Edi Rama përballë gazetarit Lufti Dervishi në RTSH: Nuk është e pamundur që të përsëritet pakti i 17 majit me Bashën

Kryeministri Edi Rama deklaron se në raportet me opozitën asgjë nuk është e pamundur, përveç dhënies së pushtetit nga ana e Partisë Socialiste. Në një intervistë për gazetarin Lufti Dervishi në emisionin “Përballë” në RTSH, kryeministri Edi Rama ka lënë të hapur edhe mundësinë përsëritjes së një marrëveshje të re mes tij dhe Lulzim Bashës, si ajo e 17 majit 2017. I pyetur nëse mund të përsëritet pakti i majit 2017, Rama tha: “Unë nuk mendoj se është e pamundur, por nga ana tjetër siç e keni parë dhe siç e kanë parë të gjithë opozita është pa lidership, pa vizion, pa strategji, pa program dhe ecën kuturu pa menduar për hapin e tretë, të katër, të pestë. Pra pavarësisht se ishte një mënyrë e mirë për të krijuar një eksperiencë dhe për të mësuar shahun, Lulzim Basha ka mbetur…”. Marrëveshja parazgjedhore e majit 2017 mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, cilësohet si pakti që solli dërrmimin elektoral të Partisë Demokratike dhe humbjen më të madhe historike të saj. Nga ky pakt, Edi Rama siguroi qeverisjen i vetëm ndërsa opozita po vuan pasojat e një marrëveshje që i ka sjellë vetëm dështime në aksionet e saj. Nga ana tjetër, Edi Rama la të kuptohet se në shtator PS do të paraqesë një platformë bashkëpunimi me opozitën, ku PS-ja do të ofrojë çdo gjë përveç pushtetit.

 

Ju keni thënë se ky do të jetë mandati më i vështirë që do të keni, a rezultoi i tillë viti i parë i qeverisjes tuaj?

Sigurisht, sigurisht sepse sfida është shumë e madhe dhe ndërkohë ne jemi vetëm në tryezën e qeverisë, por qëllimi ynë është të jemi në një koalicion real me njerëzit e zakonshëm për të cilin kemi nisur një përpjekje shumë serioze, përditë, hap pas hapi dhe ma ha mendja se si hap i parë, nëse mund ta konsideorjmë mandatin me katër hapa, është një hap pozitiv pikërisht në drejtim të përfshirjes të njerëzve në një proces ndërveprimi me qeverinë përmes platformës sonë shqipëriaqëduam.al, përmes llogaridhënies tonë publike që ishte më intensive sesa një fushatë elektorale për nga kapilariteti dhe që shënoi një proces dëgjimi dhe komunikimi të ri dhe patjetër edhe në gjitha aspektet e tjera të qeverisjes duke filluar nga përpjekja e jashtzakonshme për të transformuar administratën.

Këto janë gjëra që i keni bërë ose po i bëni dhe që do t’i kthehemi pak më vonë, por ju e pranuat që ishte vit i vështirë. Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju si kryeministër?

Momenti më i vështirë ka qenë momenti kur u gjendëm përballë faktit se nuk ishim të përgatitur si duhej dhe nuk kishim bërë punën e duhur për të mundësuar fillimin e procesit të pagesës për rrugën e Kombit dhe…

… protesta e Kukësit?

Dhe aty…nuk është çështja te protesta, por është çështja tek fakti që ne nuk bëmë si duhet detyrën tonë.

Në këtë rast, kishte një moskuptim të realitetit, një shkëputje nga realiteti se si jetojnë njerëzit, një tarifë krejt e papërballueshme për atë zonë. Cili është mësim i madh që nxorët nga ky rast?

Mësimi i madh ishte që nuk duhet asnjëherë t’i marrim gjërat të mirëqena dhe duhet gjithmonë të jemi në sinkron me njerëzit në procesin e politikbërjes. Pastaj sigurisht ka raste që duhet të marrësh vendime që mund të mos jenë… …që krijojnë kënaqësi të përgjithshme, por nuk ishte ky rasti. Dhe nga ana tjetër sigurisht që argumentat për të nisur atë proces ishin të gjitha nga pikapmja aritmetike, por kjo nuk është vetëm aritmetikë dhe në fund fare në çdo hap të rëndësishëm nuk mund të jemi taktik, por duhet të jemi strategjik dhe në atë rast ishim thjesht taktik dhe gabim.

Duke parë listën e detyrave që duhen bërë është realiste të pritet që qershorin tjetër të gjitha detyrat e lëna nga Këshilli do të jenë të plotësuara?

