Ernest Koliqi, shqiptari i paepur i dijes, dishepull i arsimit shqip gjithkund ku kishte shqiptarë

Në këtë fillim viti të ri shkollor, mes shumë e shumë debateve dhe polemikave që po bëhen për shkollën në Shqipëri, dhe kur ka një handikap kaq shumë të madh në sjelljen e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimti me mbështetjen e qeverisë, në mendje më vjen një përsonalitet i cilësuar i arsimit mbarëkombëtar. Ernest Koliqi, ministri i arsimit i kohës në qeverinë shqiptare të viteve 1940 – 1941, është pa dyshim shembulli më i qartë dhe kuptimplot i asaj se çfarë bënë apostujt e arsimit mbarëkombëtar në kohë të vështira dhe se çfarë po bëhet sot me katraurën e arsimit.
Pas rreth 75 vjetësh do të ishte e udhës të kujtohej një personalitet kombëtar si Ernest Koliqi, ideatori dhe frymëzuesi, po aq sa edhe zbatuesi i një filozofie të madhe për hapjen dhe konsolidimin e shkollave shqipe në gjithë trojet shqiptare. Ka qenë shtatori i vitit 1941 kur me një vendim të asaj kohe të Ministrisë së Arsimit, kur ministër ishte Ernest Koliqi, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në hapjen e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare. Frutet e atij akti janë sot Kosova e lirë, janë dëshira e mijëra e mijëra shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Çamërisë për shqiptarizmin e tyre, si një krenari kombëtare.
Ata që që mbetën gjallë deri në ditët e sotme, si Jonuz Balla, mësuesi që ndrroi jetë në moshën 97 vjeçare që jeton në Elbasan si dëshmitar okular i asaj armate arsimtarësh heronj kombëtar apo Mehmet Gjevorit po nga Elbasani, që ndrroi jetë para disa vjetësh në Prishtinë, flasin për atë monument që i duhet ngritur Ernest Koliqit, si kryemësuesi i shqiptarizmit të mbjellë në trojet shqiptare.
Pyetja që lind në këto kohët tona është se përse nuk kujtohet një akt i tillë që ka ndodhur po në shtator, një vit para Konferencës së Peqzës që bëri të kundërtën e asj që bënë 400 normalistët shqiptarë.
Vendimet historike merren nga burra historikë, kudo ku ato janë ekzekutuar në çdo vend të botës. Kjo vlen veçanërisht edhe për personalitetin e ish ministrit të arsimit Ernest Koliqi në kohën kur ai u bë dishepull i shqiptarizmës.
Ishin vite lufte, vërtet, por gjithsesi ata që drejtonin jetën publike të këtij vëndi ditën të shfrytëzojnë gjithshka në shërbim të kombit. Vendimi i marrë në atë shtator, si sot e 75 vjet më parë, nga ish ministri i arsimit i asaj kohe, Ernest Koliqi, është gdhendur në kujtesën e brezave si një akt sublim i një shqiptari të madh. Vërtet ishte luftë, por shkollë gjithsesi bëhej ashtu si dhe sot. Ndryshimi qëndron në atë se shkollat shqipe nuk ishin të konfirmuara në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, pikërisht atje ku gëlonte shqiptarizmi, se institucionet shkollore shqiptare ishin të ndaluara nga pushtuesit shekullorë serbo-grekë. Për fatin e keq sot u ndalohet shkollimi maturantëve që mbarojnë shkollat edhe pse me rezultate të larta, përkundër asaj që bëri Ernest Koliqi në kohë t ëvështria lufte.
Duket kujtuar se rreth 400 normalistë morën me vete bekimin dhe uratën e një ministri që nënshkroi vendimin prej shqiptari që djemtë dhe vajzat e arsimuara në Normalen e Elbasanit e më tej të hapnin shkolla ku të mësohej shqipja dhe të shkruhej gjuha e ëmbël naimjane. Vërtet ishte luftë, por ministri i arsimit i asaj kohe i shpalli luftë asimilimit të shqipes në trojet tona shumë shekullore. 400 normalistët nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe nga Elbasani, u kthyen në shqiponja të gjuhës dhe të këndimit, duke hapur shkolla në Prizren dhe në Tetovë, në Podgoricë dhe në Prishtinë, në Gostivar dhe në Gjakovë, në Ulqin dhe në Filat, vetëm e vetëm të fitohej beteja e shqiptarizmit.
