Dritëhijet e dëshmitarit “X” dhe largimit të Agron Xhafajt nga Shqipëria

Kreu i PD-së, Lulzim Basha doli ditën e sotme në një konferencë urgjente për mediat, ku foli për dëshmitarin X, i cili është shoqëruar në polici.

Edhe pse deri sot, dëshmitari X, ishte një njeri i njohur vetëm me pseudonim, PD publikoi një intervistë me zë dhe me figurë, ku ai thotë se audio-përgjimi i bërë me Agron Xhafajn, vëllain e Ministrit të Brendshëm, Famirit Xhafajt, është i vërtetë.

Bëhet fjalë për Albert Veliun, ku në intervistën e publikuar nga PD-ja thotë se ka qenë pjesë e grupit të Agron Xhafajt deri në vitin 2002, të cilët trafikonin drogë.

Por sipas tij, në vitin 2005 ai është arrestuar në Itali, ku edhe është dënuar me 7 vite burg, pasi është kapur me 12 kg kokainë.

Më tej, Veliu sqaron se pasi ka kryer dënimin prej 7 vitesh burg, është kthyer në Shqipëri. Por, sipas tij, me Agron Xhafajn kishte pasur hatërmbetje, pasi kur ishte në burg, nuk e kishte parë dhe nuk ishte interesuar për të. Rrëfimi tij fillon e merr nota dyshimi, pasi thotë se nisur nga hatërmbetjet me Xhafajn, kishte vendosur që ta vinte në provë dhe më pas për t’u hakmarrë ndaj tij.

Akoma më dyshues bëhet rrëfimi i tij, teksa flet për mënyrën sesi shkoi deri te Agron Xhafaj, dhe si arriti që ta bindte për t’i dhënë mundësinë atij për të transportuar 100 kg hashash nga Vlora në drejtim të Italisë.

Albert Veliu shprehet në fillim të intervistës se donte të çonte 100 kg drogë drejt Italisë, pasi kishte nevojë për lekë duke qenë se ishte në gjendje të rënduar ekonomike. Në rrëfim e sipër, e ndryshon dëshminë, duke shtuar se donte vetëm të provokonte Xhafajn, pasi nuk do ta bënte këtë rrugë sepse kishte hequr dorë nga këto punë.

Por më interesante bëhet denoncimi i Veliut, kur fillon të tregojë takimin me Xhafajn dhe adresimin që ai thotë se vëllai i ministrit të Brendshëm, i ka bërë te disa persona që merreshin me trafik droge.

Si mundet që një person që është në gjendje të rënduar ekonomike, futet borxh për të blerë kanabis vetëm e vetëm për hakmarrje për një ngjarje të ndodhur shumë vite më parë. Akoma më interesante bëhet pjesë e përgjimit dhe mënyrës sesi kaseta shkoi deri teksa selia e Partisë Demokratike, transmeton Express.

Albert Veliu pretendon se përgjimi nuk është bërë nga ana e tij, por nga ana tjetër ai shprehet se ka qenë ai që ka çuar përgjimin tek Partia Demokratike pasi, sipas tij, është institucioni më i besuar, ndërsa Prokuroria e manipuluar.

Kontradiktat e shumta në këtë rrëfim, hedhin dyshime mbi vërtetësinë e historisë së treguar nga ana e tij, ashtu siç edhe largimi i Agron Xhafajt nga Shqipëria ditën e djeshme është i mbuluar nga dyshime dhe shkelje të shumta.

Vëllai i Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, ishte dënuar në vitin 2002 me 7 vite burg në Itali, ndërsa ai prej atij viti e deri ditën e djeshme ka qëndruar në Shqipëri, duke mos qenë asnjë ditë në qeli. Por mëngjesin e ditës së djeshme, pasi publikimit të audio-përgjimit në fjalë dhe pas akuzave të PD-së, i hipi avionit dhe u nis drejt Italisë për të vuajtur dënimin e dhënë për trafik droge.

Para se ai të largohej drejt Italisë, publikoi një letër, ku thoshte se përgjimi ishte i manipuluar dhe për këtë kishte shkuar në Prokurori dhe denoncuar 3 deputetët e PD-së, që nxorën videon. Madje ai kishte lënë edhe mostër të zërit të tij në Prokurori me qëllim krahasimin me zërin e audio-përgjimit që u publikua nga PD.

