Edhe sot vendosa të shaj e të bëj sehir te klubi i lagjes, e jo të shkoj në protestë

Nga Albert Vataj

Edhe sot nuk shkova në protestë. As nuk desha as nuk munda. Duhet të isha edhe unë njëri prej tyre, por mbeta të isha vetvetja, ajo vetvete e kapur nga apatia dhe viktimizimi, nga mungesa e motivimit dhe papajtueshmëria me të paparashikuarën që për fat nuk ndodhi. Protesta edhe sot u nisëm për diçka të madhe dhe gjithçka që bëmë dhe arritëm, ishte një asgjë e vockël. Siguruam pjesëmarrjen por pa mundur të ishim në këtë shprehje të reagimit, më shumë se numër.

Protesta e ditës së sotme arriti pritshmëri të përgjysmuara. Numerikisht ajo dëshmoi diçka, por jo më shumë se sa një tubim rutinë. Shpirtërisht ajo ishte e zbrazur, madje më e ç’mbushur se çdo motivim shtytës që e merr veten tonë prej mishin dhe vullneti për ta hedhur në një gjendje shteruar nga çdo vërshim. Shkuan për të mos bërë asgjë. Guxuan të bëjnë diçka dhe vijuan të mbeten viktima të një junte ushtarake, të sulmit me gazit lotsjellës dhe makinave ujë-hedhëse. Gjithë orët deri te finalja pa finale e kësaj proteste madhështore, më brejti ndërgjegjja, se pse nuk munda të isha edhe unë në këtë të drejtë rebelimi, për gjithë ato të drejta që më shkelen dhe më mohohen sistematikisht nga shteti që nuk mund të jetë asgjë më tepër se sa një makineri hijerëndë hakërrije, arrogance dhe mospërfillëse.

Pamjet e këtij manifestimi proteste ishin premtuese, por aksioni i saj ishte thellësisht zhgënjyes. Ata që vendosën t’i bëheshin pjesë e këtij “uragani të zemërimit popullor”, për gjithçka ishin aty, me përjashtim të asaj që një protestues të ysht si pjesëmarrës.

“Protestë paqësore”, kur shkakësia e saj është indicie shpërthimi zemërate, më duket togfjalëshi më i neveritshëm dhe maska më e shëmtuar e një reagimi qytetar. Protestat politiko-ekonomike në këtë vend, por edhe në çdo vend tjetër demokratik në botë, janë një valvul shkarkimi e helmit dhe zemëratës të grumbulluara në kohë pas kohe. Ata mbarsen dhe ndryllen, mbufaten e trazojnë, ziejnë dhe… të marrin përpara si një epsh për të të kredhur në zjarr. Edhe nëse gjymtyrët i ke lënë në betejat e tjera të rebelimit, dhe shpirti të ka çuar peshë, britmën duhet ta matësh me qiellin e piskamën duhet ta nxjerrësh përjashta me çdo pikë helmi që të pikon në shpirt.

Përballja me një qëndresë që të është bërë pengesë dhe ka premisat të jetë një potencial rreziku është një kacafytje në pozita të pabarabarta, por motivuese nga zjarri i shpirtit të së drejtës, i atij legjitimiteti që të bëhet shtytës për të treguar me çdo mënyrë se deri ku t’i ka ngulur thonjtë pushteti.

Protesta e sotme nuk mundi të arrinte asgjë, madje as të merrte lavdërim nga faktorët monitorues i sjelljes, të kishte një mendim mbështetës, të paktën për paqësoren e luftës.

Policia nga ana e saj e bëri luftën, me mjetet e një lufte në kohë paqe, por protestuesit nuk mundën veçse të provokojnë dorën e papajtueshme të shtetit për të reaguar.

Pashë çfarë më pikëlloi në këtë tubim, por asnjë rreze shprese nuk shkreptiu gjëkundi. Pashë njerëz të toksikuar nga lëndët helmuese që shtriheshin në asfalt e sehirxhinjë që filmonin lëngimi i këtij fatkeqi. Dëgjova të shanin me libër shpie, nuk e di se kë por dikë që nuk ishte gati t’i jepej këtij zemërimi.

Parada qesharake e politikës ishte një tjetër zhgënjim i kësaj proteste që nisi paqësore dhe përfundoi si një pamjaftueshmëri për të përfunduar si e tillë.

Unë nuk jam për indicie dhune në asnjë manifestim reagues të zemëratës, por mbetem që shpirtërisht kjo zemëratë të shprehë shteruese emocionet e saja. Të reagosh “paqësisht” për një shtysë të fuqishme, për një të drejtë që të është mohuar, një padrejtësi që të është bërë, për një kërcënim që të kanos është tolerancë e admirueshme për një katolik që shpreson te mëshira, e papranueshme është për një budist që beson te drejtësia, dhe padyshim është fyese për një qytetar, që ka mënjanuar çdo angazhim për të shfrytëzuar një rast ku të tregojë se durimi ka marrë fund dhe zemërimi im është përballë ndalesës së shtetit.

Të paktën ta di se pse jam spërkatur me ujë, jam helmuar me lakrimogjen, jam dendur në dru e jam gjakosur, për një të drejtë që është e ima, e fëmijëve të mijë, familjes sime dhe asaj pjese të vendit tim që vuan njësoj si dhe unë.

Kur pashë gjithë këtë pamjaftueshmëri reaguese, e shpagova shpirtin tim të topitur nga pendimi dhe shfajësova sedrën time prej opozitari, duke qëndruar te klubi i lagjes.

Unë nuk shkova edhe kësaj here në protestë dhe kjo nuk më bën fajtor edhe pse jam viktimë. Nuk ma merr mendja se do të jem edhe të tjerat, për sa kohë që nuk kam asgjë të sigurt nëse do të jetë paqësore deri në këtë masë protesta e radhës. Kjo ngase nuk jam tip luftarak edhe pse ziej nga urrejtja dhe prushem nga nevoja për drejtësi. Nuk i duroj dot shkopinjtë e gomës dhe ende nuk jam gati të bëj heroin.

Për të mos shkuar asgjëkund dhe për të bërë asgjë, më mirë i përgjigjem vullnetit tim, atij të të nënshtruarit ose të mirëkuptuarit, edhe kur shteti që duhet të më përfaqësojë mua, përfaqëson vetveten. Ai shtet që është të mbrojë të drejtat e mia, por i shpërdoron ata për interesa të saj dhe tarafit të saj. Më mirë rri pa bërë asgjë duke vuajtur nën çizmen e përdhunimit të së padrejtës, se sa të shkoj atje ku manifestohet ai shpirt i shteruar dhe ajo frymë e vdekur reaguese që më fyen dhe poshtëron.

Edhe pse nuk shkova në protestë, vendosa të shaj e bëj sehir te klubi i lagjes, më tha miku im.