Elida Rusta, kënduesja e nji shpirti t’çiltër poetik, vargu qi trazon e përpush

Nga Albert Vataj

Nuk kishte me pas andërr ma t’bukur për një dëshirim t’prushun n’flakt e pasionit, se sa me e gjet vedit t’mbërthyem prej nji shpërthimi drite qi t’ue t’pa me kureshti dhe adhurim lyp me t’than njat qi t’ban me u ndi  qiellor ndërsa rrekesh përmes gjanash dhe gjendjesh me jetësu n’fjalë e n’vargje gjithçfarë t’ysht me ken i kapluem prej nji përjetimi t’brisht e përshkues. M’bahet se ky përkufizim mundet me ken kretçfarë udhëprin përnga njaja gosti mëtimesh krijuese, poeten Elida Rusta.

Mundësia për me ken i rrethuem prej nji begatie amëlcimi shpritnor dhe nji forcë përtrise që mëkon poezia, asht njaq bujare sot, sa kurrë ma parë. Rrjetet sociale dhe nevoja për me komuniku përmes formave t’epërme shprehëse, siç asht poezia, e kanë pasunu dëshirimin tonë, tue e mbush me ambrozin e çdo shpirti. N’kyt shpërblesë kumtimesh t’zashme, kam guxue me dallu shpesh emna dhe vlera, stile dhe trajta, siç due tash me dëshmu, po, Elida Rusta. Prejt tana andjeve, t’cilave mundem me u lan nga nji vend t’privilegjuem, kjo asht njana prej tyne.

Nuk i mora leje me shkru këto radhë për poezinë e saj, siç nuk dëshirova me ken i urdhnum prej kurrfar shtyse, thjeshtë prej dëshirës me dëshmu ç’kam m’ban me ken i dashanum mbas poezis së s’saj. Elida Rusta asht poete, por ajo din dhe mundet me ken edhe nji lëvruese e amël e gegnishtes, e njasaj forme t’bylbylshme këndimi. Rend nëpër kyt rrugëtim, pa ken e ngucun prej nji detyrese se i duhet me shkue dikund. Ajo ecën, vrapo… e n’se e shihni tue fluturu mundeni me i besue syve dhe mendjes, ngase asht fjala, asht e bukura njajo qi t’ban me u ndi i kapun prej këtij hutimi, asht emocioni qi ajo mëton me poezinë, me kangën e saj.

Poezia e Elidës asht njaq e thjeshtë sa dhe e garrametshme, e brishtë dhe vërshuese, e athët dhe dehëse, asht… formë çlirimi prej gjithë atij densiteti përjetues gjendjesh n’cillat ajo pjesmërr. Fjala rrxohet prej nji naltësie, si pikat e shiut, e tue dasht me shue etjen e zjarmisë, veç se e ndez ma keq. Asht ky pragu, prejku poetja lshon ernat qi mban t’kyçun shpirti i vet. E vjen ky taft e t’trazon tue t’ledh, e beh kjo prekje e t’përflak tue t’prek. Palohet n’prehnin e njatij dëshirimi qi i ban vend si gjethet qi vjeshta rrxon, e turravrap lyp me t’tregue hanat qi e kqyrën tinzisht, e fluturat qi e ngucën n’hoka e shpengim.

Elida Rusta me poezinë e saj nuk don me than, por don me t’ftue me ndi, me përjetu, njat qi i gurron n’krahnorin e vet, njat qi shpërthen n’gjoksin e tankujt qi don me ken za dhe zemër n’nji moment shpërthimi.  Vargu i kësaj fryme trazon e përpush, njitet e zdryp, rrxohet e naltësive, gjen krahë me fluturu, ngucat e lajkaton, e… mbasi ka ladrue e t’ka përkund, t’kthen te njaj çast qi t’ban me u ndi tjetërqysh, t’ban me ken tjetërkush, t’ban me kqyr tjetërsi, e pse jo, t’fton me guxue me dasht, me dasht me ken ç’ka t’ban me ndi ajër, frym, pend, gjethe, prekje.

Poezia asht mision dëshirimesh me komunikue zashëm në vetminë e gjendjeve qi t’baj me u kthy te vedja, e ma mirë se Elida Rusta nuk mundet me e ba tjetërkush me njaq çiltërsi dhe thjeshtësi. Duket kjartë se ajo nuk e vret mendjen për formë e trajtë, për qëndisma e ojna, ajo kallzon ç’ka ndin, ndoshta jo dashtazi me t’ftu me ken edhe ti n’t’njejtin përjetim, por me t’tregu se mundesh edhe ti me jetu poetikisht, siç ajo ka zgjedh.

 

Poezi në shtegtim nga Elida Rusta

 

Jam dikund

 

Dikund jam

mes diellit që m’pat qorrue

e minutës çmendun

që m’bani me harrue verbimin.

