Eseja e Parisit e Gjergj Fishtës në një 100-vjetor

Nga Tonin Çobani

Konferenca e Paqes zhvilloi punimet e saj në Paris nga janari i vitit 1919 deri në mars 1920. Ajo do të bënte bilancet e Luftës së Parë Botërore dhe do të merrte vendime historike për shtetet pjesëmarrëse në të.
Për Shqipërinë (jo pjesëmarrëse në Luftë), që ende nuk e kishte gëzuar pavarësinë e shpallur më 1912, vendimet e kësaj Konference do të ishin kufinjtë e shtetit shqiptar të rrudhur që kemi edhe sot.
Në këto rrethana, përgjegjësia e atyre njerëzve që përfaqësonin Shqipërinë në këtë tubim ndërkombëtar, ishte e madhe. Kryetari i qeverisë së atëhershme, dalë nga Kongresi i Durrësit, Turhan Pashë Përmeti, u vu fillimisht vetë në krye të delegacionit dhe zgjodhi pas vetes njerëzit më me reputacion nga Jugu dhe Veriu i Shqipërisë, njerëz të besimeve të ndryshme, përfshirë dhe dy klerikë: imzot Luigj Bumçin, ipeshkëv i Lezhës dhe At Gjergj Fishtën, poetin më popullor në Shqipëri. Sekretarë të delegacionit ishin Luigj Gurakuqin dhe Mustafa Kruja. Si anëtarë të delegacionit vinin: Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Dr.Mihal Turtulli dhe Mehmet Konica, të gjithë njerëz të kulturuar, por me pak përvojë diplomatike. Vetëm Turhan Pashë Përmeti kishte përvojë si diplomat i Stambollit në Europë dhe Rusi, por ai kryetar qeverie, që përfaqësonte në këto rrethana të disfavorshme Shqipërinë, nuk dinte shqip. Dhe, për misionin e tij kjo nuk ishte gjë e vogël. Aq më tepër, kur në gjuhën e kundërshtarëve nuk përmendej shteti shqiptar, por Turqia e Vogël e Ballkanit.
Dhe diplomacia për të krijuar një shtet të ri në Ballkan, si ishte Shqipëria, nuk ishte kaq e lehtë. Mjafton të kujtojmë grindjet e zakonshme të krerëve shqiptarë që pretendonin pushtetin, si dhe të evidentojmë lakmitë e shteteve fqinjë, që, megjithëse lufta konsiderohej e përfunduar, mbanin të pushtuar thuajse pjesën më të madhe të territoreve shqiptare.
Përballë qeverive provizore që dolën nga Kongresi i Durrësit (25-27 dhjetor 1918)dhe Kongresi i Lushnjës (21-31 janar1920), qëndronte qeveria në mërgim e Esat Pashë Toptanit. Ndërsa në favor të interesave lakmitare të shteteve fqinje, zienin pazarllëqet diplomatike pranë Fuqive të Mëdha. Për këtë arsye Delegacioni i Qeverisë Shqiptare, më së pari, u përpoq të bashkonte grupet shqiptare të Konferencës. Por arriti të bashkonte vetëm tre prej tyre: (1) Delegacionin e shqiptarëve të Stambollit, kryesuar nga Halil Pashë Alizoti, që kishte në përbërje at (imzot) Jul Bonattin; (2) Delegacionin e shqiptarëve të Bukureshtit, me Pandeli Evangjelin në krye dhe (3) Delegacionin e shqiptarëve të Amerikës, me Parashqevi Qiriazin e pastorin amerikan, Telford Erikson, në krye.
Njihen edhe udhëtimet për sensibilizim me problemin shqiptar të Bumçit së bashku me Fishtën në Bruksel (5 shkurt 1920) për të takuar kardinalin e atjeshëm, Mercier, si dhe në Londër (mars,1920), ku, përveç kolonel Aubrey Herbert-it dhe miss Durham-it, delegacioni shqiptar u takua edhe me Filip Kerr (sekretar i Ministrit të Jashtëm anglez) dhe Leeper (ekspert për çështjet ballkanike pranë delegacionit anglez në Paris). Ajo çfarë mësuan aty ishte e trishtueshme: “Si këtu, në Paris, po më tepër në Londër,- shkruan në një raport Bumçi,- morëm vesh se shumë prej shqiptarëve kanë kërkue nga Konferenca (e Paqes) proteksionin me Greqinë, Italinë a me Jugosllavinë.”
