Enver Hoxha çon në përplasje fizike mes ithtarëve të tij dhe demokratëve në Ditën e Dëshmorëve

Nuk ka shkuar siç pritej kremtimi i Ditës së Dëshmorëve. Komunistët, ajo pjesë e mbetur e ithtarëve të diktatorit, si çdo vit edhe këtë 5 Maj kanë shkuar të bëjnë nderimet e duhura udhëheqësit të tyre. Por kjo ditë, këtë vit dukej se nuk ishte për ta. Pankartat me foton e udhëheqësit komunist kanë shërbyer si sebep sherri dhe konflikti me disa mbështetës të Partisë Demokratike.

Në Shqipëri, 5 Maji, Dita e Dëshmorëve, u shoqërua me incidente në Tiranë ku pati përplasje mes demokratëve dhe një grupi nostalgjikësh të diktatorit Enver Hoxha.

Një grup prej disa dhjetra komunistësh kishin shkuar në Varrezat e Dëshmorëve për të bërë homazhe duke mbajtur në duar fotografitë e diktatorit Hoxha apo dhe të disa prej ish udhëheqësve të tjerë të periudhës së komunizmit. Në ndërkohë një grup mbështetësish të partisë demokratike kishin mbërritur në pritje të kryetarit Lulzim Basha dhe drejtuesve të tjerë demokratë. Ishte ky momenti kur ndaj grupit të nostalgjikëve të diktatorit, u lëshuan thirrje kundër komunizmit, ndërsa u sulmuan portretet e Enver Hoxhës, duke provokuar përplasje mes palëve

Në këto përplasje u përfshi dhe ish deputeti demokrat Ndriçim Babasi i cili shtyu me forcë një prej të moshuarve që i përkiste grupit të përkrahësve të komunistëve.

Edhe më parë, nostalgjikët e diktaturës komuniste kanë nxitur debate të forta me shfaqjet e tyre publike me fotot e diktatorit Hoxha.

Kryetari demokrat Lulzim Basha tha sot pas incidentit se Partia e tij është e angazhuar të çojë në Parlament ligjin për ndalimin e simboleve të komunizmit.