Edor Kabashi nga Durrësi u shpall shkencëtari më i mirë në botë, në grupmoshën e tij për vitin 2015

• E nderon, ish-Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani nga Durrësi nuk e dekoron, ndonëse iu sugjerua

Dr. Edor Kabashi ka fituar çmimin ndërkombëtar “ENCALS Young Investigators Award” për vitin 2015. 38-vjeçari [në atë kohë] Kabashi u nderua me këtë çmim të rëndësishëm në shkencë, për punën e tij në fushën e gjenetikës, kryesisht për kërkimet e tij për sëmundjen e ALS-së (Skleroza Amitrofike Laterale), e ngjashme me sëmundjen e Alzhajmerit dhe të Parkinsonit.
Dr. Kabashi, që kryeson një ekip të specializuar që prej 2011 pranë institutit kërkimor të Parisit “ICM Brain and Spine Institute”, u shpall shkencëtari më i mirë në gjithë botën, në grupmoshën e tij.

Ndërkohë veprimtari atdhetar në Amerikë Mërgim Korça sjell një informacion interesant. Në një shkrim të gjatë, 23.12.2016, ndër të jera shkruan:
“… E keqja e madhe qëndron në faktin se si institucioni, i cili duhej që prej vitesh të shkuara të bëhej përçues i sukseseve të këtij shkencëtari me vlera botërore, për të cilin dendur e më dendur kur shkruhet për të në shtypin shkencor cilësohet si “shkencëtari shqiptar, Dr. Edor Kabashi”, pavarësisht në se vlerësimi i vinte fillimisht nga institucione shkencore kanadeze e në vazhdim nga të SHBA-ve e doemos pastaj edhe nga Europa si edhe më gjerë si shtrirje, Akademia e Shkencave Shqiptare ka heshtur e vazhdon e qëndron e heshtur ndaj informacionioneve rreth sukseseve të tij!
Këtë realitet, shumë të pakëndshëm sinqerisht që nuk di se si ta shpjegoj! Dhe e keqja e madhe qëndron në faktin se organizmat shtetërore ekzekutive shqiptare, lidhur me fushën e shkencave në përgjithësí, burim zyrtar themelor informacioni nuk kanë se kë të kenë tjetër veç Akademisë së Shkencave Shqiptare!
Meqë gjendemi përpara kësaj gjendjeje, ku Akademia e Shkencave nuk pipëtin, detyrohemi të flasim ne, thjesht simpatizantët e shkencëtarit shqiptar por ama, nga ana tjetër edhe të tejngopur përgjatë thuajse një gjysmë shekulli me… mendësinë skajshëm egoiste të sistemit diktatorial e cila vazhdon për plogëtí edhe sot të mos i vlerësojë vlerat madhore kombëtare! Natyrshëm lind pyetja: pse? Sepse përgjatë periudhës diktatoriale vetëm diktatori si edhe partia e tij e kudogjendur dhe e gjithëditur… kryesonin vlerat madhore kombëtare !
Përgjatë kësaj vazhde nuk mund të kalohet në heshtje fakti se si institucionet shkencore ndërkombëtare nisur nga pikësynimi që i kanë vënë vetes të shquajnë shkencëtarë deri 40-vjeçarë e që po arrijnë të kapin maja nga më të lartat arritjesh në kuadër botëror, ka vite që bashkatdhetarin tonë Dr. Edor Kabashin sa vjen e po e vlerësojnë lart e më lart!
… Nderim skajshëm i lartë si rezultat vlerësimi maksimal duhet të konsiderohet edhe fakti që me datën 24 shtator të vitit 2010, kur në Paris u themelua Instituti Europian i Neuroshkencës, (të cilën ngjarje e nderoi vetë Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy me inaugurimin që i bëri këtij Instituti), ndërmjet 21 kandidatëve nga e gjithë bota, shkencëtari shqiptar Dr. Edor Kabashi u përzgjodh ta udhëheqë ekipin e shkencëtarëve që do t’i thellonte hulumtimet si edhe përkatësisht edhe zbulimet e ardhshme eventuale rreth sëmundjes ALS, e cila ka filluar e bëhet sa vjen edhe më problematike në shkallë botërore!
Përgjatë kësaj rrjedhe, do t’ia tregoj lexuesit edhe një ngjarje të përjetuar nga unë në vetë të parë. Me që Presidenti i Shqipërisë [Bujar Nishani] kishte ardhur ato ditë për një vizitë në Michigan, unë i përgatita një letër të përbërë vetëm prej një faqeje, ku shkurtimisht i përshkruaja arritjet e Dr. Edor Kabashit në fushë botërore lidhur me ALS-në dhe se si qeveritë shqiptare heshtnin, dhe ia dorëzova Ambasadorit tonë të asaj kohe pranë SHBA-ve i cili, nga ana e tij ia dha dorazi Presidentit. Do që të pasnesërmen, nga që Presidenti deshi të bënte një takim me shqiptarë në njerën nga qendrat fetare shqiptare, edhe unë u takova me të. Kur ma zgjati dorën dhe unë, për t’u paraqitur ia shqiptova mbiemrin tim, Presidenti nuk ma lëshoi dorën dhe iu drejtua Ambasadorit duke e pyetur (që të sigurohej), nëse unë isha personi që ia kisha drejtuar letrën e mbasi ai ia pohoi, Presidenti më tha shprehimisht: “Mos e kini fare merak z. Korça, se mbasi e lexova dhe e mësova situatën, letrën tuaj në vend që t’ia jepja sekretarit, ia dhashë sime shoqeje ta fuste në çantën e saj e të ma japë sapo të arrijmë në Tiranë që ta kem parasysh!”
Ngaqë nga ana shtetërore deri më sot kur kanë kaluar pak, por mbi gjashtë vite dhe akoma nuk është marrë asnjë masë vlerësimi ndaj këtij shkencëtari, i cili ka mbi dhjetë vite që po e nderon vendin tonë në shkallë botërore, dy janë hipotezat që unëi konsideroj si më të mundshmet: ose Presidentin e kanë pasë bindur se informacioni i dhënë Atij nga ana e ime nuk ishte i saktë, por me ekzagjerime, e, pra, i pavlerë.
Ose letra në fjalë u arkivua ngaqë Presidenti kishte probleme shumë më të rëndësishëm të çastit për të ndjekur! (ndonëse jam disí i befasuar se si deri më sot nuk i është dhënë rasti Presidentit në fuqi ta ketë marrë atë informacion nga punonjësit e arkivit presidencial !)… ”