Delegacioni shqiptar kishte mbërritur në Paris nga fillimi i prillit të vitit 1919. Gjatë rrugës, Gjergj Fishta së bashku me Luigj Bumçin do të bënin një ndalesë në Vatikan ku do të pranoheshin në audiencë nga Papa Benedikti XV (6 mars 1919). Ndoshta që këtu fillon veprimtaria diplomatike për Konferencën e Parisit e të dy klerikëve. Ata lobuan te Papa për Korçën dhe Gjirokastrën, që, sipas projekteve të pashpallura të kancelarive evropjane të atëhershme do t’i liheshin Greqisë.
Në Paris, edhe në mes të anëtarëve të delegacionit shqiptar u vunë re qëndrime të ndryshme. Siç e thamë, Turhan Pashë Përmeti u tërhoq dhe në krye të delegacionit la ipeshkvin Luigj Bumçi. Ndoshta ky ishte veprimi i tij më i sinqertë në favor të çështjes kombëtare, sepse një ipeshkëv katolik ishte më i pranueshëm për diplomacinë evropiane, se sa një ish diplomat i Perandorisë Osmane. Gjergj Fishta si sekretar i Luigj Bumçit (dhe i Delegacionit Zyrtar të Shqipërisë) bëhet në shumë drejtime figura e dytë e rëndësishme e delegacionit shqiptar në këtë Konferencë ndërkombëtare me rëndësi historike për të ardhmen e Shqipërisë. Roli i tij vetëm sa mund të merret me mend, në sa ka mbetur si dokument teksti i esesë “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne” që u mbajt në Konferencën e organizuar në Universitetin Katolik të Parisit, për të sensibilizuar qarqet intelektuale me problemin shqiptar.
1.
“Shqiptarët dhe të drejtat e tyne” u shkrua italisht nga Gjergj Fishta, kurse Luigj Bumçi e ktheu në frëngjisht. Në vitin 1920 botohet në gjuhën shqipe si libër më vete në Shtypshkronjën Françeskane të Shkodrës. Deri pas viteve ‘90 kjo ese kulturore-historike ishte lënë thuajse fare në harresë. Ndoshta qëndrime të tilla subjektiviste ndaj vlerave të së kaluarës stimulojnë atë pështjellim politik që vihet re në praktikat qeverisëse të një vendi të vogël, si rasti i Shqipërisë sot.
Teksti i konferencës është një ese e shkruar me kulturë. Nga fryma përvijon esetë e njohura si “Shqypnia dhe shqyptarët” (Pashko Vasa) dhe “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” (Sami Frashëri).
Stili retoriko-klasik, gjuha e pasur figurative, shqyrtimi bindës i fakteve, zgjedhja e shembujve nga historia dhe citimet etj., dëshmojnë jo vetëm informacionin e gjerë të autorit, por edhe përkushtimin e tij serioz për çështjen kombëtare. Forca argumentuese, nervi herë i përmbajtur e herë i ashpër polemik, dëshmojnë, nga ana tjetër, talentin dhe ndjeshmërinë e skajshme qytetare të Fishtës për të mbrojtur të drejtat legjitime të një populli të lashtë të Evropës, si janë shqiptarët. Nuk mungojnë njohuritë e thella për historinë, etnografinë, folklorin, gjuhësinë, letërsinë e, në përgjithësi, për albanologjinë që shpalosen njëra pas tjetrës në dobi të qëllimit sensibilizues të esesë. Kush tjetër si Fishta do ta bënte këtë gjë më me kompetencë? Ndoshta vetëm një institut i specializuar apo akademi kombëtare, institucione këta që do t’u mungonin edhe për një kohë të gjatë shqiptarëve.
Ajo çfarë mund t’u kumtojë lexuesve të sotëm kjo ese, është fakti se, jo gryka e pushkës, si është thënë deri tani, e ka shoqëruar shqiptarin ndër shekuj, por, krahas saj, edhe kultura e tij, gjeni i shquarsisë natyrore, çmimi për drejtësi. Pa ato vlera Evropa do të kishte diçka mangët, Shqipëria do të ishte e humbur.
