FAKTE NGA KOHA E LUFTES/ Dashuri dhe plumba, si u ekzekutua bukuroshja që shkeli moralin partizan

Historia tronditëse e vitit 1944, që bëri bujë edhe përtej Vunoit. Ekzekutimi i partizanes 21-vjeçare, që ishte fejuar me një nga udhëheqësit kryesorë të luftës, Nako Spiru. Si ra Ramizeja në batarenë e dytë. Çfarë ndodhi me Zaho Kokën, protagonistin tjetër të kësaj dashurie të ndaluarDitët e luftës nuk të linin kohë të mendoje për një festë si ajo e “Shën Valentinit”, të shkëmbeje dhurata të rastit apo të përcillje ndonjë puthje spontane. Kjo situatë, fort romantike për një vend të pushtuar, mund të vlente vetëm për disa orë në ditën e mesit të muajit, ndërsa në të vërtetë, gjatë fundit të shkurtit ndodhi që, për të dënuar dashurinë, të bëhej një gjyq e të merrej një vendim: me pushkatim…

Ramize Gjebreja, agjitatorja më e mirë e Partisë Komuniste, do të ekzekutohej mizorisht nga një skuadër partizane, ndërsa një trim i çartur si Zaho Koka, po për të njëjtin motiv, do të përjashtohej nga partia dhe do të degradohej për t’u çuar si një partizan i thjeshtë në Brigadën IV.

Dosja

Në librin e tij “Dashuri & Plumba” Dr, i Shkencave, Pavllo Gjidede, shkruan se dosja e Ramize Gjebresë, për herë të parë, është hapur në fillim të viteve ’70, por më gjerësisht ajo është bërë e njohur në vitet e demokracisë. Por ligji përcakton se për çështje intime, një dosje hapet vetëm pas 100 vjetësh. E në këtë rast, pjesa themelore ka të bëjë me një çështje intime, nga e cila ka ardhur dhe reagimi i ashpër që e dënoi atë me vdekje. 74 vite më parë, kur filloi historia e Gjebresë dhe Kokës, për Zahon flitej e shkruhej hapur. Por nuk ndodhte e njëjta gjë me Ramizenë.

Ekzekutimi në Brigadën V

Pikërisht në 6 mars të vitit 1944, kur lufta kundër trupave gjermane të Rajhut III, ishte në kulmin e saj, në Brigadën e 5-të Sulmuese ndodhi ngjarja e pazakontë. Në fakt ajo ishte tragjike, por për shumë kohë nuk u konsiderua si e tillë. Më 6 mars, në një ditë me diell, por e ftohtë, kur dëbora vende-vende kishte shkrirë dhe fshati Ramicë i Vlorës nuk ishte më aq i bardhë sa më parë, një vendim i gjyqit partizan të Shtabit të Brigadës duhej zbatuar medoemos. Morali partizan ishte “shkelur” me të dyja këmbët. Dy prej luftëtarëve për çlirim po shkonin gjithnjë e më shumë drejt “degjenerimit”. Po në të njëjtën kohë, forcat kundërshtare të Ballit Kombëtar, proklamonin me të madhe se në jetën partizane kishte një ndjenjë të fortë amoraliteti. E gjithë kjo dukej ndaluar, me hir a me pahir. E që gjithçka të merrte fund sa më shpejt, u sakrifikua jeta. Pushkatohet një nga eksponentet më të rëndësishme të luftës, Ramize Gjebrea. Vendimi i kobshëm ishte dhënë gati 10 ditë më parë, në fundshkurtin e po atij viti, por vetëm atë ditë marsi u krye ekzekutimi.

“Interesantja” e bukur

Në një intervistë të tij, dhënë vite më parë për autorin e shkrimit, Mato Hasamataj, dikur partizan 15-vjeçar në Brigadës V, ka rrëfyer se Ramize Gjebrenë e ka njohur gjatë përurimit të Brigadës së 5-të, më 20 janar 1944. Atë ditë ajo kishte përgatitur një fjalim, që u ngriti zemrat peshë luftëtarëve të lirisë. “Ishte e re, e bukur dhe kishte një elokuencë që të habiste”, shprehet Mato Hasamataj. Por duket se gjatë kësaj periudhe, bukuroshja që ishte pagëzuar me pseudonimin “Interesantja”, dhe që ishte e fejuar me një nga kuadrot kryesorë të partisë, siç ishte Nako Spiru, kishte ndjenja të veçanta dhe për një nga trimat e Brigadës, Zaho Kokën. Dyshimet në ishte një dashuri e mirëfilltë, apo një ndjenjë e pastër shoqërore, janë debatuar gjatë në qarqet politike të kohës. Por, më në fund, u vendos që akuza të bazohej tek një letërkëmbim i të dyve.