Ernest Koliqi ishte ministri i arsimit i kohës që sfidoi kohën dhe bëri atë që të meritonte nderimin e brezave të të tërë nxënësve që dolën nga bankat e shkollave shqiptare, atje, ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Për 75 vjet shqipja triumfoi si ajo manushaqja bukuroshe e Naimit që çeli mes ferrash për të kundërmuar si lahuta e malsisë që mbushi vendin me burrni. Askush tjetër nuk kishte bërë një akt të tillë, akt i cili rradhitet krah Shpalljes së Pavarasisë, rradhitet krah Mbretërisë Shqiptare, ashtu siç do të doja ta renditja krah lëvizjeve të mëdha që sjellin po aq ndryshime të mëdha në jetën e një vendi.
Çdo normalist kishte me vete në çantën e tij një vendim ministror të një njeriu të madh, vendim i cili u jepte krenari, dinjitet dhe i bënte mësuesit e trojeve shqiptare ambasadorë të shkollës shqipe. Nuk ishte e pakët, aq më tepër e lehtë që në mes të pushtuesve greko-serbë të hapje shkolla shqipe.
Ernest Koliqi, ashtu si dhe Mehmet Gjevori, u persekutuan nga regjimi sllavo-komunist, por ata, si dhe 400 normalistët e tjerë, një pjesë e të cilëve formuan edhe familje në tokat shqiptare, e kishin hedhur farën e rilindasve dhe ajo kishte zënë rrënjë. Nuk mund të harrosh dhjetra dhe dhjetra arsimtarë që në ato vite lufte me një flamur kuq e zi në gji, mes peripecive të kohës shkuan atje, ku e kërkonte momenti historik, duke i qënë mirënjohës ministrit të tyre Ernest Koliqi. Dhe shkuan e shkuan plot 75 vjet dhe ai akt historik i këtij burri ka mbetur në qerthullin e tranzicioneve i panderuar për vlerat që mbart, aq më tepër që bëjmë fjalë për një vendim të shkruar shqip nga një shqiptar, për një vendim të nënshkruar nga nje ministër shqiptar për një Shqipëri të Vërtet që duhej dhe duhet të flasë shqip. Nuk di se ç’duhet bërë për t’i dhënë vendin e merituar figurës së ministrit të arsimit Ernest Koliqi, që do të ishte edhe një rehabilitim i persekutimit që ju bë atij nga falangat slllavo komuniste. Kur mendon se persekutori tipik  stalinist Enver Hoxha, njeriu që nuk mbaroi njëherë një shkollë të lartë, e mohoi vepërn e Ernest Koliqit dhe e shpalli atë heretike.
Kur mendon dhe shikon se si pas 75 vjetësh kujtohet Konferenca e Pezës me portretet e diktatorit dhe drapër e çekanin stalinist, konferencë e cila vendimet i mori të mëdha, por realizimin e pati antishqiptar, këtu vihen ballë për ballë mes tyre Ernest Koliqi dhe Enver Hoxha, njëri ministër arsimi i Shqipërisë së Vërtetë, tjetri persekutor i Shqipërisë së cunguar, njëri dishepull i shqiptarizmit, tjetri udhëheqës i anti shqiptarizmit, është një turp. Është mëkat dhe gjynah i madh të bësh krahasim mes Ernest Koliqit dhe Enver Hoxhës. Janë dy epoka që vërtet ndryshuan, njëra solli mbarësinë e arsimimit të bijve të kombit kudo ne trojet shqiptare, ndërsa tjetra solli robërimin e bijve të shqipes. Krahasimin e bëj vetëm si një kujtesë për këdo dhe kushdo qoftq ai sot, ministër arsimi apo kryeministër, politikan apo president se, rikthimi i kujtesës historike për Ernest Koliqin është rikthim në vlerat e vërteta. Ndërsa rikthimi i kujtesës diabolike për Enver Hoxhën është rikthim në diktaturë, duke nëpërkëmbur dëshirën e një populli vërtet për liri dhe demokraci dhe jo për drapër dhë çekan. Enevr Hoxha e mohoi , e shpërfilli, e denigroi Ernest Koliqin, ndërsa vepra e ministrit të arsimit Ernest Koliqi u lartësua vetiu se e tillë ishte ajo. Kurse një popull i tërë e errësoi , e denigroi  e poshtetëroi dhe e urren emrin Enver Hoxha, se i tillë ishte ai. Nuk mund të kete më rikthim, por do të ketë vlerësim për aktet e mëdha që e përbëjnë kombin siç është gjuha, arsimi, të mbrujtura me shqiptarizëm.