Jam

ndër rrugë t’mbushuna me xhind

që m’thërrasin me gëzue.

Prej frëngjisë së flirtit

i shoh me lakmi.

Nandaja m’pat msue

mos me luejt me ta.

As me i shkel kurrqysh,-thosh nanbabja,

se t’bajnë sakat…

Dikund jam…

Ndoshta n’ujë

ndoshta ujë që s’don me pranue

zhegun e verës…

 

Kulla e dashnisë

 

Edhe n’Maj ti je nji ditë,

nji orë,

nji çast ku nisi zanafilla jeme.

Edhe në Maj

ta gjej emnin n’pritje të gjata,

lutem me t’u la shpirti me njolla drite.

Edhe në Maj të mshefi keq mbas rreshtash,

qiellin ta lá çdo ditë dyerhap’.

Në pritje malli me diçka si pranverë veshë,

lidhi nyje grykën e fjalës,

përqeshi Janarin që e thau luleborën,

vrapoj si Valbonë e harlisun

që nuk i vihet pritë.

Ti nuk e njeh nji Ajkunë

ma t’vuejtun se mue,

të çuditë lumtunia jeme e vogël

në barkun e nji lirie prej qielli,

që edhe në Maj

shkyen gjoksin e mbushun me zogj,

sytë i ngjet yje n’qiell,

e t’pret me i ra n’mes të zemrës përdhuni

si muzikë e përtej shpirtit.

Ejjj , Maj i bukur e dhjetor i përkryem!

Drita e kaloi hijen e vet mbi mue.

Kulla e dashnisë

tash e ka nji emën për dhimbjen…

 

Prap’

 

Nuk i due portet,

aeroportet,

as periferitë,

shinat e trenit

vendet ku nisen-ndahen njerëzit.

M’pëlqen rána,

deti

mali má shumë,

me m’mbulue me borë

fund e krye.

Më mungon ajo

bukuria që vret.

Me nda ándrrën me té

se ti veç në ándërr më vjen.

Më rrin përballë

m’i puth duert pa prá,

m’i puth sytë.

Të mjerët poetë frikacakë,

që në delir të lirikës,

thonë të vërteta për veten!

Më fal!

 

Prapë e shkela që ta thashë…

 

Po e hedh në ankand unazën me diamante,

le ta marrin vdekatarët

t’i lexojnë varret që kanë brenda vetes!

 

Vdekja ka nevoje per drite

 

Hyji i zemrës téme t’ngujueme,

bekoje a fike këtë dashni t’mallkueme,

t’krezmueme n’mu!

Pranoje dashninë téme idile,

të çmendun,

deri në amshim.

Edhe vdekja ka nevojë për dritë,

mos me thy kryet humnerave t’veta!

 

Kur era fryn prej tana anëve

 

Nisem me t’puth,

t’vras,

nisem me t’dashtë,

pendohem.

T’mbështillem në zemër,

si gjethe që era e fryn prej tana anëve.

Jap shpirt te kambët e lirisë tande.

 

Mbas shtatë qiejve asht gjithmonë nji bjeshkë

 

A nuk t’pata thanë

se me gërrye n’ujëvarë

skurrjelat e lotëve kthehen n’rubin,

se mjellmat e bardha

dridhin çdo erë të zezë?

Se furtunat rrënojnë

e dashnitë nuk vuejnë ma

si shekullin e kaluem?

A nuk të pata thanë

se regëtimat e shpirtit

janë ngrehë e ndërtueme për robni,

se s’ka nji ligj t’përjetshëm

me u rrit n’dashni?

Të pata thanë

se mbas shtatë qiejve,

gjithmonë e ka nji bjeshkë…

 

Andrra

 

Andrra lojcake

përplaset në realitetin shkamb..

Mue m’vret vetja

në drejtësinë e cungueme

të kësaj bote të rrejshme.

 

Kam harrue

 

Në kohën e librave të mi,

marrja dridhej si thupër n’trup.

Sot,

shkon e vjen pa i bá përshtypje.

Në kohën e librave të mi,

jena gjujt topa bore për mirakánde,

festat me dritë hane i kena bá.

Kufini u vu me ardh rrotull,

jo me thye qafën n’pragjet tona.

Në kohën e librave të mi,

ishim të aftë me “vra” për nji buzqeshje.

Shpirti ish gjallē,njeriu ish njeri.

Sot,

Dashnia ka hy n’zgavra dhimbjesh si korb,

qiell pa planete asht’ bá.

Kohën e librave të mi

e kanë bà t’marrë.

Shkon udhës tuj i kndue betejat e humbuna.

Prej asaj kohe,

kam harrue sa vjet i kam

e në çfarë moshe jam…

 

S’po mbaroj s’rrituni

 

T’kisha ditë se je kaq pa puls,

grimcat e poezive t’dashnisë tonë

i kisha shkye me kohë.