E çuditshme është fakti sesi Prokuroria e la të ikte drejt Italisë, duke qenë se në përgjim flitej se ai bënte pazare droge deri para disa muajsh. Akoma me e pashpjegueshme bëhet fakti, pse nuk u ndalu derisa prokuroria të sqaronte këtë çështje, duke qenë se ai pretendonte se audio-përgjimi ishte fals.

Edhe deklarata e Fatmir Xhafajt, se vëllai i tij, nëse do të zgjidhte të njësonte dënimin në Shqipëri, çka ligji ia mundëson, nuk do të vuante asnjë ditë burg pasi dënimi i tij ishte parashkruar, të bën shumë përshtypje. Pse duhej që Agron Xhafaj të shkonte drejt Italisë për të bërë 7 vite burg, në një kohë kur mund të njësonte dënimin dhe të mos përfundonte asnjë ditë prapa hekurave.

Historia që mori jetë disa ditë më parë është me shumë të panjohura, çka do të jetë shumë e vështirë që hidhet dritë mbi çfarë ndodhi që nga përgjimi, intervista e dëshmitarit, e deri në largimin e Agon Xhafajt nga Shqipëria.

Intervista e Albert Veliut

Si quhesh?

Albert Veliu.

Sa vjeç je?

51 vjeç.

Me se jeton?

Pa punë, me rrogën e djalit.

Çfarë ke bërë në jetë?

Kam qenë në Itali, kam punuar. Kam punuar tërë jetën në det ’93-’99. Në 2000-shin u shkëputa në Itali punova bashkë me zotin… me grupin e Agron Xhafajt gjer në 2002-in.

Çfarë pune?

Punuam punën e kokainës, të gjitha gjërave.

Shisnit kokainë? Çfarë bëje?

Shisnim kokainë në Itali.

Po në det çfarë pune ke bërë?

Kam punuar shoqërues gomone, por kam hequr dorë në 2000-shin.  Nëëëë….

Pse hoqe dorë?

Hoqa dorë se s’e përballoja dot më atë lloj pune. Shpëtova dy herë nga vdekja, do ishim të mbytur.

Po Agronin si e njeh?

E njoh që në ’99-ën që me anë të një mikut tim, me Ardin e Refatit që sot ndodhet brenda, në Brindisi, në Itali.

Si e ke njohur, ku e ke njohur?

Me anë të lidhjeve të punës në Itali.

Agroni drejtonte punën atje apo ishte pjesë e saj?

Normale, komandonin punën. Qe një grup që komandonin punën, merrnin mallin dhe ne e shisnim.

Po pastaj?

Në 2005-ën, më ndodhi aksident mua në punë dhe kryva një dënim prej 7 vjetësh.

Me çfarë u kape?

U kapa për…akuzohesha për kokainë, për 12 kile.

Ti po i çoje me gomone?

Jo, jo u kapa në Peskara.

Po?

Bëra dënim në Peskara, që më takonte. Në Shkallë të Parë mora 15 vjet, Apeli ma la 8 vjet, një vit mora ulje dhe bëra 7 vjet. Kurse nga Agroni që një mbetqejfje.

Gjatë këtyre kohëve që ne punuam bashkë, kur rashë brenda, mua nuk më solli një paketë cigare, një copë letër si shok, për aq sa kishim bërë për njëri – tjetrin. Kur dal nga burgu, kthehem në Shqipëri, e takoj, më afroi gjoja një nder, një punë për djalin…kamarier.

Kur, në çfarë viti?

Në 2007-ën, se në 2006-ën…jo, në 2016-ën për djalin më ka ofruar punë. Për djalin më ka ofruar punë në vitin 2016.

Sa vjeç është djali?

Djali është 22 vjeç. Punoi kamarier nja 6 muaj, s’e përballoi dot ekonomia e shpisë. E hoqa. Para 6 muajsh, 5 muajsh, nuk e di saktë sa ka 5 muaj, 6 muaj, që të flasim pastër, i kërkova të më bënte një nder. 4 muaj ka, tani më kujtohet. I kërkova të më bënte një nder për të hedhur barishte për Itali.

Çfarë barishtesh se s’e kuptoj? Çfarë është kjo barishte?

Hashash.

Po. Çfarë do t’i bënit hashashit?

Do ta çonim në Itali. I kërkova një favor më prezantoi me këtë Ermalin.

Ti ia kërkove vetë favorin që të…?