Nga ditari personal

Studiuesi Pavllo Gjidede, i cili është marrë gjatë me hetimin e kësaj historie, ka mundur të nxjerrë në dritë dhe një pjesë nga ditari personal i Ramize Gjebresë. Në ditarin e saj janë shkruar këto fjalë: “Sot do të shkruaj dhe për ndjenjat e mia. Në të vërtetë kam dëshirë, që edhe sot, edhe nesër të më kuptojnë shokët dhe shoqet. Secili ka dëshirë të pëlqehet dhe të kuptohet. Edhe unë për të krijuar një lidhje të re me njerëzit. … S’më kanë parë sytë djalë si ky! Më duket sikur jam rritur me të. Më pëlqen ta dëgjoj kur flet… Megjithëse e qortoj veten për shkujdesje, përsëri më tradhtojnë sytë, kur i kryqëzoj me sytë e Zahos”. Dhe duket se kjo shkujdesje ka sjellë dhe pjesën tjetër të problemit tragjik.

Morali i luftës

Çështja e dashurisë së “paligjshme” të Ramize Gjebresë me Zaho Kokën, kishte shkuar deri në Shtabin e Brigadës. Mato Hasamataj thotë se “morali partizan” ishte një ligj i pashkruar, por gjithsesi shumë i rreptë në ato vite të vështira lufte. “Në të njëjtën kohë, nga kundërshtarët politikë të Ballit Kombëtar, përflitej më së shumti se në mal bëhej nami mes partizanëve, të cilët kishin pranuar të merrnin me vete edhe femrat. Për t’iu shmangur një gjëje të tillë, që kishte gjasa të përhapej edhe tek ata që ishin në mëdyshje të veprimtarisë partizane, ishte vendosur që në të tilla raste të mbaheshin qëndrime të rrepta”, është shprehur në intervistën e tij, Mato Hasamataj.

Thirrja për gjyq

Gjithsesi fjalët se mes Ramizesë dhe Zahos kishte “diçka”, po qarkullonin rëndom. Mirëpo Ramize Gjebreja ishte një nga përfaqësueset e Seksionit Politik të Brigadës e për rrjedhojë cilësohej si një nga kuadrot kryesore të saj. Për t‘i vënë “frerin” një dashurie që mund të krijonte dhe probleme të tjera, krerët e Brigadës në atë kohë, morën vendimin për të bërë një gjyq ushtarak. Shtabi i Brigadës së 5-të e kishte rezidencën e vet në shtëpinë e Zotajve në Ramicë. Zaho Kokën e thirrën me urgjencë nga Vunoi. Ndërsa Ramizenë e njoftoi Hito Çako për t’u paraqitur në shtab. Erdhi ora e gjyqit. Të dy me uniformën e partizanit, qëndronin në këmbë, të shtangur e duarlidhur.

Mospranimi i akuzës

Mato Hasamataj ka rrëfyer se ai ka qenë dëshmitar i një ndodhie për të cilën emocionohej sa herë e kujtonte. Ai thotë se pjesëmarrës në gjyqin e Ramizesë dhe Zaho ishin: komandanti i Brigadës, Shefqet Peçi; komisari, Hysni Kapo; zëvendëskomisari, Manush Myftiu. Ishin gjithashtu: Tanush Shyti, Zenel Hamiti, Ramadan Xhangolli, Saliko Sulo, Liri Gega, Stoli Lipivani, Bilbil Klosi, Hito Çako dhe Veis Pipa. I ftuar i Komitetit  Qarkor të Vlorës, Pajo Islami. Shumica e tyre ishin kundër një vajze 21-vjeçare dhe një djali 24-vjeçar. I pari ishte Tanush Shyti, ai që parashtroi arsyet se përse po gjykohej Ramizeja dhe Zahoja. Më pas nisi procesi. Ka qenë komandanti i Brigadës, Shefqet Peçi, i cili bëri dhe akuzën e drejtpërdrejtë: “Ke shkelur ligjin e shenjtë partizan”. Ramizeja nuk e ka pranuar. “Jo, asnjëherë”, është shprehur ajo. Akuzohej se kishte shkuar me Zahon dhe se duke qenë e fejuara e Nako Spirut, e kishte tradhtuar atë.  Madje akuza thoshte se kishte një raportim se më 20 shkurt, Ramizeja ishte parë… me Zahon. Ramizeja kërkon që dëshmitari ta dëshmojë në sy atë që ka parë. Madje në këtë gjyq, Ramize Gjebreja deklaron se marrëdhëniet e saj me Zaho Kokën ishin të pastra dhe ajo nuk e kishte tradhtuar të fejuarin e saj Nako Spirun. Pasi e çojnë në një dhomë tjetër Ramizenë, gjyqi vazhdon me Zaho Kokën. E njëjta akuzë: “Shkelje e moralit partizan”. Zaho nuk pranon të ketë marrëdhënie me Ramizenë. Por Shtabi kishte marrë edhe masa të tjera. I tregojnë disa letra. Zaho u thotë se të tilla letra kishte dhe të tjera në çantën e tij, të cilat mund t’i bënte publike.

