“E dashura, Leyla Moses-Ones bën mirë ti degjosh edhe “banditet”!!”

Nga Agron Gjekmarkaj

E pamëshirshme më dukje përmes deklaratave ka qenë Ambasada e SHBA-ve, qysh nga djegia e mandateve ndaj qëndrimeve dhe gjuhës së Lidershipit opozitar. E në këso rastesh fillon një festival i madh hipokrizie e propagande e denjë për artikulimin tonë kulturor e politik të ditës. Togfjalëshat e tipit “ja Amerika foli”, “Amerika e vulosi”,” Amerika di një gjë” , “Opozita diku e ka shkelur”, “Ramën e do Amerika” , “ti je me Amerikën apo kundër saj?” i ndesh në shtyp, në ekran dhe në tavolinë?!
Në fakt, qoftë gjuha që përdori i dërguari Palmer, qoftë ajo e diplomateve si Leyla Moses-Ones, me parimet e demokracisë amerikane është tejet korrekte. Precedenti i djegies së mandateve dhe sidomos bojkotimi i zgjedhjeve lokale, janë shumë të rënda dhe bien si grusht në stomak për këdo. Logjikisht kështu do të duhej të ishte në çdo vend me demokraci normale.
Kur u miratua reforma në drejtësi u fol në media për biseda e mesazhe që Ambasada u dërgoi deputetëve të caktuar, në mënyrë që të siguronte votën e tyre pro duke i futur mes kulaçit dhe kërbaçit. Perceptimi që, se po konsumohej një gjest amoral për një qellim të mirë. Në fakt do të kishte qenë shërbim i madh për pastrimin e politikes nëse Ambasada i publikonte dosjet e tyre sesa na la mbi kurriz deputet e politikan të shantazhueshem. Madje edhe kësaj here nëse do të kishte diçka për Opozitën shqiptare që nuk e dimë do të ishte shërbim i madh ndaj kësaj shoqërie dhe këtij kombi të na e thonë publikisht! Kësisoj qartësohemi edhe ne që mendojmë se opozita po bën gjënë e duhur. Megjithëse vështirë të besohet se në këtë vend ka forca politike apo politikanë të rangut të lartë që luftojnë kundër interesave amerikane.
Kur edhe Gramoz Ruçi sot e Fatmir Xhafaj dje janë bërë proamerikan të thekur kush dreqin ka mbetur tjetër në këtë vend pa ndryshuar bindje!! Madje Kryeministri e quante Trampin turpi i civilizimit e sot të merr gjak në vetull për të, madje po i thahet gjuha teksa rend me lobues për ta takuar. Shqipëria ka një histori tragjike dhe paradoksale. Shumë kush është vrarë e persekutuar në këtë vend si “agjent” i amerikanëve pikërisht nga etërit jo metaforik por biologjik të këtyre tipave që drejtojnë mazhorancen e sotme, ndërsa shumë prej pasardhësve të të vrarëve akuzohen nga Gramozi me shokë si antiamerikan. Nejse, djemtë dhe cucat e rilindjes modern tek nuk vë teksa kruajnë mjekrat spic dhe nishanet nën gushë mund të të akuzojnë për rënie në folklorizëm!!
Por ne që jetojmë këtu e dimë që ka mospërputhje të deklaratave me realitetin. Të rriturit po e po e dinë që bota e krimit, paratë e trafikut, abuzimi me pushtetin dhe administratën ndikojnë fort në rezultatin e zgjedhjeve, por edhe fëmijët që politika si lë të rriten të qetë. Tanimë ky fakt rri sa gjerë gjatë në dosjet e prokurorisë! Pushteti në gjashtë vite e ka dëshmuar qartë natyrën e vet sunduese e tejet korruptive dhe jo qeverisëse duke mos humbur asnjë rast për ta deligjitimuar opozitën, e përdhunuar atë! Vitet e fundit duke asgjësuar Gjykatën kushtetuese, atë të lartë dhe kapur sistemimin e drejtësisë në mënyrë kapilare i ka hequr asaj edhe mundësinë formale për tu ankuar! Ndërkombëtarët nuk kanë bërë asgjë ose shumë pak për të nxjerrë opozitën nga gjendja e fasadës! U bë ligji i Dekrimanilizimit po kush i pengoi punëtoret e kanbisit tu hynin zgjedhjeve qysh e tek jua lypte xhani? Ambasadat? Jo jo, askush!! Ligji kësaj anë ka vlerë vetëm në letër për sunduesit.