Ia kërkova se isha në gjendje të keqe ekonomike. Dhe e vura në provë sa korrekt qe për mua si Albert. Dhe mua më erdhi, që u bë gjithçka gati për t’u bërë rruga. Unë nuk e bëja këtë rrugë se kisha bërë nja 7 vjet dënim dhe dua të jem i pastër në këtë shtet. Po e vërtetova që…

Po pse nuk e bëje këtë rrugë ti? A shkove i kërkove ti këtë nder?

I kërkova këtë nder, por nuk e bëja atë rrugë se nuk dua ta vazhdoj më këtë lojë biznesi. Vetëm e vura në provë për ta zhveshur me një fjalë se cili është Agron Xhafa.

Pse vajte te Agroni?

Po vajte se qemë me mbetqejfje, se kur unë rashë brenda në burg në Itali, ai mua nuk më solli një paketë, më ktheu kurrizin.

Po tani ai bën një jetë normale, biznesmen.

Është biznesmen, është mes të gjithave dhe komandon edhe Vlorën.

Si e komandon Vlorën?

Po në çdo lloj drejtimi, me biznese, me dyqane, nga porti ta marrësh, në çdo lloj drejtimi.

Po pra, po ç ’lidhje ka ai me hashashin?

Po atë punë ka bërë tërë kohën, jo vetëm me mua, por mund ta ketë bërë edhe me shumë të tjerë, që mbase s’ua u di dhe emrat dhe s’mund të shprehem me emra, po me mua më bëri favor, më tha bujrum sille këtë çantë ta hedh matanë!

Kush të tha ty që mund t’i drejtohesh Agronit? Nga u nise ti?

Po unë e njihja atë. S’e njihja sot, kisha vite që e njihja.

Dhe ai nuk ka ndryshuar fare gjatë gjithë kësaj kohe?

Tani në jetën e tij të brendshme unë nuk futem. Por mua m’u përgjigj, u tregua korrekt. Më tha sille.

Me kë të prezantoi?

Me Ermalin, me këtë. Nuk e di ça është ai, shef kufiri.

Nuk ia di as mbiemrin?

Jo. jo mbiemrin s’ia di. Se nuk mund të pyes për tjetrin për mbiemrin. Flasim gjëra të qëna tani.

E takove Ermalin?

Po, jam ul në tavolinë. Edhe kemi folur dhe këto ça thuhen që janë fallco, të verifikohen, pastaj le të dalë emri im fallco. Mund të dalë edhe emri im fallco nesër.

Çfarë të tha Ermali?

Agroni më tha do vesh te Ermali, do të them unë. E lamë një takim sipas thënieve. Bile atë ditë ka rënë, që do të bënim xhadenë, që unë s’u paraqita, se thashë të shikoj jetën time, të jetoj i pastër, si dikushi. Si vuajta unë dënim, të vuajnë dhe të tjerët.

Ti s’e more kurajon të ikje me skaf?

Jo, jo s’i hipja unë në skaf më dhe nuk çoja më mall. Dua të jetoj me djersën e ballit e të ha një copë bukë. Të punoja aty në komunale që të haja një copë bukë. Me të tillë punë s’do të merrem më. Thjesht e vura në provë.

Ku e dije ti që ai merrej me këtë punë tani?

E dija se kisha edhe unë informacionet e mia, nga miqtë e mi.

Ça të thoshin miqtë e tu?

Që punën e bën, është njeri i saktë, është korrekt.

Punon, çfarë pune?

Që të ndihmon të hedhësh mallin në Itali. Ka miqtë e tij që të ndihmon. Mua më dha një drejtim, një rrugë, që do vesh te filani…

Ça miqsh?

Ermali. Qe dhe një skafist me nofkën Nake, që unë s’mund ta përmend prapë, se janë dhënë një herë ato që kanë dalë fallco nga dikushi që është çik më lartë nga i vëllai i tij, që na qenka dhe ekspert fjale. Edhe unë prapë ia shpreh dhe ia them si të dojë që unë nuk jam për ato lloj rruge. Por unë e vura në provë që ao është një njeri që vazhdon jetën e tija, edhe unë vazhdoj jetën time.

Pse ia bërë ti këtë vënien në provë atij?

E bëra vënien në provë, se ashtu më la edhe ai mua në baltë, kur isha brenda ,më ktheu kurrizin. Dhe unë tani që e vura në provë, i ktheva kurrizin e s’dua të merrem më me asnjë lloj gjëje. Dua të shikoj familjen time, fëmijët e mi.