Së pari besoj që njerëzit e kanë kuptuar sepse nuk ka qenë e vështirë për t’u kuptuar që procesi ka dy nivele. Ka një nivel të objektivitetit teknik që është procesi që shkon në komision dhe që përfundon me raportin e komisionit dhe ka edhe një nivel tjetër të subjektivitetit politik që është procesi që shkon nga Komisioni në Këshill, ku janë vendet anëtare që vijnë aty me gjithë bagazhin e problematikave të veta të brendshme. Dhe e vërteta është që vendet anëtare u ndanë në 25 vende që ishin për hapje të menjëhershme të negociatave dhe pastaj në vendet që ishin për një shtyrje. Por ajo që është e rëndësishme është që pavarësisht se negociatat nuk u hapën menjëherë formalisht, u hap procesi i skanimit, që ishte një kompromis i artë sa na takon sepse faktikisht edhe nëse negociatat do të ishin hapur formalisht ne do të bënim skanimin. Kjo është një mënyrë që përdoret për herë të parë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, nuk është përdorur për të tjerët. Mos të harrojmë që Mali i Zi e ka marrë hapjen formale të negociatave dhe më pas i janë dashur 6 muaj për t’i hapur ato de facto.

Ju po flisni se çfarë duhet të bëj kundërshtari, në këtë rast pyetja është: çfarë mund të bëni ju si kryeministër?

Unë dhashë përgjigje për frazën që,… fraza thatë është “në dorën tonë”, nuk është në dorën tonë, është në disa duar, se përsa na përket ne, ne kemi qenë dhe mbetemi të gatshëm për të bashkëpunuar me opozitën. Unë e kam treguar me fakte kokëforta. Dhe fakti më kokëfortë ishte shtrirja e dorës së bashkëpunimit për muaj të tërë ndaj opozitës për të garantuar procesin e kaluar zgjedhor dhe lutja për muaj të tërë ndaj kryetarit të opozitës dhe marrëveshja më në fund e arritur jo si nevojë dhe interes i ngushtë i drejtpërdrejt politik se po të ishte për interesin e drejtpërdrejt dhe të ngushtë politik, nuk kishim marrëveshje me opozitën dhe kishim sot të gjithë parlamentin le të themi në dispozicion dhe askush nuk do të na thoshte plaçi se ndërkohë qoftë SHBA qoftë BE ia vunë vizën asaj mundësie të përfshirjes së opozitës dhe opozita sot, Partia Demokratike do të ishte një forcë tërësisht e izoluar, por interesi i Shqipërisë dhe interesi i shqiptarëve e donte dhe për këtë arsye unë e bëra gjithë atë përpjekje dhe jam i gatshëm ta bëj gjithmonë këtë përpjekje. Mirëpo…

Mund të përsëritet magjia e 17 majit (2017- marrëveshja me opozitën)?

Unë nuk mendoj se është e pamundur, por nga ana tjetër sic e keni parë dhe siç e kanë parë të gjithë opozita është pa lidership, pa vision, pa strategji, pa program dhe ecën kuturu pa mednuar për hapin e tretë, të katër, të pestë. Pra pavarësisht se ishte një mënyrë e mirë për të krijuar një eksperiencë dhe për të mësuar shahun, Lulzim Basha ka mbetur…

…u kthyet prap te dama?

Po, sepse kjo është damë, kjo është pa strategji, unë do të ha këtë, ti do të hash këtë dhe kaq…nuk shkohet më tutje pa strategji dhe magjia mund të përsëritet kur opozita të gjendet përsëri ngjitur me murin dhe të shikojë se nuk ka më asnjë mundësi për të ecur më tutje sepse është muri përballë.

Zoti Kryeministër a keni ju një ofertë për opozitën që ajo të bëhet pjesë e procesit sepse shumë gjëra duhet të bëhen bashkë me të, vijueshmëria e reformës në drejtësi, ligji për magjistraturën, keni një ofertë për opozitën që të integrohet…

Ne do të…

…që njeriu të nisë të ndryshojë mendje duhet të ndjejë pak fitoren?

Ne e vetmja gjë që nuk mund t’i ofrojmë Partisë Demokratike dhe simotrës së saj LSI është pushteti. Të tjerat janë të gjitha për diskutim. Nuk kemi asnjë problem. Jemi duke përgatitur një platformë bashkëpunimi që do ta bëjmë publike me fillimin e sezonit të ri parlamentar dhe jemi të gatshëm për çdo propozim të opozitës që nuk na kthen mbrapa, rikthim mbrapa te reforma në drejtësi, rikthim mbrapa te ligjet e reformës në drejtësi, rikthim mbrapa tek ligji vettingut nuk ka për të patur për sa kohë që do të jemi në krye të këtij vendi.

Marrë me shkurtime nga “RTSH”