Te “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne” Fishta argumenton nevojën e krijimit të një shteti shqiptar të përcaktuar brenda kufijve të vet etnikë e gjeografikë, të vendosur prej të tjerëve. Për këtë ai sjell fakte historike, duke përmendur Lekën (Aleksandrin e Madh), Burrin (Pirron e Epirit), Gencin (Mbretin e Ilirisë), Skënderbeun (Kalorësin e Krishterimit) etj; citon personalitete të njohur të kulturës që nga antikiteti deri te bashkëkohësit e tij; polemizon me kundërshtarët duke renditur fakte të shumtë dhe duke arsyetuar me gjuhën e auditorit, të cilit i drejtohet.
2.
Eseja “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne” ndërtohet kryesisht si përgjigje ndaj disa tezave false të atëhershme, sipas të cilave shqiptarëve u mungonte aftësia shtetformuese. Në të trajtohen mjaft probleme të albanologjisë, të cilat paraqesin interes të veçantë për këndvështrimin dhe mënyrën origjinale të trajtimit:
së pari, Duke u mbështetur në historinë e popullit shqiptar, Fishta i kundërvihet me forcë lojës diplomatike që bëhej në atë kohë në kurriz të popujve të vegjël. Ai arrin në përgjithësime të rëndësishme për epërsinë e historisë ndaj diplomacisë, veçanërisht, kur është fjala për të marrë vendime mbi fatet e popujve:
“Historinë e kemi aty, Zotnitë e mi, që na flet qartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a gjysmë-zyrtare”.
së dyti, Fishta argumenton se ndërgjegjja kombëtare e popullit shqiptar dëshmohet me ndjenjën e lirisë dhe dëshirën që ai popull ka pasur vazhdimisht për të jetuar dhe për t’u zhvilluar “mbë vetveti, brenda qarkut të fuqive të veta”. Më tej ai konkludon me një shprehje poetike:
“Ç’se mbi tokë nisen të derdhen lotë, ç’se mbi botë forca ia zu vendin të drejtës e hipokrizia qeveritare filloi me u pi gjakun popujve, balli madhështor i shqiptarit s’iu përkul kurrkuj, përpos se Zotit të vet. Qenë po, pushtues mbi Shqipni, por nuk qenë zotnues mbi shqiptarë”.
së treti, Pika më e fortë në historinë e shqiptarëve, Skënderbeu, trajtohet prej Fishtës si kundërthënie. Qëllimi i luftërave të Skënderbeut nuk ishte fetar, por i shtyrë prej ndërgjegjes kombëtare. Këtë e vërteton fakti se Skënderbeu në “mos me atë mëni, luftoi me aq trimni kundër venecianëve sa kundër turqve, atëherë kur venecianët deshën të pushtonin vise të reja në Shqipni: Dejën e Drishtin”.
Si kundërthënie hidhet edhe ideja tjetër e Fishtës
“se shqiptarët gabuen e gabuen randë fort, tue u çue asokohe kundër Turqisë… Turku ia njohu Shqipnisë një farë autonomie; na la gjuhën e kanunet tona – e kurrkund s’lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë njëheri, sado që kombi hoq zi e si asht ma zi prej tij”.
Përkundrazi, fqinjët, Serbia e Greqia, që në Konferencën e Paqes luanin nën rrogoz me kartën e “civilizimit” kundër popullit shqiptar kinse “të pacivilizuar”, kryenin krime monstruoze kundër shqiptarëve në trojet e tyre. Fishta denoncon gjenocidin e shovinistëve sllavë në Veri te Shqipërisë dhe të grekëve në Jug (“370 fshatra të Jugut u dogjën prej tyre, vetëm sepse banorët dëshmonin se ishin shqiptarë”), denoncon,po ashtu, ndërhyrjen e Forcave shumëkombëshe në Shkodër, pushtimin e Vlorës nga italianët dhe intervencionin austro-hungarez të 1916-s.
së katërti, Interpretimi i Kanunit të shqiptarëve nga Fishta në këtë ese i kalon kufijtë e argumentit oratorik. Autori, pasi thekson rolin e Kanunit në ruajtjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve në kushtet e pushtimeve të gjata, si ai i osmanlinjve, trajton “punën e gjakut – la vendetta”.
