“Duam të jetojmë në paqe me fqinjët”, çfarë tha Ismail Qemali Ditën e Flamurit

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërmarrë një nismë për të informuar opinionin publik on-line mbi ngjarjet historike, dokumentet arkivore përmes rubrikës së re të titulluar: “Historia e diplomacisë shqiptare”.

Një nga vendimet e rëndësishme të Kuvendit Kombëtar të Vlorës menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, ishte ai i krijimit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, dhe për herë të parë ministër i Jashtëm ishte vetë kryeministri Ismail Qemali.

Kjo nënkuptonte edhe fillimin e organizimit të veprimtarisë diplomatike të shtetit shqiptar. Këtë javë Diploarkiva sjell online vendimet e para të Qeverisë së Përkohshme për organizimin e veprimtarisë diplomatike për njohjen e shtetit të ri të pavarur shqiptar.

Siç do të shprehej vetë Ismail Qemali në letrën drejtuar Fuqive të Mëdha, ku i njoftoi “…për këtë ngjarje të jashtëzakonshme për jetën kombëtare të shqiptarëve..”, qëllimi i shqiptarëve ishte të jetonin në paqe me shtetet fqinje.

Diplomacia shqiptare hyri në veprim me vendimin e 5 dhjetorit të Qeverisë së Përkohshme, i cili e ngarkonte Ministrin e Jashtëm me përgatitjen e misionit diplomatik për në Londër ku kishte filluar punën Konferenca e Ambasadorëve. Me vendimin e 8 dhjetorit u miratuan edhe tezat politike për misionin që do të nisej në Londër e do të punonte për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar nga pjesëmarrësit e Konferencës, dhe me 9 dhjetor u miratuan edhe anëtarët e këtij misioni.

Në të gjitha përçapjet e saj diplomatike pranë Fuqive të Mëdha dhe shteteve fqinje, Qeveria e Përkohshme e Vlorës doli si qeveri përfaqësuese e gjithë shqiptarëve në marrëdhëniet ndërkombëtare. /b.d