E vërteta mbi çështjen çame dhe qëndrimi i Athinës

Nga Nuri Dragoj

Pasi kemi dëgjuar ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, kryeministrin Edi Rama, dhjetra analistë e deputetë, duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë e Greqisë, për heqjen e ligjit të luftës dhe zgjidhjen e çështjes çame, shqiptarët kanë mbetur sërish të zhgënjyer, të befasuar e mbase të tradhëtuar. Kjo për dy arsye: e para sepse minisitri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, deklaroi që, në marrëdhëniet dypalëshe janë bërë hapa përpara, sepse Shqipëria ka pranuar zgjerimin e varrezeve greke në Këlcyrë e Bularat, madje edhe se kufiri detar grek me Shqipërinë do të zgjerohet me gati 12 milje. Pas këtij pohimi, si ministri i jashtëm ashtu edhe kryeministri, u përpoqën ta justifikonin në mënyra të ndryshme pohimin e ministrit grek, duke përsëritur se çështja çame është në rrugën e zgjidhjes dhe se marrëveshja detare do të jetë më e mirë se ajo që nënshkroi qeveria “Berisha” 8-9 vite më parë. E dyta, sepse tri ditë pas këtij pohimi të Ramës, presidenti grek, i rrethuar nga general, oficerë e ushtarë të shumtë, deklaroi me ton ushtarak se Shqipëria nuk duhet ta hapi gojën për çështjen çame, e cila nuk ekziston, në të kundërt, ta harrojë Europën.
Kaq është e mjaftueshme për të kuptuar të vërtetën dhe për të mos besuar se mund të hartohet ndonjë marrëveshje në favor të Shqipërisë, pasi Greqia vetëm merr dhe nuk jep asgjë. Pas vitit 1980, në marrëdhëniet ndërshtetërore Shqipëri-Greqi, u vunë re tentativa të konsiderueshme për të riparuar plasaritjet shekullore me anë të dialogut. Këto iniciativa të ndërsjella dështuan, për shkak se Parlamenti grek, ende nuk e kishte hequr nga qarkullimi, dosjen famëkeqe të ligjit të luftës kundër Shqipërisë. Në vitin 1987, qeveria greke, e kryesuar nga Papandreu, kërkoi që të nxirrte jashtë funksionit ligjin e luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë, pasi prania e tij pengonte sipërmarrjet e mëdha ekonomike greke në Shqipëri. Por kjo nismë, që mund të kishte shkrirë akujt mes dy vendeve, nuk u pranua prej Parlamentit helen. Presidenti i asaj kohe deklaroi që, edhe nëse ky ligj shfuqizohej prej Parlamentit, Presidenti nuk ka asnjë ndikim mbi të, pasi ai ishte dekretuar nga mbreti. Presidenti i Republikës është një autoritet shumë i ndryshëm nga ai i mbretit. Kryeministri grek përsëriti, se qeveria e ka hequr ligjin në fjalë dhe se ai mbetet formalisht në letër. Kësisoj, zgjidhja e këtij paradoksi u shty për më vonë.
Përpjekjet për heqjen e ligjit të luftës vazhduan. Më 18 qershor 1999, me anë të Notës nr. 131, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, nëpërmjet Ambasadës shqiptare në Athinë, i kërkoi Ministrisë së Jashtme greke të vërtetonte këtë fakt. Ndërkaq, përgjigjja e MPJ greke, nëpërmjet Notës nr. 237/269, të datës 28 korrik 1999, qe se Ligji nr. 2636/1940 dhe Ligji nr. 4506/1965 ishte ende në fuqi. Për çështjen e ligjit të luftës, ministri i Shtypit dhe Informacionit i qeverisë greke, më datë 16 tetor 2000, në Athinë, i pyetur prej gazetarëve për mundësinë e shfuqizimit të atij ligji, deklaroi: “Ne mbetemi në pozicionin që kemi thënë… E dini shumë mirë, se është marrë vendim i Këshillit të Ministrave për këtë”. Ndërkohë, Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet për të sensibilizuar opinionin botëror rreth kësaj marrëzie, për të sensibilizuar Brukselin dhe Uashingtonin, për këtë problematikë të çmendur që Greqia kërkon t’i imponojë Shqipërisë, duke mbajtur në këmbë një ligj lufte të diskredituar.
Shkaku i parë është pretendimi grek për “Vorio – Epirin”. Asnjë qeveri greke, duke filluan nga ajo e Kryeministrit Koletis më 1844 dhe deri më sot, nuk ka hequr dorë nga pretendimi absurd për aneksimin e Jugut të Shqipërisë, që ata e emërtojnë “Vorio – Epiri”. Le ta ndjekim me kujdes ecurinë e ngjarjeve. Më 17 nëntor 1940, u vra ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Xhaferr Ypi, në afërsi të shtëpisë së tij, gjatë një bombardimi grek në zonën e Kolonjës. Ushtria greke nuk mbajti përgjegjësi, duke e cilësuar incident anësor, që ishte bërë për shkak të keqllogaritjeve të sulmit.