Gjakmarrja kanunore nuk është shenjë e barbarisë apo e kanibalizmit të shqiptarëve. Ajo është ndëshkimi me vdekje për një vrasje, është një vendim si çdo vendim i dhënë nga një gjykatë evropiane. Kryetarët e pleqësive zbatonin kanunin, të cilin e njihnin si legjislacion në territoret shqiptare edhe sulltanët e Stambollit. Në këtë kuptim, vrasja e gjakësit “nuk ban gja tjetër, veçse çon në vend një ligj… është një veprim i ligjshëm e nuk mund të quhet hakmarrje – vendetta”, ashtu sikurse edhe francezët bënë kur ia prenë kokën Luigjit XVI për të çuar në vend një ligj të formuluar prej tyre kundër monarkut të vendit.
Ajo çfarë e bën këtë arsyetim të Fishtës të mbetet i patejkaluar nga interpretimet e derisotme është përcaktuar në thënien e tij:
“Të marrunit e gjakut buron prej mndorjeve (rrethanave) të përjashtme e prej të metave të organizimit shoqënor të një kombi, e jo gjithmnonë prej gjejet (gjendjes) shpirtnore të tij”.
Me fjalë të tjera, gjakmarrja (kurdo që të ndodh) qoftë si një veprim i ligjshëm kanunor, qoftë si hakmarrje primitive, nuk mund të justifikohet si një instikt kolektiv i një popullsie të tërë. Në të dy rastet gjakmarrja është rrethanë e jashtme siç ka qenë për shqiptarët gjatë periudhës së pushtimit osman ose gjatë periudhës së tranzicionit të pasviteve ‘90, si mungesë e autoritetit të ligjit.
së pesti, Origjinale është teza e Fishtës se “vetëm para kuptimit të kombit shqyptar fjala shqyptar shënon kombësi… Ajo shënjon popullin që banon n’Albanije ose në Shqypni”. Ai nënvizon me këtë rast se në territoret shqiptare jetojnë shumë fise shqiptarësh që për shkak të rrethanave të jashtme nuk u është bërë e mundur deri atëherë të organizohen së bashku në një shtet të vetëm. Por edhe kjo, vëren më tej ai, nuk do të thotë se shqiptarët nuk janë të aftë ta bëjnë një gjë të tillë, nëse u krijohen rrethana të favorshme për t’u organizuar etnografikisht e gjeografikisht.
së gjashti, Për të përcaktuar psikologjinë e shqiptarit, Fishta është ndalë në poezinë popullore shqiptare. Vargjet e poetit anonim lartësohen jo vetëm përballë vargjeve popullore të legjendave sllave që i kushtohen vetëm carëve, por, veçanërisht, sepse
“shqiptari në poezitë e veta nuk këndon për të tjerë: ai këndon për vete… këndon lirisht si të ishte vetëm ai mbi botë”, poezia e tij “asht një ode e rendit të parë”.
së shtati, Gjuha, për Fishtën, është kriteri bazë përcaktues i një kombi, veçanërisht për shqiptarët, që flasin një gjuhë si të asnjë populli tjetër. Dhe kufijtë e Shqipërisë do të shtrihen deri në ato anë ku njerëzit flasin këtë gjuhë:
“Gjuha imponohet (tatohet) ose me forcë të armëve ose me forcë të kulturës e të qytetërimit… Shqiptari s’ka qenë më i fortë se popujt, që ka përbri (fqinjë). Prandaj s’ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare; dhe se për këtë arsye shteti shqiptar do të shtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe”.