Info

• Edor Kabashi lindi në Durrës më 30 prill 1977, ku mësoi në dy shkolla me emër, ish-8-vjeçarja “Nako Spiru” (sot 9-vjeçare “Marie Kaçulini”) dhe e mesmja e përgjithshme “Gjergj Kastrioti”.
• Emigron familjarisht në SHBA, në vitin 1995, ku mëson në “Rogers High School” në New Port (Rhode Island). Këtu merr çmimin e Presidentit Bill Klinton si një nga studentët më të mirë të Amerikës.
• Studion për biologji dhe psikologji në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg (Maryland, SHBA).
• Shkon në Sorbonë, në Francë dhe në universitetin McGill (Montreal, Kanada) ku, në vitin 2000, diplomohet në biologji.
• Në McGill, në vitin 2006, Edor Kabashi merr gradën doktor në neurologji dhe neurokirurgji.
• Në vitet 2008 dhe 2011 fiton çmimin “Brain Star” akorduar nga Instituti i Kërkimeve në Fushën e Shëndetit Mendor, në Kanada,
• Prej vitit 2010, ai drejton grupin kërkimor në departamentin e sëmundjeve neuro-degjenerative, në Institutin e Neuroshkencës në Paris, Francë.
• Është djali i kandidatit të shkencave pedagogjike, njërit prej mësuesve të njohur të Durrësit, Kujtim Kabashi dhe i arkitektes Irma Mborja, vajzë kjo e pediatrit me emër të mirë në Durrës e më gjerë, Sulo Mborja.
• Është nipi i Mjeshtrit të Madh, aktorit me famë ndërkombëtare Mirush Kabashi, inxhinierit Sali Kabashi, gazetarit Gëzim Kabashi.

Thanas Mustaqi