i një mizorie të re, i një luftë që kursen plumba, hekur dhe zjarr, duke zëvendësuar me persekutim, vuajtje, diskriminim dhe shpërfillje. Nuk ka rebelim, zemëratë dhe ligjësi e së drejtës që udhëprinë përnga shpresa, vullnetmirin e fatit të keq. Atë e përdorin, e viktimizojnë, e fyejnë, e vrasin, e… e flakin në hedhurina, dhe vetë janë lavdia, sublimja e të gjitha të drejtave që vetëligjësia i’a njeh.
Me NE, atyre u lejohet të bëjnë gjithçka. NE, na lejohet vetë t’i bindemi ATYRE.

Sot jemi NE dha ATA; ne, një numër, një masë amorfe, një gjendje inferiore, një gabim gjenetik… ata janë gjithçka… dhe asgjë në fatin e pashmangshëm të asgjësimit. Ata janë pushteti, janë politika, janë paraja, janë sundimi, janë e sotmja. Janë fati i fatkeqit që hiqet zvarrë në këtë gërmadhë ku këto hiena kuisin e ulërijnë, si në një paralajmërim ogurzi. Shpresa, ajo fatkeqe e stolisur me ëndrrat dhe dëshirime të rrejshme, u mëkon urive tona pamjaftueshmëri për të qenë ngopje, frymë, zgjatim i një agonie.

ATA janë gjithëçmosi i reales që nuk mbërrin dot as në ëndrrat dhe përfytyrimet tona më të dalldisura. Me ta është fati, është mundësia, paraja, pushteti, ligji, e drejta. Zoti…? Ai është thelbi i gjithçkasë në këtë skenë tragjikomedie.
AI është aty me Shpatën e Demokleut për t’u prera qafat e zgjatura të lakmive ndërmjet shoqishoq, por pa mundur të mëshirojë pikëllimet tona fatkeqe, si vetë jetët tona të ngrysura fatalisht prej atyre; atyre që mirësinë tonë gjithnjë e trajtuan si jargavitje, dinjitetin si fyerje, devocionin si përçmim, besimin si grotesku i një kllouni.
Ata janë viktimë e fatit të vet, dhe ne… pikëllimi i këtij fati që nuk u ngushëllua kurrë.

ATA janë vetja jonë më e keqe e shprehur përmes një vullneti të shtirur ose shitur, një pranimit skllavërues të lirësë që kurrë se merituam.
Më të zotët zunë të ikin, por pa harruar të marrin me vete dhimbjen e kësaj plage që u prish gjumin e mjegullon pamjen. Ata ikën duke shpëtuar nga NE, për të mbetur të tillë gjithkund ku kulti i ATYRE rreket të ngre krye.

Lumturitë tona të vogla i hidhen përsipër si ballsam plagës së këtij poshtërimi, por pa mundur ta shërojnë. NE guxojmë të jemi të lumtur edhe pa u ndjerë. Festojmë dhe protestojmë njësoj, me vragën trishtuese të arratisë së shpirtit. Kacavirremi murëve të larta të ndalimit dhe kufinjve ku na lejohen caqet e habitatit, duke provuar, duke u përpjekur me shpirt nëpër dhëmbë, por pa mundur të jemi veçse ajo zbavitje mjerane e këtij spektakli fatkobi për ATA.

Në botën e vemjeve në krijohemi, zhvillohemi dhe shuhemi brenda një dekompozimi, për të mbetur krimba, pa mundur të shndërrohemi në flutura.
Albert Vataj