Eliot L. Engel: SHBA duhet të këtë qasje të drejtpeshuar ndaj Kosovës dhe Serbisë

Ligjvënësi amerikan, Eliot L. Engel, kryesues i komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se ka diçka të gabuar në politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe kjo duhet të korrigjohet, duke bërë thirrje për një qasje të drejtpeshuar ndaj Kosovës dhe Serbisë.

“Të thuash se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë marrëdhënie të ngrohta dhe të afërta, do të ishte nënvlerësim i thellësisë së lidhjeve tona. Shtetet e Bashkuara udhëhoqën fushatën për t’i dhënë fund spastrimit etnik gjenocidal të (Sllobodan) Millosheviçit dhe ka qenë mikja më me ndikim dhe më këmbëngulëse e Republikës sovrane dhe të pavarur të Kosovës. E kam vizituar Kosovën shumë herë dhe mund të them me bindje se amerikanët nuk priten më ngrohtësisht diku tjetër në botë”, shkroi ai.

Ai tha se është krenar që ishte partner i qeverive të Kosovës të udhëehqura nga parti të ndryshme politike, duke mos mbajtur anë sepse ky është vendim i qytetarëve të Kosovës.

“Prandaj, po shqetësohem gjithnjë e më shumë me taktikat e ashpra që po i përdor administrata Trump kundruall Prishtinës. Departamenti i Shtetit ka kërkuar tash e sa kohë që Kosova t’i heqë tarifat. Por, kjo administratë përdori ndëshkime ekonomike vetëm pak javë pasi qeveria Kurti mori pushtetin. Në vend se ta linte qeverinë e re të merrej me pandeminë (COVID-19), me agjencitë dhe të niste procedura të brendshme, Shtetet e Bashkuara i kontribuuan krizës politike në Prishtinë, për shkak të tarifave ndaj Serbisë”, shkroi zoti Engel.

Sipas tij ka shumë arsye të mira që Kosova të heqë tarifat, në radhë të parë për faktin se ato më shumë po e dëmtojnë sesa që po i ofrojnë ndonjë mundësi për arritjen e ndonjë marrëveshjeje paqësore me Serbinë.

“Sido që të jetë, tarifat janë mjet legjitim i një shteti sovran. Si të tilla, ato janë vënë anembanë botës nga presidenti Trump, si kundër miqve ashtu edhe armiqve, për shkaqe ekonomike dhe politike”.

Ai tha se në vend të Ligjvënësi Engel shkroi se në vend të përdorimit të taktikave të rrepta me një shtet mik, që mbështetet tek përkrahja amerikane, Shtetet e Bashkuara është dashur të punojnë me durim me qeverinë tani në largim për përmirësimin e politikave që promovojnë mirëqenien dhe paqen afatgjatë.

“Për më tepër, trysnia mbi Prishtinën rreth tarifave është tejet i pa drejtpeshuar. Diplomatët serbë janë duke e shëtitur globin, për t’i nxitur shtetet që ta çnjohin Kosovën dhe Serbia është duke i thelluar marrëdhëniet e saj me Moskën teksa po blen sasi të konsiderueshme armatimesh ruse”, shkroi ai duke theksuar se këto blerje armësh do të duhej të pasoheshin me sanksione mbi Serbinë. “As që i kemi vënë këto sanksione dhe as nuk e kemi nxitur Serbinë më fuqishëm që t’u japë fund përpjekjeve të veta për çnjohje”.

“Diçka është e gabuar në politikën amerikane dhe duhet ta korrigjojmë. Duhet ta fillojmë me ri balancimin e qasjes sonë kundruall Serbisë dhe Kosovës. Duhet të bashkëpunojmë me aleatët tanë evropianë për t’i trajtuar të dyja shtetet si partnere të pavarura dhe sovrane, duke përdorur standarde të njëjta për të dyja palët, teksa përpiqemi t’i rifillojmë bisedimet paqësore. Kur ligji amerikan thotë se duhet t’i vëmë sanksione Serbisë shkaku i lidhjeve të saj të sigurisë me Rusinë, atëherë duhet ta bëjmë”.

Ligjvënësi kërkon që Shtetet e Bashkuara “të rifillojnë menjëherë ndihmën nëpërmjet Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit”, duke nënvizuar se “përdorimi i kësaj ndihme si trysni detyruese për veprime që nuk lidhen me MCC-në apo misionin e saj, e bën këtë agjenci një mjet tjetër për ushtrim trysnie – duke e shndërruar pikërisht në atë që është synuar të mos jetë”, shkroi ai.

Të mërkurën, qeveria e Albin Kurtit, nuk i mbijetoi një mocioni të mosbesimit të hedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që ishte pjesë e koalicionit qeverisës. LDK-ja kërkoi që tarifat të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Mospajtimet brenda koalicionit qeverisës kulmuan me shkarkimin e ish ministrit të Brendshëm nga radhët e LDK-së.

Përgjatë debatit të së mërkurës në parlamentin e Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme”, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shkëmbim territoresh.

Të enjten në një deklaratë të përbashkët, ambasadori Richard Grenell i dërguar presidencial për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, theksuan se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë.

VOA