Ermal Meta, një shqiptar që prek ëndrrën, triumfon në Festivalit të 68-të të Sanremos, Italia

Këngëtari i njohur shqiptar Ermal Meta dhe ai italian Fabrizio Moro  me këngën “Non mi avete fatto niente”, janë triumfuesit e Festivalit të 68-të të Sanremos.

“Një emocion i papërshkrueshëm”, thotë Ermal Meta i cili ia kushton fitoren Mescalit, shtëpisë së tij diskografike që besoi tek mua kur askush tjetër nuk e bëri”.

Kënga është një himn kundër terrorizmit dhe në tekstin e saj përfshihen shumë raste të ndodhura në të shkuarën, por që lajtmotiv mbetet vargu “nuk më keni bërë asgjë”, që përbën edhe titullin e saj.

Tashmë është publikuar edhe videoklipi i këngës, që ilustron në imazhe qytetet e rrënuara nga bombardimet, homazhet e njerëzve në vendngjarje dhe fëmijët e vegjël, si simbol i mosmposhtjes.

Për të tretin vit radhazi kantautori shqiptar Ermal Meta u ngjit në skenën e teatrit Ariston, por kësaj here në një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro. Kënga e tyre me titull “Non mi avete fatto niente”, përcjell një temë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

“Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”, kanë deklaruar dy këngëtarët.

Të favorizuar nga bookmakers në prag të Festivalit, gati dy ditë më parë ata me rrezikuan  skualifikimin për përdorim pasi problem ishte refreni i këngës, e cila është shumë e ngjashme me një këngë të paraqitur në Sanremo Giovani në 2016.

Por departamenti ligjor i RAI në një deklaratë të lexuar në zyrën e shtypit tha se se të dy pjesët kanë skica, kohëzgjatje, tekste dhe melodi të ndryshme. Ngjashmëria nuk kalon një minutë dhe tre sekonda në një kohëzgjatje totale prej 3 minutash dhe 24 sekondash, pra më pak se një e treta.“Përfundimi është se të dy këngët, megjithëse paraqesin analogji, nuk janë e njëjta këngë. ‘Non mi avete fatto niente’ është këngë e re dhe qëndron në garë”, thuhet në deklaratë.

Me drejtues artistik Claudio Baglioni dhe i prezantuar nga Michelle Hunziker dhe Pier Francesco Favino në vendin e dytë ne festival u renditën Lo Stato Sociale me “Una vita inavacanza” dhe në vendin e tretë Annalisa me “Il mondo prima di te”.
Ron, me këngën “Almeno pensami”, të Lucio Dalla, fitoi çmimin e karrierës “Mia Martini”./k.s/

Opinioni publik u përfshi nga emocionet e krenarisë, sepse fitorja e shqiptarit Ermal Meta, ishte në një farë mënyre dhe fitorja e tyre

Ja ç’shkruan në statusin e tij, Astrit Patozi: Pse nuk duhet të jemi shumë krenarë me Ermal Metën?

Sanremo ka qenë një mit për Shqipërinë e para vitit 1990. Ishte pothuajse ngjarja më e rëndësishme artistike e vitit, ku shqiptarët përpiqeshin me sa mundeshin të përputhnin shijet e tyre me botën e ndaluar nga regjimi.

Italia nuk ishte për ne thjesht vendi më i afërt me perëndimin, por mbi të gjitha ai që rrezatonte më shumë kulturën e vet në anët tona.

Muzika zinte një vend të rëndësishëm në këtë shkëmbim kulturor gjysëm ilegal dhe është jashtë çdo dyshimi që Sanremo ishte kulmi i kësaj marrëdhënieje vetëm me një sens. Ka pasur shumë shqiptarë në atë kohë që italishten e kanë mësuar përmes këngëve të saj.

Falë Ermal Metës, Shqipëria është sot më afër Sanremos dhe padyshim që miti është zbutur, ndoshta po aq sa edhe diferenca mes dy vendeve, që nuk është më ajo e 30 vjetëve më parë.

Por sado krenarë që të ndjehemi sot, nuk duhet të na gënjejë mendja se kemi “pushtuar” Italinë dhe muzikën e famshme të saj.

Ermal Meta është suksesi individual i njeriu të zot, të rritur dhe formuar në perëndim, por që mbi të gjitha ka përfituar nga hapësirat e lirisë që ai ofron, pavarësisht origjinës, racës, fesë apo bindjeve politike.

Ka pasur në të shkuarën dhe do të ketë sërish shqiptarë të tjerë që do të na lumturojnë me arritjet e tyre.

E keqja është se ne kemi futbollistë të shquar, por kemi kampionatin më të shpifur dhe më të trukuar në botë.

Kemi shkencëtarë të mëdhenj, deri edhe nobelistë, por Akademinë më të atrofizuar dhe të paralizuar të planetit.

Ne që prej sot kemi Ermal Metën, një yll të muzikës italiane, por përfytyrojeni pak atë në festivalin e Këngës në Radio Televizion, një eveniment dëshpërues, që degradon vit pas viti. Saqë mund të thuash pa frikë se sot i njëjti aktivitet është më larg Sanremos, se sa ishte në vitet 70-80.

Jam pothuajse i bindur se fati i kantautorit shqiptar, që fitoi dje festivalin më prestigjoz të muzikës italiane do të kishte qenë krejt tjetër, nëse nuk do të ishte larguar nga Shqipëria. E pra, është e njejta farë, por që në tokën e vet nuk e lënë të mbijë.

Ndaj edhe nuk na shkon shumë që ta urojmë Ermal Metën, pse po na nderon si shqiptarë, kur ne e turpërojmë atë me atë që i kemi bërë atdheut të tij dhe tonit.

Sepse Shqipëria sot, padyshim, që mund të mburret me Ermalin, por druaj shumë që ai mund të krenohet dot me këtë Shqipëri.