U afrova shpejt

e m’torturove kadalë.

As vetë s’po mbaroj s’rrituni,

as ty s’po arrij me t’ringjallë…

 

N’Bunë

 

U futa sërish në Bunë,

etja harliset tek një krua.

Dashnia jeme të shterr

a të shemb,

si thua?

 

Me m’ruejt me dashni

 

Ka me rá shi atë ditë që do vdes,

përcjellësit do shpejtojnë të më mbulojnë.

Shpirti ka me ngá me marrë qiellin,

me m’ruejt me dashni asobote.

Do hutohet mbas vetëtimave,

e do digjet prapë nga rrufeja jote.

 

Një gllenjkë prej gjinit tand

 

A t’kujtohet Kosovë,

kur në shekullin e qorrtë,

na patën dënue me ndarje,

e jo për faj tonë?

Kohë e zezë ish.

Prej mungesës tande m’pat mbetë nji i ftoftë ma tepër,

nji krye i kthyem e sytë me gjak se s’mujsha me lotue askund për ty,

Sall ofshava nën zá robninë tonë.

Nishanxhi të mëdhenj qëlluen,

na ranë mu në aortë.

Ta kam pa dekën në trupin me zemrën e shueme,

e trupi jem vdiste përditë

pa m’i pa kush sytë e shpirtit…

Ishin vite pa datë,

pa histori,

pa identitet.

Sot vi tek ti

me diçka si pranverë vesh,

nji kullë ndërtoj me dashninë tonë.

E pi nji gllenjkë prej gjinit tand

e të dyja bashkë çojmë shkambin në cep t’synit,

bashkojmë Urën e Shenjtë me mitin e Rozafës,

ndezim qirinjtë e shpresës,

s’jetojmë me fatin në grushtin e tjetërkujt.

Kosovë

a hiç nuk e ndien dashninë téme?

Kjo kohë nuk asht má si tjerat,

ti tash je edhe e jemja.

Nji lutje kam për ty

Duaje veten e ma ke kthye dashninë 100-fish

E dielli ka me m’dal në krahnor

Kostandinët prap’ kanë me e mbajt besën

pabesia ndrron rrugë,

ja bajmë funeralin tradhëtisë

bashkë i ngjitena malit pa qa se asht i naltë…

 

Elida Rusta

***

M’u duk pak çka shkrova dje për ty,

e po nisi me shkrue prej fillimit

Na duhena bukur,

as shumë vonë si te Markezi,

as shumë herët si te Lolita.

E kam kryet pa flokë,

në krahnorin tánd të butë.

S’kam dert

deri nesër të paktën.

I jam nënshtrue amelsisë tánde.

Le të ikin táná sendet e tepërta,

thonjtë e eshtrat pa lëkurë,

Piqem në gushtin e buzëve të tua.

Mban mend?

Para shumë vjetësh

t’kam shkrue prej pyjeve.

Me sytë si t’drenushës

kur duen me e plagos

t’jam lut

mos me i pi prrojet ku rrjedh háná,

se disku i saj t’mbetë në fyt,

peshqit të ikin prej ujnave të syve,

nuk muj me pá hijen téme përmbys

në sytë e kaprojve,

as diellin e mjerë që zbret

me shtagën e rrezeve

si plak pjerrtësisë së pyjeve

ku ketrat shpesh u harrojnë vendin farave t’mshefuna

e pylli bán festë.

Kjo ásht festa jonë,

në një lëndinë t’humbun,

ti ke ándrrat e bletëve në buzë,

unë me kryet pa flokë,

s’kam dert deri nesër.

Shportë e thurun

me lastarë shelgjesh lotues

që qajnë hala

për ikjen e zogjve te trembun të Shirokës,

për mbytjen e mjelmës në liqé t’dhimbjes,

me “oh” e “ahe” si petale lulesh.

Këto janë rreshtat e tu

që i mbylle në shtatëqind dryna,

ato kohë kur shkove me u rrit

e mbete po aq.

Ah tiii!

Xhind me llambën e kuqe të fatit tim në dorë.

U djegsh në mall,

flaka të daltë!

Hirin tém hidhe prej ballkoni,

të mbulohem me humusin tim.

Ndoshta

mbijnë njerëz má t’mirë në katin e parë

e ashtu kat pas kati,

qiell pas qielli,

deri te i shtati.

Merre tash qiellin,

shihi njerëzit prej dritares,

ti je dritë e nji bote tjetër,

të lejohet me pá prej nelt,

me u deh thërrmueshëm,

në hánën jeshile të syve të mi.

Nisu drejt qiellit shpirti jém,

veç nji herë lejohet.

Ndoshta vdesim tuj u dashtë..