së teti, Logjika e Fishtës mbështetet në informacionin e gjithanshëm të tij për historinë dhe kulturën e popujve të Evropës. Kjo epërsi përcakton edhe kurajën për t’i thënë gjërat me gjuhën e tyre sado të hidhura që të tingëllojnë ato. Për të mbrojtur kërkesën e ligjshme për Kosovën, Çamërinë dhe trojet shqiptare në Mal të Zi e gjetkë, Fishta citon një politikan bashkëkohës, i cili thotë:
“Po pse francezëve nuk u mbushet mendja me heqë dorë prej Alsas-Lorenës?” dhe më tej “… për me kenë burra fjalet, na duhet me thanë edhe për Shqipninë atë çka themi për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Versajë, etj”. Dhe e mbyll paragrafin Fishta me sentencën proverbiale të Rusoit që kishte thënë se është bërë zakon “me u shndërrue në Zot të popujve. Ani, por pyetini më parë, mos tjetër, këto bagëti njerëzore!”
së fundi, “Shqiptaret dhe të drejtat e tyne” e Gjergj Fishtës mund të klasifikohet si një ndër modelet e eseistikës shqiptare. Megjithëse ka kaluar thuajse një shekull nga koha kur u mbajt në Universitetin Katolik të Parisit, përmbajtja e saj, faktet dhe shumë nga argumentet që shtjellohen mbeten aktuale edhe sot e kësaj dite.
3.
Po ç’vend zë eseistika në veprën e Gjergj Fishtës? Është mirë të kujtojmë këtu se Benedikt Dema, i cili qysh në vitet ‘40 të shekullit të kaluar e kishte përgatitur për botim veprën në prozë të Fishtës, thotë se shkon “kund 700 faqe”. Sipas klasifikimit të tij ajo ndahej në dy libra (blej) dhe katër pjesë: Sociologji, Polemikë, Ligjërata dhe Të përziera (Miscellanea). Në klasifikimet e sotme secili libër do të mund të quhej përmbledhje esesh: sociologjike, ballafaquese, diskursive dhe të ndryshme.
Një ndarje më vete e eseve të gjata (trajtesa, shënime udhëtimi dhe polemika) është bërë në botimin dyvëllimësh të publicistikës së Fishtës nga Frano Kulli, botuesi i veprave të plota të Gjergj Fishtës: Vepra letrare 9-10. Në vëllimin e 10-të janë klasifikuar si ese shkrimet në prozë të Gjergj Fishtës të botuara, si: broshura, parathënie apo shkrime në vijim të disa numrave të revistës “Hylli i Dritës”: “Kombësia e kleri katolik” (1907), “Lot gjaku” (1914), “Shqiptarët e të drejta e tyne” (1920), “Reforma arsimore në Shqipni” (1924), “Poetët e mëdhenj të Italisë” (1932), “Një udhëtim në Turqi të Re” (1932-1933), “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933), “Grindje me klerin” (1934).
Për të plotësuar një antologji të eseistikës fishtjane, prozave të mësipërm u duhen shtuar, së paku, edhe shkrimet: “Një komedi e pandershme e XX qindvjetë” (1913), “Gjuha e mësimit” (1914), “Koha e re” (1914), “Rreziku i përbrendshëm” (1921), “Përlindja e shqiptarëve” (1921), “Hominem non habeo” (1923), “Koha e ardhshme e Shqipnisë” (1923), “Asambleja Kushtetuese” (1923), “Liria e zgjedhjeve dhe obstrukcionizmi i “Opozitës”” (1923), “Delikti i Mamurrasit” (1924), “Trazimet e Qershorit” (1924), “Tash që u ba Shqipnia, duhen ba shqiptarët” (1930), “Një atentat shurdhë” (1930), “Livriza e shteteve” (1932). Sigurisht, çdo antologji e pritshme e eseistikës fishtjane do të duhet të hapej me esenë që u shkrua e para, “Një hije e zezë”, publikuar më 1899, në revistën “Albania” të Faik Konicës. Ne mendojmë, se, duke e marrë atë ese si referencë të nismave të Gjergj Fishtës në këtë gjini, kemi shpalosur edhe kryeidenë në vazhdim të veprës së tij eseistike: “Me e pru mbarë punën e Shqypnisë”, që do të thotë “me e pru mbarë” argumentimin etno-gjuhësore, historiko-sociale dhe gjerësisht kulturor, modelin e të cilës e trajtuam më sipër në esenë e gjatë “Shqiptarët e të drejta e tyne”.