Erdogan sulmon sërish Trump: Vendimi për Jeruzalemin, një “bombë” për Lindjen e Mesme

Dy ditë pas mbledhjes së samitit në Stamboll me 57 anëtarët e Organizatës Islamike për Bashkëpunim ka ardhur një tjetër deklaratë e fortë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Ai ka deklaruar sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur një bombë për Lindjen e Mesme duke shpallur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Nga ceremonia e inaugurimit të linjës së parë të metrosë automatike në Stamboll, Erdogan deklaroi se: “Vendimi i marrë nga Amerika për sa i përket Jeruzalemit është një bombë e hedhur në Lindjen e Mesme.”

Pas vendimit të presidentit Trump më 6 dhjetor, Ergogan ka qenë kritikuesi i vazhdueshëm.

“Myslimanët nuk mund të pranojnë përpjekjet për të bërë Jerusalemin kryeqytet të një shteti terrorist”, deklaroi Erdogan, duke iu referuar Izraelit.

Turqia dhe Izraeli kanë normalizuar marrëdhëniet e tyre vitin e kaluar, pas krizës diplomatike të shkaktuar nga një sulm izrealit kundër një anijeje të një OJQ-je turke që ishte nisur drejt Rripit të Gazës në 2010. Dy vendet kanë intensifikuar bashkëpunimin veçanërisht në fushën e energjisë. Por, që prej njoftimit amerikan, presidenti turk kritikoi ashpër shtetin hebre.