EDI RAMA NE KOMUNIKIMIN E JAVES/ Ministrat teknikë të marrëveshjes PD-PS, kujdestarë të etikës zgjedhore

Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit të tij javor ka komentuar marrëveshjen e arritur me kreun e opozitës, Lulzim Basha për ti dhënë fund krizës politike në vend.

Rama në fjalën e tij u shpreh se hendeku ishte i madh por në fund kriza  u kthye në një fillim të ri.

Rama u shpreh se ministrat teknikë, pjesë e qeverisë teknike do të jenë thjeshtë kujdestarë të etikës zgjedhore.

Lidhur me marrëveshjen mes PS-PD, Rama u shpreh se nuk është një koalicion kundër partive të vogla. Sipas tij, kjo marrëveshje i jep fund krizave politike 27 vjeçare dhe e bën Shqipërinë një shtet më serioz në botë.

Kryeministri  Rama deklaroi se me kryetarin e opozitës pas 25 qershorit takimet do të jenë të vazhdueshme për hapat integruese të vendit.

Rama në komunikimin e tij javor u shpreh se:”Si e qysh u arrit kjo marrëveshje është një libër më vete, kapitujt e së cilës janë shumë më ndryshe nga se janë thënë  mediatikisht. Ata që rendën t’i quajnë ndryshimet në qeveri pazare për tendera, janë pikërisht ata që rendin për të kapur kocka dhe për të përfituar nga pazari i politikës. Pa u arritur marrëveshja, qeveria ishte angazhuar nëpërmjet një urdhri që të mos bëhej asnjë shpenzim. Ministrat e rinj teknikë do të jenë në detyrë si kujdestar të etikës zgjedhore. E njëjta gjë edhe për drejtorët.

Kryetari i opozitës dhe kryetari i qeverisë do të takohen pas zgjedhjeve për të diskutuar për ecurinë e integrimit evropian. Kjo është për mua një pikë themelore e marrëveshjes. Zbatimi i saj na bën një shtet serioz në sytë e botës dhe në mbrojtje të interesave të mëdha të vendit, ku qeveria dhe opozita kanë detyrimin të vënë Shqipërinë mbi partinë.

Paketa Mc Allister ishte një recetë për të kapërcyer një krizë të radhës kurse marrëveshja është një zgjidhe afatgjatë. Marrëveshja politike mes palëve është platformë për t’u përpjekur së bashku të shkëputim zinxhirin 27-vjeçar. Gojët e mëdha që e çorodisin përditë Shqipërinë të katundit politiko-mediat s’kanë pushuar 1 sekondë duke hedhur baltë mbi këtë marrëveshje si një pazar bashkëqeverisje në kurriz të demokracisë, apo të partive të vogla të cilat vetëm garantë të drejtësisë as kanë qenë ndonjëherë as mund të jenë dot për vetë peshën e tyre.

Ka vetëm një bashkëqeverisje në këtë marrëveshje, e cila është bashkëqeverisja e zgjedhjeve. Këtë herë edhe vet qeveria është e vendosur bashkarisht në këtë funksion, të tjerat janë llogje. PS dhe PD kanë qenë kundërshtarë, janë dhe do të jenë. Dy alternativa pushteti me programe krejt të ndryshme”.

AFP /e.g/