Elona Caslli: Koha për të ikur Lartmadhëria juaj, Edi Rama!

Nga Elona Caslli

Ka një kohë për të heshtur sikundër ka edhe një kohë për të folur.
Ka një kohë për të shkatërruar sikundër ka edhe një kohë për të ndërtuar.
Ka një kohë për të qëndruar sikundër ka edhe një kohë për të ikur.
Ka një kohë për gjithçka Lartmadhëri!

Koha për ikur ka ardhur!

E kam vështirë të besoj se dikush pranë mund t’ju thotë të vërtetën Lartmadhëri!
Nëse do të kishit mbajtur pranë, njerëz që do të kishin patur guximin t’ju thonin të vërtetën, atëherë do të kishit hyrë në histori dhe madje mund të kishit gdhendur emrin tuaj brenda saj.

Në histori nuk hyhet me një çetë banditësh, përkundrazi dilet nga historia bashkë me ta.
Në histori nuk hyhet me një çetë analfabetësh; përkundrazi përjashtoheni nga historia bashkë me ta.

Jeni i rrethuar nga njerëz që ju thonë vetëm atë çka ju doni të dëgjoni dhe duke qenë se iluzionet e përsëritura shpesh kthehen në bindje të ngurta, keni rënë viktimë e iluzionieve brenda kafkës suaj.

Kjo është e dukshme në argumentet që paraqisni në një debat cilido qoftë ai.
Çdo fakt që nuk puqet me të vërtetën tuaj është medoemos një gënjeshtër.
Ndërkohë që e vërteta e vërtetë, është krejt ndryshe.

E vërteta është që në vitin e mbrapshtë 2013 i ftuat shqiptarët të shkonin përtej të majtës dhe të djathtës dhe të mendonin për Shqipërinë dhe të votonin Rilindjen.
Gjatë vitit të parë të mandatit tuaj të parë, fjalimi juaj fillonte gjithmonë me faktin që nuk ishte e lehtë të trashëgoje një kaos 23 vjeçar.

Pyetje- Çfarë bëtë ju për ta zhbërë kaosin e ndërtuar për plot 23 vite?
Mos vallë mblodhët profesionistët me emër në fushat përkatëse dhe i emëruat në krye të institucioneve?
Një fakt i pamohueshëm është që moshën dhe përvojën e një individi ju e quani turp, Lartmadhëri.
Ndërkohë që është krejt e kundërta.
Vetëm përvoja e profesionistëve në fushat përkatëse mund ta rimëkëmbë këtë vend.
Dhe përvoja vjen me kalimin e viteve dhe jo me mungesën e tyre.
Në krye të institucioneve vutë individë që nuk kishin formimin përkatës për institucionet që drejtonin dhe pasojat e këtyre emërimeve duken qartazi sot, ku çdo institucion është i zhvlerësuar më shumë se kurrë.

Shqiptarët u përfaqësuan në parlament nga një bashkësi horrash, në jetëshkrimin e të cilëve hasen dendur vrasje dhe arrestime.

Të përshkruash plaçkitjen e vendit gjatë këtyre viteve do të thotë të hartosh një enciklopedi me titull “Rivdekja e Shqipërisë.”

Përtej Shqipërisë së Rivdekur Lartmadhëri, gjatë këtyre viteve na është dashur të përballemi edhe me prirjen tuaj sistematike për t’u vetëquajtur një autoritet absolut.

Për të qenë më e kthjellët, më lejoni t’ju jap disa shembuj të prirjes suaj….

-Vetëquheni shpesh “ Nxënës i Konicës”.

Sipas mendimit tim, ka një ndryshim shumë të madh midis leximit dhe citimit të një autori dhe përjetimit të brendshëm të tij.
Thonë se është mirë që njeriu të lexojë për të lartësuar mendjen dhe jo për të pasur një bashkësi citatesh brenda kafkës.

Në cilësinë e nxënësit të Konicës, dua t’ju rikujtoj faktin se nxënësi i dytë i Konicës i shpallur nga ju vetë, Prof. Aurel Plasari ka një mendim të kundërt mbi djegien e mandateve nga ana e opozitës.

Po e risjell në vëmendjen tuaj këtë fakt, se gjatë një interviste, pasi u vetëquajtët nxënësi i Konicës, thatë se edhe Prof. Aurel Plasari mund të quhej nxënës i Konicës .

Nxënësi i dytë i Konicës mendon se djegia e mandateve nga ana e opozitës është një akt demokratik në mbrojtje të demokracisë. Sipas tij, refuzimi për të marrë pjesë në një parlament qe ai e quan ilegjitim, është vendim demokratik për mbrojtjen e parimeve demokratike; parime të cilat nxënësi i parë i Konicës nuk i ka njohur kurrë.

Mbetet i hapur diskutimi se cili nga nxënësit e ka lexuar Konicën dhe cili prej tyre e ka përjetuar së brendshmi atë.

– Vetëquheni i gjithëpushtetshëm

Unë iki kur të dua unë dhe jo kur të duan shqiptarët- do të shpreheshit ju.

Lartmadhëri nëse e keni harruar, Kryeministri i një vendi është një individ i punësuar nga Kombi Shqiptar për të ushtruar një detyrë për një periudhë të caktuar kohore.

Ju nuk mund të dilni mbi vullnetin e shqiptarëve në një sistem demokratik.

Në një sistem diktatorial deklarata të tilla janë të zakonshme.
Në një sistem demokratik, këto deklarata nuk janë veçse një sirenë therëse alarmi për t’u ngritur dhe për të mbrojtur demokracinë në vend.

-Vetëquheni njësia matëse e demokracisë

Nuk është kusht prania e opozitës që zgjedhjet e 30 qershorit të quhen zgjedhje demokratike.
Së pari, në procesin në fjalë kemi të bëjmë me një çështje terminologjie.

Qytetarët në Shqipëri Lartmadhëri, po i ftoni të votojnë zgjedhjen tuaj apo të zgjedhin mes kandidatëve që nuk ekzistojnë?!

Se të zgjedhësh, do të thotë të kesh se kë të zgjedhësh.
Ndaj, njësia matëse e demokracisë në këtë rast,nuk fort e saktë Lartmadhëri.

Mund të jetë njësi matëse e saktë për çdo sistem, por veçse për një Sistem Demokratik nuk është ,veçanërisht pas telenovelës së shfaqur nga mediat gjermane, e cila dëshmon dhimbshëm funeralin e demokracisë në vend!

Ka ardhur koha për të ikur Lartmadhëri!

Post Scriptum- Teksa përpiqeni ta paraqisni Protestën Popullore si protestë të Opozitës Lartmadhëri dhe të gjithë pjesëmarrësit e saj si anëtarë të partisë, nuk bëni gjë tjetër veçse më risillni ndërmend një rrëfim të At’ Zef Pllumit.

Pas rrëzimit të Diktaturës dhe rihapjes së Kishës së Laçit, shumë qytetarë nga mbarë Shqipëria u ritakuan me Zotin në liri.
Ditën që portat e kishës u hapën, “ Radio Tirana” asokohe ende nën trysninë e pushtetit dha këtë lajm:

-Qytetarët e Tiranës dhe të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë shkuan sot për një piknik në Kishën e Laçit.

Nuk do të çuditesha aspak sikur më 8 qershor të buçiste i njëjti lajm:

Qytetarët nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria po bëjnë një piknik në bulevard.

Elona Caslli