Erdogan: Putin mik i dashur! Presidenti rus: Marrëdhëniet mes vendeve janë normalizuar

“Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë i janë kthyer normalitetit”. Kështu deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, teksa takoi homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, në qytetin Soçi.

“Dua të theksoj në fillim të takimit tonë se marrëdhëniet tona mund të konsiderohen tërësisht të rivendosura”, tha Putin, raporton agjencia e lajmeve TASS.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë janë tensionuar pasi forca ajrore turke ka rrëzuar një avion rus, pranë kufirit me Sirinë, në nëntor të vitit 2015, por, që atëherë, Putin dhe Erdogan kanë ndërmarrë hapa për përmirësimin e tyre.

Së bashku me Iranin, ata kanë sponsorizuar një sërë negociatash për konfliktin e Sirisë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.

Duke iu adresuar gazetarëve në Stamboll, përpara se të nisej për në Soçi, Erdogan e ka përshkruar Putinin si “mik të dashur”./a.m.