Për 10 ditë rresht ,Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka janë mbajtur të izoluar në dhoma të ndryshme. Ekzekutimi i krye në 6 shkurt ’44.

Misteri

A kishte vërtet një letër të Enverit që ndalonte ekzekutimin?

Thuhet se dy orë më vonë në Shtabin e Brigadës së 5-të, mbërriti një letër e Enver Hoxhës ku urdhërohej: “Asnjëri të mos ekzekutohet”. Ka mbërritur apo jo një letër e tillë, është pak e besueshme. Studiuesi Pavllo Gjidede vë në dyshim vërtetësinë e këtij thashetheme, pasi, sipas tij, asgjë arkivore nuk e pohon një gjë të tillë. Megjithatë, në Arkivin Qendror të Shtetit, ndodhet një letër e firmosur nga Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç, drejtuar Nako Spirut ku shkruhet: “… Megjithëse djallja (lexo Ramizeja) s’ishte sjellë mirë, por prapë dënimi i dhënë ishte shumë i rëndë. Çështja e dashurisë së lirë është shumë delikate dhe shokët nuk e kanë kuptuar… Shokët e Brigadës, të alarmuar, panë punën që kishte bërë Ramizeja… dhe morën atë vendim të shpejtuar, pa pyetur Komitetin Qendror”.

DËSHMIA

Ramizenë kërkuan ta qëllonin pas shpine

Në intervistën e tij Mato Hasamataj ka rrëfyer gjithçka ndodhi atë ditë dimri, kur përpara 400 partizanëve, u pushkatua Ramize Gjebrea. Ishte 6 mars 1944. Dimri ende nuk kishte dalë, ndërsa një pjesë e lëndinës ku ishin rreshtuar dy batalionet e Brigadës së Pestë, vazhdonte të mbulohej pjesërisht nga dëbora. Diku nga ora 10 e mëngjesit u dha urdhri për rreshtimin e Batalionit I  dhe II, pasi tre batalionet e tjera të Brigadës ndodheshin me misione të tjera. “Për shkak se isha inkuadruar në skuadrën e parë të Batalionit të Parë, isha në fillim të rreshtit dhe e pashë të gjithë ngjarjen nga afër”, ka dëshmuar Mato Hasamataj. Sipas tij, fillimisht partizanët kanë menduar se do të shkonin në ndonjë aksion. U rreshtuan dhe qëndruan në pritje. Përpara dy batalioneve doli shefi i Sektorit Politik të Brigadës, Hito Çako. Ndryshe nga ç’e pritnim, ai filloi të fliste për moralin partizan dhe, më në fund, përmendi emrat e Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës. “Isha i pari në rresht nga e djathta, ku shihej dhe fshati. Pashë të vinte Ramize Gjebrea e shoqëruar nga dy partizanë dhe me duar të lidhura. Nuk mund ta besoja që një nga kuadrot kryesore të Brigadës, e cila kishte fituar simpatinë e të gjithëve, të ndodhej përpara nesh në ato rrethana. Po në të njëjtën kohë Hito Çako u shmang dhe u fut mes radhëve të Batalionit. Në të majtë, në fund të Batalionit II, dolën tre partizanë: dy meshkuj dhe një femër dhe drejtuan armët për nga Ramizeja. Ne të gjithë mbetëm të shtangur. Ramizeja ishte e vetme përballë tytave të tyre dhe iu drejtua: “Prisni, more shokë, ç’bëni kështu”. Por në fakt, ata të tre ishin shumë të irrituar. Qëlluan në ajër dhe kërkuan që të kthehej pas. Ramizeja, kur e pa që s’kishte rrugë shpëtimi, iu drejtua: “Mos qëlloni nga mbrapa. Plumbat tuaj unë i pres ndryshe… Qëllomëni!” Dhe ata e qëlluan. Të gjithë skenën makabre e kam përpara sysh edhe sot.”, ka rrëfyer Mato Hasamataj. Leonad Veizi