Ekskluzive, Sali Berisha flet për Express: Rama po i jep një kartë të fortë Serbisë me deklaratat e tij

DONIKA KRASNIQI/ GAZETAEXPRESS

Ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka dëgjuar ‘live’ në Parlamentin e Kosovës Edi Ramën duke thënë se Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një President të përbashkët në të ardhmen. Rama i ka rënë pishman për këtë deklaratë, duke e shpjeguar si shëtitje nëpër imagjinatë, por sipas Berishës deklarata të tilla i bëjnë dëm Kosovës, tani që po bën negociata me Serbinë, e cila mund ta përdorë këtë si kartë në tryezën e bisedimeve.

Për më tepër, Berisha thotë se Rama ka deficit patriotik në Kosovë, të cilin ende po përpiqet ta mbulojë. Por, jo vetëm këtë. Sipas Berishës, ai po përpiqet t’i mbulojë edhe dështimet në Shqipëri.

Në intervistën për Express, Berisha flet edhe për idenë e ndarjes, për çka thotë se nuk ka fakte nëse Rama është i përfshirë në këtë, por thotë se nuk do të çuditej fare se ai do të mund ta ketë diskutuar me Vuçiqin.

Gazeta Express: Z.Berisha, Kosovën dhe Shqipërinë gjithmonë e kanë karakterizuar zërat se duhet ndodhur një bashkim kombëtar, për të cilën ju jeni deklaruar kundër. Por, meqenëse kjo është një ide e kahmotshme, tash u propozua edhe një President mbarëkombëtar. Kjo u tha pikërisht nga Edi Rama në festën e Pavarësisë. E prisnit ju këtë dhe a e shihni të realizueshëm këtë koncept?

Sali Berisha: Mendimi im është i pandryshueshëm, ideali suprem i shqiptarëve është ideali i bashkimit kombëtar. Por kjo në vlerësimin tim mund të ndodhë vetëm si një bashkim i dy vendeve demokratike, të pavarura, plotësisht të integruara në NATO dhe BE dhe natyrisht me një pëlqim të domosdoshëm të SHBA dhe BE, por duhet që edhe fqinjët të binden se një shtet i tillë nuk paraqet kërcënim për ta.

Nuk duhet harruar se dokumenti ndërkombëtar Ahtisari, mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, përcakton mosbashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe as me Serbinë. Mendoj se ideja e bashkimit apo deklarata për bashkimin në këtë fazë të negociatave ndihmon ndjeshëm në rrafshin ndërkombëtar palën serbe dhe dobëson qartë pozitën e palës shqiptare në negociata, u jep serbëve një kartë të fortë në dorë për mungesë serioziteti dhe sinqeriteti të palës shqiptare, e cila tjetër negocion, tjetër ka në mendje.

GazetaExpress: Pse mendoni se Rama e dha një propozim të tillë?

Sali Berisha: Në mendimin tim, procesi i negociatave me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve me këtë vend është dhe duhet të jetë përparësia më kryesore e autoriteteve të Kosovës dhe shndërrimi i këtyre marrëveshjeve në marrëveshje paqe. Në këtë kontekst, një deklaratë e tillë u shërben vetëm interesave të ngushta të Ramës dhe Vuçiqit. Të parit sepse, me deklarata te tilla kërkon të mbulojë dështimet e tij dhe se i duhen si qyrkë nacionalisti për shqiptarët e Kosovës për të mbuluar defiçitin e tmerrshëm patriotik dhe  çelësin e artë të Tiranës që i vendosi në gjoks Bregoviçit. Me një fjalë, kjo deklaratë e Ramës në Parlamentin e Kosovës është si atletet e tij të kuqe në takime ndërkombëtare. Të dytit i duhet për ta tundur para të tjerëve si “eureka”, ja sepse nuk ecin negociatat (për të cilat ai nuk ka asnjë interes që të ecin) sepse ata, shqiptarët, nuk duan marrëveshjen, por bashkimin.

GazetaExpress: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj kësaj ideje duke thënë se e njëjta është e dëmshme për të dyja vendet. Sipas jush, a po ndërhynë kryeministri Rama në masë të madhe në punët e Kosovës?

Sali Berisha: Mendoj se nuk është aspak e dobishme për asnjërën palë dhe asnjërin vend.

Kjo deklaratë, dhe të ngjashme si kjo, krijojnë pështjellim edhe në BE dhe në qëndrimin e vendeve anëtare ndaj integrimit të Kosovës pasi ato pranojnë vetëm vende pa sherre njëra me tjetrën dhe jo ato që kanë probleme madhore për të zgjidhur.

GazetaExpress: A mendoni se e ardhmja e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë në BE dhe të hiqet dorë nga bashkimi kombëtar?

Sali Berisha: Mendoj se e ardhmja më e mirë e shqiptarëve është anëtarësimi i plotë në BE i Shqipërisë, Kosovës por edhe vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarë. Por mendoj se ky proces jo që nuk duhet të pengojë dhe të lërë në pritje integrimin ndërshqiptar,  por përkundrazi duhet të nxisë atë!

Në këtë kontekst është e papranueshme që autoritetet midis dy vendeve tona të mos vendosin brenda një kohe të shkurtër të gjitha standardet që ekzistojnë në lëvizjen e njerëzve, mallrave, kontrollin e kufijve, njësimin e ligjeve e praktikave që ekzistojnë midis dy vendeve anëtare të BE. Asgjë nuk pengon autoritetet e dy vendeve tona të ndërmarrin investime e projekte të rëndësishme integruese në fushën e infrastrukturës, rrugëve, hekurudhave, në fushën e arsimit, kulturës, kutikulave, në shkencat e etnogjenezë e në adaptimin e dy shtetësisë për qytetarët e të dy vendeve që e dëshirojnë atë.

GazetaExpress: Kohëve të fundit po qarkullon një ide për ndarje të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Edhe kësaj radhe përmendet të jetë i përfshirë Rama. Nëse kjo është duke ndodhur, cili është qëndrimi juaj, pra a duhet që të negociohet shkëmbimi i territoreve?

Sali Berisha: Ideja për ndarjen e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është një ide e viteve 1990 e Sllobodan Millosheviqit, e ndërmarre nga Beogradi edhe pas çlirimit të Kosovës.

Unë mendoj se pranimi i diskutimit për këtë problem i jep Beogradit një të drejtë që ai nuk duhet kurrë të ketë, i jep atij një justifikim dhe legjitimim të pretendimeve të tij territoriale ndaj Kosovës. Prandaj dhe jam i bindur se mos hapja e kësaj çështje duhet të jetë kusht për të gjitha negociatat me Serbinë. Me uljen në tryezën e bisedimeve, Beogradi de facto ka njohur Kosovën, me kërkesën për ndarje të saj apo me kushtëzimin e njohjes edhe de juro të Kosovës, ai faktikisht bën pazar me troje shqiptare. Nuk kam të dhëna konkrete të implikimit të Ramës në këtë kërkesë por si tip okazional që është dhe protagonizmin fodull që kërkon të marrë, paternalizmin enverist që ishte përdorimi i Kosovës për qëllime të veta jo kombëtare, unë nuk do çuditesha aspak që të ketë diskutuar me “Sandrin”, siç e thërret ai më ledhati Vuçiqin. /Express/

http://www.gazetaexpress.com/intervista/ekskluzive-sali-berisha-flet-per-express-rama-po-i-jep-nje-karte-te-forte-serbise-me-deklaratat-e-tij-502346/