Ekzekutimi i Haxhi Qamilit, atij që udhëhoqi kryengritjen e Shqipërisë së Mesme në vitet 1914-1915 kundër mbretit Wied

Më 16 gusht të vitit 1915, qeveria shqiptare do të ekzekutonte Haxhi Qamilin, pas kryengritjeve të këtij të fundit. Qamil Zyber Xhameta nga fshati Sharrë i Tiranës, i njohur si Haxhi Qamili, ishte figura qendrore e kryengritjes së Shqipërisë së Mesme në vitet 1914-1915. Parimet e Haxhi Qamilit dhe të kryengritësve që udhëhiqte ishin kundërshtimi i politikave pro-perëndimore të mbretit Wied dhe qeverisë së Esat Pashës, dhe bashkimi pa kushte me Portën e Lartë. Duke qenë se kjo lëvizje kryengritëse u bë pengesë për zhvillimin e vendit, qeveria arrestoi udhëheqësin e saj bashkë me një tufë mbështetësish. Xhelal bej Zogolli kryesoi gjyqin e kryengritësve, në përfundim të të cilit kryengritësit u dënuan me vdekje dhe u varën publikisht më 16 gusht 1915. Sjellim këtu fotografitë e bëra gjatë gjykimit të Haxhi Qamilit.

Haxhi Qamili (Sharrë, 1876 – Durrës, 16 gusht 1915) ka qenë prijësi i një kryengritjeje panosmane dhe islamike në vitet 1914-1915 në Shqipërinë e Mesme.

Revolta fshatare

Kryengritja nisi në mesmajin e 1914, por zanafillën e kishte që më 1913 e kishte mbështetjen e vet në viset Shijakut, Kavajës dhe Tiranës. Më 3 qershor 1914 kryengritësit të prirë nga myftiu Musa Qazim Beqari, bënë të ditur kërkesat e tyre në një mbledhje në Kavajë, ndër kërkesat kërkonin largimin e Princ Vidit të sjellur nga Fuqitë e Mëdha. Kryengritësit myslimanë kërkuan ribashkimin e Shqipërisë me shtetin osman ose së paku të qeverisej nga një sundues osman, rivendosjen e Sheriatit, heqjen e flamurit shqiptar dhe rivendosjen e flamurit osman.

Kryengritja korri sukses të ndjeshëm në Shqipërinë e Mesme, duke mundur të kapej Lushnja dhe më 1 shtator Vlora. Dy ditë më pas, Princ Vidi u detyrua të braktiste mbretërinë e tij gjashtëmujorshe dhe kryengritësit nxorrën ligjin për ribashkimin me Perandorinë Osmane.

Qamili ishte bërë njëri ndër prijësit e revoltës. Nga fundi i nëntorit të 1914, rebelët dolën ngadhënjyes në Tiranë, më 12 shtator shkrumbuan sarajet e Esad pashë Toptanit në Derven. Janarin e 1915 revoltuesit me Qamilin në krye bënë një mbledhje në Tiranë, ku vendosën se qeveria e Esad Pashës ishte jolegjitime dhe duke pohuar neutralitetin e shqiptarëve në Luftën e Parë Botërore. Më 9 maj 1915 në Tiranë, në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, u zgjodh komandant i përgjithshëm.

Vdekja

Në një përpjekje për të ndihmuar Esadin e mbështetur nga italianët, Mbretëria Serbe filloi pushtimin e Shqipërisë së Mesme më 2 qershor 1915 por ndeshi në rezistencë të kryesuar nga Qamili në Qukës, ku megjithatë kryengritësit më të paktë në numër se serbët, humbën. Përmes kësaj ndërhyrjeje kryengritja u shtyp, forcat serbe arrestuan Qamilin dhe prijësit e tjerë dhe ia shpunë qeverisë së Esadit në Durrës, ku iu bë një gjyq kryesuar nga Xhelal bej Zogu dhe u dënuan me varje, Haxhi Qamili u var më 16 gusht duke pranuar se i kishte djegur vetë sarajet e pashait.

Trashëgimia

Enver Hoxha besonte se kryengritja fshatare nën drejtimin e Qamilit ishte kryesisht e fshatarëve të varfër, të cilët mbështeteshin tek forma tradicional qeverisëse si kuvendet e fshatit për të organizuar dhe drejtuar një përpjekje kundër interesave feudale. Qamili predikonte se çdo pronë që tejkalonte nevojat personale t’u kalonte skamnorëve, duke cituar Kuranin dhe duke përcjellur mësimin e tarikatit Melami, i cili mëson kundër pronës private. Kryengritësit nën komandën e Qamilit konfiskuan çifligjet e feudalëve, dogjën sarajet e bejlerëve dhe ndihmuan të varfërit, të pamundurit dhe jetimët.