Ekonomisti shqiptar Mark Kakarriqi e propozonte në vitin 1932 për Shqipërinë

Bashkëthemeluesi i Microsoft, miliarderi dhe filantropi Bill Gates beson se pulat janë një mjet mjaft i rëndësishëm për të luftuar varfërinë globale. Ai ka dhuruar 100.000 zogj familjeve të varfra në zonat rurale dhe  argumenton se dhënia e pulave te të varfrit është një investim mjaft i mirë pasi ato janë të lehta për t’u kujdesur, riprodhohen shpejt si dhe sigurojnë një burim thelbësor të të ushqyerit. Qëllimi afatgjatë i Gates është të ndihmojë 30 për qind të familjeve rurale në Afrikën subsahariane.

Një ide të ngjashme ne e gjejmë edhe në Shqipërinë e vitit 1932. Mark Kakarriqi, një nga ekonomistët më të njohur shqiptarë të asaj periudhe, në një analizë të botuar te “Minerva” në gusht të vitit 1932 jep një ide identike për të luftuar varfërinë në Shqipëri.

Kakarriqi merr si shembull prefekturën e Gjirokastrës ku rezulton se në atë vit familjet mbanin 72 mijë e 254 pula. Ndërkohë, eksportoheshin rreth 1.6 milion franga ar vezë. Në këto kushte, ai propozon detyrimin e familjeve që të mbajnë së paku 20 pula. Potenciali i Shqipërisë në atë periudhë vlerësohej se ishte për 5 milion franga ar vetëm nga eksportimi i vezëve. Ai e cilëson këtë si një “burim të këndshëm dhe të shpejtë të të ardhurave” dhe si një mënyrë për të përmirësuar jo vetëm ekonominë familjare por edhe bilancin tregtar të vendit.

Kreshnik KUÇAJ/SCAN