Ata nuk kanë qenë në gjendje të japin asnjë garanci. Sistemi i gjymtuar jo e jo dhe të gjitha këto e shtynë opozitën të dalë prej tij! Sistemi i kontrolluar nga një njeri, ai që do duhej të ishte struktura e demokracisë, po e vriste thelbin e saj duke asgjësuar garancitë dhe institucionet e ankimimit. Demokracia në Shqipëri ka nevojë të rithemelohet dhe jo ti kërkohet opozitës të rikthehet në “shtratin” e Edi Ramës për ta përdhunuar përsëri. Nga ana tjetër diplomatet i përsërisin pa reshtur opozitës të tejkalojë vetveten, të harrojë pse i dogji mandatet dhe të hyjë në zgjedhje lokale megjithëse e dinë që Kryeministri po i pret me “kobure” në dorë për ti “vrarë” përsëri!
Pas këtij dimri të vështirë ai e ka më të domosdoshme se kurrë një “fitore” të madhe!! Mendoni me çfarë kose ne dorë do tu ngjitej lëndinave të këtij vendi gjatë muajit qershor. Ani i thonë, Bashës, shko e “vdis” aty po garanci nuk japin as edhe një. Nga ana tjetër ata nëpërmjet presionit verbal po ndihmojnë Edi Ramën të gjejë paterica dhe të sajojë opozitë të re. “Opozita e re” sot nuk është asgjë tjetër vetëm një departament i Rilindjes. Parlamenti aktual është tragjikomedi. Tek kjo përçapje shfaqet i mnershëm dhe i tmerrshëm vizioni që ka Kryeministri ynë dhe këshilluesit e tij për pluralizmin. Ndërsa tek ata që kërcënojnë se do të trajtojnë partitë e opozitës si banda konturohet mundësia hipotetike për tu ndeshur me të gjithë ata që nuk e pranojnë këtë vizion domethënë me qytetarët! Egërsia me të cilën arrestohen se janë mbështetës të opozitës është fillimi i kësaj të vërtete që rrezikon të dalë jashtë kontrollit drejt një përplasjeje civile.
Me djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale si rruga e vetme që i ka mbetur Opozitës, Basha i ka hequr çdo kujt mundësinë e lëvizjes antisistem duke e përvetësuar atë po kaq i ka pamundësuar jetën politike çdo subjekti me karakter kinse opozitar. Me të mirat dhe të këqijat e veta tani Opozita reale gravon përreth aksit PD-LSI me aleatë! Ajo duhet të vazhdojë transformimin e brendshëm të cilin e ka jetik, pa rënë në kurthet e shumta që po i ngrihen ngamos. Dialektika politike e tre dekadave na mëson se pesha e pushtetit abuziv zë nën vete arkitektet e saj. Kur garancitë nuk na i japin dot të huajt tanimë të lodhur me ne për 30 vjet, është koha që ato ti prodhojë vetë shoqëria, pikërisht ata “banditët” që duan ti japin fund kësaj fasade korruptive.
Ndaj një lutje e kemi për zonjen Leyla Moses –Ones, mos na kërkoni të pranojmë, ato gjera që në Amerike do të irritonin këdo, ato gjëra që do e çonin qytetarin tek interpretimi i asaj kushtetute madhështore, e cila në emër të lumturisë u lejon atyre të ngrihen kundër qeverisë teksa asnjëri prej nesh këtu nuk po kërkon lumturi, vetëm pak normalitet e vërtetësi, mundësi për të hedhur një votë që numërohet në kushte lirie. Ndaj pasi dëgjon arsyet e qeverisë mirë është të takosh edhe “banditët” që tanimë qartazi janë më shumë se gjysma. “Banditë” të llojit të veçantë që kërkojnë demokraci me garanci ligjore! Një sistem të ri politik.