Ushtria italiane u thye, por trupat greke nuk u tërhoqën. Greqia kishte si pikësynim pushtimin e pjesës jugore të Shqipërisë. Për të realizuar këtë qëllim, ajo bashkëpunoi edhe me gjermanët. Metaksa dërgoi në Berlin, Georgios Pesmatzogloun, me mision sekret, për të biseduar me autoritetet gjermane, lidhur me planin grek. Pesmatzogloun u tha atyre, se Metaksai dëshironte t’i jepte fund luftës italo-greke dhe se do t’u kërkonte britanikëve të largoheshin nga Greqia, me kusht që Greqia të mbante territoret e pushtuara në Shqipëri, si dhe Vlorën, të cilën ajo nuk kishte mundur ta pushtonte. Por, me mundjen e ushtrisë italiane, më 6 prill 1941 Gjermania vendosi të sulmonte Jugosllavinë, të kordinuar me ushtrinë italiane, në një kohë që luftëtarët shqiptarë u vunë në front për të penguar përparimin e forcave italiane. Brenda 10 ditësh ushtria jugosllave kapitulloi dhe një javë më vonë edhe 16 divizionet e ushtrisë greke. Britanikët dyshuan në qëndrimin e Metaksait për jugun e Shqipërisë, ndonëse ky i fundit nuk u shpreh hapur për aneksimin e territoreve shqiptare. Ministri britanik në Athinë, Palairet, njoftoi Londrën se qeveria greke “… nuk ka deklaruar asnjëherë, me saktësi, atë çfarë ka në mend, por unë kam dyshim se ata i kanë ngulur sytë në “Epirin e Veriut”. Andre Mikalopulos, zyrtar i qeverisë greke në mërgim, më 24 prill 1942, i deklaronte radios Evropa e Lirë, se kufiri me Shqipërinë fillonte disa milje në jug të Vlorës dhe mbaronte në ekstremitetin jugor të liqenit të Ohrit. Sipas këtij kufiri, të pretenduar nga zyrtari grek, Shqipëria do të humbiste 20 përqind të territorit dhe 25 për qind të popullsisë. Autori në fjalë pretendonte se këto zona ishin të banuara nga grekë e shqiptarë, të kthyer pjesërisht në të krishterë dhe pjesërisht në myslimanë, në pjesë të barabarta. Më 12 qershor 1942, Kryeministri grek i dërgoi një memorandum Presidentit të SHBA-ve, Ruzvelt, ku i kërkonte ndihmë për të realizuar pretendimet e tij për “Vorio-Epirin”. Sipas këtij memorandumi, Greqia kërkonte të merrte nga Shqipëria e Jugut rreth 1 900 milje katrore.
Presioni grek ndaj britanikëve dhe amerikanëve rritej çdo ditë. Ata këmbëngulnin në realizimin e planit të tyre, duke bërë përgjegjëse politikën shqiptare, si burim shqetësimesh për vendet ballkanike dhe veçanërisht për Greqinë. Në një mbledhje të qeverisë, më 14 dhjetor, kur ishte duke u pritur deklarata britanike, me anë të një note drejtuar Britanisë, thuhej: Nëse deklarata britanike nuk do të njihte në mënyrë eksplicite të drejtat e Greqisë në “Epirin e Veriut”, do të krijohej një përshtypje e hidhur dhe do të dobësohej rezistenca e popullit grek. Kombi grek, nuk do të pranonte asnjë zgjidhje që injoronte të drejtat “e ligjshme” të Greqisë në “Vorio-Epir”. Por shumë shpejt, shpresat greke u venitën, pasi më 11 dhjetor 1942, u publikua deklarata amerikane, e cila mbështeste pavarësinë e Shqipërisë dhe nuk shfaqte ndonjë rezervë për kufijtë e saj. Më 17 dhjetor 1942, qeveria britanike lëshoi një deklaratë, në të cilën dukej se ajo ishte në anën e pretendimeve greke, por ato duhet të mbeteshin për t’u diskutuar në Konferencën e Paqes. A. Eden, në një letër këmbimi me L. Hore, deputet i Dhomës së Komunave, pohonte: “Është krejt e vërtetë se, si grekët edhe jugosllavët, e ndjejnë veten shumë të prekur kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe, derisa ata janë aleatët tanë, ne jemi të detyruar t’i marrim parasysh ndjenjat e tyre.
Këtë qëndrim, Departamenti i Shtetit Amerikan, e vlerësoi si mospërputhje me interesat amerikane. Sigurisht, edhe diplomacia angleze nuk u kënaq nga përmbajtja e deklaratës amerikane. Dikson deklaroi: “Unë mendoj se është për të ardhur keq, që qeveria e SHBA-ve bëri një deklaratë për restaurimin e një Shqipërie të lirë, pikërisht si një konsekuencë e Kartës së Atlantikut”.
Pas kësaj, një mori ankesash janë drejtuar pranë qeverisë amerikane dhe asaj britanike, sipas të cilave, guerilet shqiptare, në emër të patriotizmit, po vrasin grekët në “Vorio-Epir”. Të gjitha këto u hodhën poshtë, pasi anglezët dhe amerikanët nuk konstatuan asgjë të tillë.