Pse kjo hakmarrje ndaj tij?

Kështu janë gjërat, siç ia bën  një njeriut, ashtu do pësosh. Sot është ai dikushi, unë jam pa bukë në shtëpi…

Pse nuk iu drejtove dikujt tjetër, po iu drejtove atij?

Po me atë më kishte lidhur jeta që në 2000-shin, në 2002-shin.

Nga informacionet që ti kishe, kishte lidhje me Policinë e Vlorës?

Po, kishte me drejtorin e Vlorës bëhej shumë, dilte shpesh. Kishte me këtë shefin e kufirit.

Ça të them, punët e tyre. Ndoshta edhe punonte edhe në shtet, unë s’di gjë.

Për sa mall re dakord ti që të çosh?

Unë do të çoja një 100 –she, por gjallë në botë nuk e…. Do çoja një 100-she.

100 kile?

Po. Arrita të bëja 20. Që t’i blija me lekë borxh edhe ato 20 kile po.

Ti do e blije vetë mallin?

Vetë, vetë do ta blija mallin me lekë borxh.

Çfarë do të ofronte ai ty në momentin që ti do t’i blije këtë mall?

Transportin, të gjitha.

Si? Do të ofronin gomonen?

Po normale gomonen, se ata e kishin. Se unë s’kisha gomone, s’jam padrino, jam një hallexhi.

Po nuk kishe frikë se mund të ndeshje policinë rrugës?

Ishin të gjitha të zgjidhura, rrugët ishin të gjitha të hapura.

Çfarë të kishte thënë Ermali ty?

Jo, Ermali më thaaaa…Agroni më tha, kur të vijë dita do të vesh ta takosh Ermalin. Nuk e di çfarë ka qenë ky shef Kufiri a ça ka qenë, nuk e di.

Si e nise?

Atë ditë që ne u bëmë gati për të bërë rrugën aty u bë qameti në Vlorë, pati përmbytje dhe deti ka qenë 7-8 ballë. Mos të them më. Edhe u shpërndamë tha është vështirë, kanë ndodh shumë probleme tha dhe s’mund të vazhdojmë më tej. Kshu që u shpërndamë secili në rrugë të tyre.

U ndatë aty. Prandaj ti e bërë këtë?

Po unë nuk e hidhja atë mall, thjesht bëra një…

Pse vendose pastaj ta sjellësh tek Partia Demokratike?

Unë e solla këtu, sepse këtu është institucioni më i besuar. Si ta çoja në Prokurori, si ta çoja kudo janë gjëra që do ishin manipuluar, do të ishin zhdukur, nuk e di. Këtu e solla,  sepse këtu kam besim që luftohet gjithçka me drejtësi.

Nuk kishe frikë se mos bëheshe pjesë e një loje politike?

Me politikë as s’jam marrë as merrem kurrë.

Çfarë ka ndodhur këto ditë që doli përgjimi?

Mua, tani që doli përgjimi këto ditë, bile që ditën e parë më thotë djali im “baba je bërë figurë e njohur në Vlorë”. Isha me miqtë e mi, po pija një kafe, si çdo prind. Vete tek im bir, dëgjon videopërgjimet, i kishte thënë shoku Agronit, i kishte thënë pronarit të djalit tim, brenda gjysëm ore që kishte dalë audiopërgjimi…

Çfarë i kishte thënë?

Shiko se babai jot është bërë figurë e njohur në Vlorë. Vete shikoj ato, ça janë ato se s’ marr vesh nga telefonat me gishta, ça janë këto youtube , internet, që lexoj. Më tha mua “zëri jot”. Si ka mundësi zëri im -i thash unë.

Kush të tha që është zëri jot?

Pronari i djalit. Shiko se zëri jot, ia kishte thënë tjetri, shoku i ngushtë i imi dhe i Agronit i kishte thënë që zëri i Babales. Dhe nuk qe zëri i Babales, qe zëri i Agronit që i erdhi informacioni direkt, që i bënin presion Babales. Dhe prapë sot që po flasim, i kishe vajtur djalit te puna shefi i Krimeve.

Si e ka emrin?

Alket. I thotë dua të takoj babanë tënd se dua ta kaloj në mbrojtje. Unë s’kam bërë gjë që të kaloj në mbrojtje. Unë jam një fukara, mua më pikon shpija. Ai mendon të më mbrojë mua. Mua më mbron Zoti. Dhe veten time e mbroj vetë, s’dua mbrojtje as nga ai dhe as nga shteti.

