DYSHIME PER SULM TERRORIST NE LONDER/ Një i vrarë dhe disa të plagosur në një sulm afër një xhamie në Londër

AFP/ – Një person ka vdekur dhe tetë të tjerë janë plagosur pasi një automjet përplasi kalimtarë gjatë mbrëmjes së djeshme në verilindje të Londrës pranë një xhamie, njoftoi policia që ka njoftuar njësinë kundër terrorizmit. “Një njeri ka mbetur i vdekur në vendin e sulmit dhe tetë të tjerë që janë plagosur u dërguan në tre spitale të ndryshme”, njoftoi policia në një komunikatë. Policia njoftoi gjithashtu se njësitë e kundër terrorizmit janë ngarkuar me hetimin dhe se shoferi i kamionit, 48 vjeç, është arrestuar.

Kryeministrja, Theresa May njoftoi nga ana e saj se policia po e trajton këtë ngjarje si një sulm të mundshëm terrorist dhe ka thirrur një mbledhje urgjente mbi këtë çështje. Policia londineze tha se një furgon u përplas mbi këmbësorët afër një xhamie duke vrarë një dhe plagosur dhjetë persona. Harun Khan, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Myslimanëve Britanik, tha se sipas dëshmitarëve, shoferi ishte “motivuar nga islamofobia”.Ai tha se pret nga autoritetet që të shtojnë masat e sigurisë përreth xhamive në kohën kur po afrohet fundi i muajit të Ramazanit. Policia tha se nisur nga natyra e sulmit, janë shpërndarë “burime shtesë të policisë”. Britania, është përballur me një seri incidentesh muajve të fundit, përfshirë sulmin terrorist në Mançester dhe ata në afërsi të London Bridge, që lanë pas vetes dhjetëra të vrarë.

Sipas të dhënave të policisë së Londrës, të gjithë viktimat e goditura nga mikrobuzi në lagjen e Londrës, Finsbury Park janë myslimanë. Dy prej gjithsej dhjetë të plagosurve morën plagë shumë të rënda. Një person vdiq në ngjarjet në orët e para të mëngjesit. Ndihmën e parë ai e mori përpara se të përplasej mikrobuzi me turmën e njerëzve. Nëse vdekja e tij kishte të bënte me sulmin, kjo duhet të sqarohet. Gazeta “Evening Standard” bëri të ditur se të paktën një person qe sulmuar me thikë. Ndërsa policia nga ana e saj tha se nuk është plagosur askush me thikë.

Shoferin e automjetit e arrestuan dhe do të verifikohet gjendja e tij mendore. 48 vjeçarin e patën ndaluar dëshmitarë të zemëruar, pasi ai qe larguar nga kamioni. Në intervistë me “Sky News”, drejtuesi i shtëpisë së faljes tha se burri pati thirrur “Unë e bëra pjesën time”.

A ishte i motivuar nga urrejta kundër fesë islame drejtuesi i automjetit?

Deri tani, policia beson se ka qenë vetëm një person i dyshuar. Por dëshmitarë thonë se kishin parë në mikrobuz tri burra. Hetimet i ka marrë në dorë një ekip antiterrorit. Kryeministrja May tha se ky rast trajtohet si një atentat i mundshëm terrorist.

Nga këndvështrimi i Këshillit Mysliman të Myslimanëve, incidenti i përgjakshëm mund të jetë një atentat i drejtuar kundër myslimanëve. “Raportet e dëshmitarëve sugjerojnë se kemi të bëjmë me një doras të motivuar nga urrejtja për fenë islame”, shkroi Këshilli në twitter. Myslimanët kanë përjetuar javët dhe muajt e fundit shpesh urrejtje për fenë islame, thuhet më tej. Incidenti i natës pranë një xhamie myslimane sipas këshillit është “manifestimi më i dhunshëm” i kësaj urrejtjeje. Këshilli kërkoi mbrojtje policore për xhamitë.