Me kapitullimin e Italisë, qeveria greke e intensifikoi punën për marrjen e jugut të Shqipërisë. Më 15 gusht 1944, ajo i kërkoi Departamentit të Shtetit Amerikan, që të miratonte okupimin e Shqipërisë së Jugut prej trupave greke, deri në lumin Shkumbin. Kjo orvatje, evidentohet në një dokument të Kabinetit të Luftës së SHBA-ve. Në të thuhet se, më 15 gusht, Ambasada e Greqisë ka kërkuar të mësojë, nëse ata janë dakord që Shqipëria të konsiderohet dhe të trajtohet si shtet armik dhe që trupat greke mund të marrin pjesë në pushtimin e Shqipërisë deri në lumin Shkumbin. Mirëpo kjo kërkesë nuk u mor parasysh prej qeverisë amerikane. Edhe anglezët nuk u pajtuan me teoritë e fqinjëve, gjoja, të vrasjes së grekëve nga njësitet guerile.
Majori Maklin, në një memorandum mbi Shqipërinë, shkruante: “Praktikisht, të gjithë shqiptarët, madje edhe shumica e ortodoksëve, janë me shpirt antigrek. Sa më afër kufirit grek, aq më shumë pakënaqësi, frikë dhe tension ekziston”. Sidoqoftë, Lufta e Dytë Botërore i rreshtoi shqiptarët dhe grekët në një front unik kundër nazifashizmit. Të dy shtetet fqinjë, u sulmuan prej italianëve dhe luftuan kundër okupacionit. Shqipëria, ashtu si edhe Greqia, ishte rreshtuar në radhët e koalicionit të Antantës, ku bënin pjesë edhe Fuqitë e Mëdha, si SHBA-të, Anglia, Bashkimi Sovjetik etj. Të dy vendet, në atë periudhë, kishin një armik të përbashkët, ndonëse pak muaj më vonë, Athina i kujtoi qeverisë shqiptare ëndrrën primitive të “Vorio-Epirit”.
Grekët nuk e njohën qeverinë e Enver Hoxhës, me pretendimin se ai ishte një mysliman që do të persekutonte minoritetin ortodoks në jug të vendit. Madje, ata shprehën mendimin, në qarqet ndërkombëtare, që ky shtet të mos krijohej fare. Në dhjetor 1944, iu drejtuan Departamentit Amerikan të Shtetit, me notë proteste, ku pretendohej se forcat qeveritare shqiptare keqtrajtonin minoritetin grek. Në këtë mënyrë, pala greke po përgatiste terrenin për një sulm dhe aneksim të “Vorio-Epirit”. Amerikanët i verifikuan pretendimet e tyre dhe e panë se ato nuk qëndronin. Edhe pas kësaj, politika greke organizoi një sërë sulmesh në jug të vendit, ndonëse Lufta e Dytë Botërore nuk kishte përfunduar ende. Në këtë kohë do të regjistroheshin 58 incidente në kufirin shqiptaro-grek. Më 1 shtator 1944, artileria greke goditi Konispolin, duke bërë reprezalje ndaj popullsisë civile.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Andreas Sofianopulos, më 9 korrik 1945, e shtroi çështjen e “Vorio-Epirit” edhe në takimin me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, të cilit i kërkoi mosnjohjen prej SHBA-ve të regjimit komunist, pasi Hoxha nuk përfaqësonte shumicën e popullit. Në fillim të vitit 1945, Departamenti i Shtetit përgatiti një Studim mbi Gjendjen Aktuale të Shqipërisë. Në këtë studim përjashtohej, kategorikisht, plotësimi i kërkesave greke për “Epirin e Veriut”. Veç të tjerash, në të vlerësohej orientimi politiko-shpirtëror i kombit shqiptar, “si një komb me orientim të theksuar dhe të konsoliduar perëndimor, ku rryma proamerikane zë peshën kryesore”. Në Studimin e Departamentit të Shtetit, sipas dokumenteve arkivore, kërkohej që politika britanike të rishikonte qëndrimin e saj ndaj Shqipërisë, pasi “Britania e Madhe ishte më shumë e interesuar për të forcuar Greqinë sesa Shqipërinë, dhe se ajo mbështeste pretendimet greke ndaj “Epirit të Veriut”, duke i dhënë kështu kapital politik grupit prolindor, në përpjekjet e tij për ta riorientuar Shqipërinë nga Lindja, drejt Jugosllavisë dhe Rusisë”.
Shqetësimet e diplomacisë amerikane, të bëra publike në atë kohë, rezultuan profetike: komunistët shqiptarë lidhën aleanca paradoksale me Jugosllavinë dhe Rusinë, duke zhdukur fizikisht përfaqësuesit e shquar të nacionalizmit shqiptar. Pasi u njohën me qëllimet greke për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, në fillim të vitit 1946, Shefat e Shtabit të Bashkuar të Ushtrisë Amerikane, përgatitën një memorandum për Departamentin e Shtetit, në të cilin shpreheshin “… kundër ndonjë pozicionimi amerikan në mbështetje të synimeve greke, në Konferencën e Parisit”.