Enver Hoxha kritikon Ismail Kadarenë, Mehmet Shehu: Mund të shërohet

Pas kritikës së Enver Hoxhës për Kadarenë dhe poemën e tij “Pashallarët e kuq”, Mehmet Shehu, në një letër drejtuar Hoxhës shkruan se shkrimtari mund të shërohet.

Në letrën e dërguar, Shehu shkruan se “Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma vetë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar Partisë, Luftës nacional-çlirimtare, popullit jo njëherë, dhe ka bërë vepra të mëdha në këtë drejtim”.

Sipas tij, Kadare “ndoshta ka dashur të fus në vjershë luftën kundër grupit të kompllotistëve e kundër burokratizmit. Por në këtë orvatje, dështoj. Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptojë gabimet e rënda”.

LETRA E MEHMET SHEHUT DREJTUAR ENVER HOXHËS

…ideologjike, te marksizëm-leninizmit, të vijës së partisë sonë, të luftës së klasave e ligjeve të saj, veçmas nuk njeh praktikën e luftës së klasave gjigandeske e të pëshëmbullt që ka bërë dhe bën partia.

Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma vetë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar Partisë, Luftës nacional-çlirimtare, popullit jo njëherë, dhe ka bërë vepra të mëdha në këtë drejtim. Poema e tij “Përse mendohen këto male”, është me partishmëri të lartë.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Qyteti i gurtë”, janë nga romanet më të mira, si nga përmbajtja dhe nga ana artistike. “Dimri i vetmisë së madhe”, megjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e partisë dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit…

Dhe mesa di unë, Ismaili e ka ripunuar këtë roman për të ndrequr gabimet e bëra. Edhe me mua ka biseduar për këtë e ka bërë autokritikë. Romanin “Dasma” ai e ka dënuar vetë si dështim etj. Për nga origjina, dihet se Ismailin s’e lidh gjë me armikun. Ai ndoshta ka dashur të fus në vjershë luftën kundër grupit të kompllotistëve e kundër burokratizmit. Por në këtë orvatje, dështoj.

Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptojë gabimet e rënda. Përsa i përket konfuzionit që kanë dhe disa nga shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftës kundër burokratizmit etj., mjafton të përmëndim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit: a) Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është kalbur me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj. b)Drama “Fytyra e dytë”, në fillim ishte një dramë që e nxinte situatën e rendit tonë sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj pas disa kritikave shumë të zbehta, e ndreqi këtë dramë gjer në një farë mase.

Kjo dramë ka 7-8 vjet që jepet. Por romani mbi burokratin Zylo është në qarkullim. Dhe megjithatë, më vonë siç duhet, Dritëroi shkrojë poemën e mrekullueshme “Nëna Shqipëri”. Ju e dini vetë më mirë se puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si p.sh. Fadil Paçrami, duhen flakur e dënuar.

Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar gjer në atë shkallë. Këtyre njerëzve ne duhet t’u ndihmojmë duke u vënë në dukje gabimet e të metat, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë gjer në funt. Pastaj po e kaluan barrikadën për m’atanë, më qafë paçin vehten. Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë unë jam dakort si të vendosni ju.

20.X.1975

Mehmeti

panorama/d.i.