Edi Rama aplikon praktikat denigruese të Enver Hoxhës në luftën kundër “burokratizmit”

Ku mbaron praktika e Enver Hoxhës dhe ku fillon ajo e Edi Ramës në luftën kundër “burokratizmit”, nuk është dhe aq e vështirë për ta kuptuar, mjafton të kesh pak kurajë vetëdijeje të kujtesës dhe aftësi krahasimi. Në një postim në profilin e tij në Facebook, gazetëri, Kastriot Dervishi grish në kujtesë dhe ndërmendë atë që për pak sa kujtuam se do të ishte thjeshtë një e shkuar. Por politikbërja në Shqipëri i konsideron “të mirat” e të shkuarës si aplikime të bereqetshme, ose më saktë një nevojë e udhëheqësit për të nënshtruar sovranin me plagët e kujtesës.

Po flitet këto ditë për qeverisje me popullin kundër administratës së korruptuar. Stili i kësaj metode ngjan me një vendim të Byrosë Politike të datës 24.12.1965 “Mbi luftën kundër burokratizmit për një metodë dhe stil revolucionar në punë dhe një fjalim të E. Hoxhës më 3.2.1966 “mbi disa konkluzione fillestare mbi punimin e vendimit të Byrosë Politike për luftën kundër burokracisë”.

Pjesë nga fjalimi i Enver Hoxhës:

“Të gjithë njerëzit që punojnë për spastrimin e burokracisë dhe për të gjithë punët që përmenda më lart, janë të gjithë të armatosur si duhet, e kanë bërë vallë ata në një muaj kthen totale nga fryma, metoda dhe stili i vjetër i punës, janë zhveshur nga fryma e repartit, nga fryma dikasteriale, nga nostalgjia e frymës së komandimit, nga konceptet e vjetra të organizimin, etj, etj. Do të tregoheshin naivë ne po të mendonim se çdo gjë është arritur.

Zhdukja e shkresave nga ana e aparateve të partisë ishte një gjë e thjeshtë. U vendos se s’ka më shkresa. Bangot tona të punës janë bosh.

Po nuk e kuptuam mirë këtë parim, neve do të na duket sikur populli është në fuqi, por në realitet në fuqi është administrata. Dhe përderisa administrata nuk është nën kontrollin e plotë të popullit, direkt dhe indirekt, në mënyrë masive të organizuar, atëherë do të kemi burokraci, neve do na duket sikur e spastruam, do të na duket sikur i spastruam të këqijat nga ligjet dhe urdhëresat, por do të gabohemi, ato të këqija neve do të na lindin përsëri. Duhet të kuptojmë mirë se i tërë ky problem që po studion partia, është çështja e pushtetit, e pushtetit popullor, e popullit në fuqi. Problemi që vë partia është i madh dhe i thjeshtë në të kuptuarit e parë. Populli duhet të jetë i plotfuqishëm, populli duhet të jetë në fuqi dhe jo vetëm disa njerëz. Populli drejton e vendos dhe jo disa njerëz e disa administrata. Njerëzit dhe administrata janë vetëm në shërbim të popullin, ky duhet të vendosi.”

Debati në këtë postim është i nxehtë. Normalisht si në çdo përballje, ka mendim pro dhe kundër, arsyetime kokash të nxehta, të cilët përpiqen të kuptojnë te praktikat e denigrimit të Edi Ramës, atë pritshmëri që i bën ata të besojnë te pozitiviteti dhe efektshmëria që do të sjellë në funksionimin e institucioneve, betejat e hapura të Kryeministrit.

Kohën e qoftëlargut po e përjetojmë sot, komenton Dervishi. Ne që jetojmë në Shqipëri, e njohim mjaft mirë mekanizimin e çdo lloj pushteti. Nëse ke besim se trashëgimtarët e regjimit të djeshëm që na qeverisin sot, do bëjnë mrekullinë, do kesh vetëm iluzion. Për nga poshtërisa janë 1000 herë më shumë se baballarët e tyre.