S’ke frikë ti?

Frikë nuk kam se nuk i kam borxh njeriu, s’i kam borxh. Ça borxhi i kam?!

Ti thua që ata janë njësh me shtetin?

Le të jenë o, ça kanë në plan, le ta bëjnë. Unë di që jam njeri i drejtë dhe mua të më vijë shefi i Krimeve të më bëjë mbrojtje… Për çfarë të më bëjë mbrojtje mua ai, shefi i Krimeve? Të më thotë për çfarë do më bëjë mbrojtje? Kush e ka urdhëruar të më bëjë mua mbrojtje?

Po ndoshta ndihesh i kërcënuar?

Po nga kush? Ku doli ky emri im? Nuk është shpallur emri im. Nga e mësuan këta?!

Po ndoshta Agroni e mban mend që je ti personi?

Po mirë o, e shikon që ato thëniet që janë folur, që kanë qenë nëpër përgjim të Agronit a të dikujt tjetër, Agroni është vetë i vetëdijshëm.

Ke materiale të tjera ti për Agronin?

Materiale të tjera s’kam ça them unë për Agronin, se ai ka biznesin e tij, jetën e tij dhe mua s’më intereson jeta e tjetrit, mua më intereson…

Në këtë aventurën tënde që thua se e provove e bëre, ke bërë filmime të tjera?

Filmime të tjera unë s’kam bërë, filmime të tjera. Filmimet i ka bërë vetë Agroni, nuk i kam bërë unë dhe aty janë.

Si i ka bërë?

Po ku di gjë unë si i ka bërë, me dashje, pa dashje, i di Agroni, jo unë.

Po ti thua që Agroni ka përgjuar veten?

Po normale, ku di unë ça i është vënë Agronit dhe akuzon Andonin në anën tjetër. Ato të gjitha janë gjëra që janë fakte reale, si zëri që ne kemi folur. Gjithmonë e ha një fukara, nuk e ha një i pasur.

E njohin njerëzit zërin e Agronit?

800 metro larg.

Çfarë thonë në Vlorë?

Po zëri i atij thonë, zëri im, zëri i Ermalit dhe zëri i Altinit. Tani po ka ndonjë zë tjetër, pastaj mund të jetë edhe zëri i plakut tim në varreza. Nuk e di mos është ngjall plaku tim.

Dmth, ti thua që, të paktën Vlora, qyteti i Vlorës që ju njeh, njerëzit që e njohin janë shumë të bindur për vërtetësinë e zërit që është zëri i Agronit?

Po, çoje ku të duash, ai zë është.

Po ti vetë kur e kujtove bisedën, kur pe këto video përgjimet e kujtove bisedën?

Po normale. Kur unë e pash te djali, te lokali të gjitha këto foljet që u bënë, doli. Të gjitha thëniet që ne kemi bërë, thashë çne këto përgjime ne?!

Domethënë, ti mendon që Agronin e kanë përgjuar të tjerët?

Normale unë s’kam lidhje.

Nuk e ke përgjuar ti?

Secili ka mbrojtjen e tij ore. Ai tijën, unë timen, po nga ka ardhë kjo, e gjen Agroni, këto përgjime. Këto janë gjërat që po të them unë.

Kërcënime nga njeri ke marrë këto kohë?

Po kërcënimi më i bukur që është bërë, t’i vesh djalit te puna, se duam të ruajmë babanë, çne ti, kush je ti që do më ruash mua?.Ça kam bërë? Kush të urdhëruar ty, kush të ka dhënë urdhër të vesh tek im bir? Se dikush i madh i ka dhënë urdhër shefit të Krimeve në Vlorë a Rendi ça është…

Po ai mund të ketë vajtur konform ligjeve, rregullave?

Po ku? Mua s’më ka ardhur konform ligjeve “arrest shtëpie”, të vinte të më kontrollonte në shtëpi shteti. Çne emri im? Ku dihet që jam unë i infiltruar nga shoku Agron a është infiltruar në përgjim? Ça lidhje ka emri im në këtë mes?

Po a ke qenë ti që ke bërë atë bisedë me Agronin?

Po, e kam bërë bisedë me Agronin, unë s’e mohoj. I kam bërë ato biseda, siç i kam bërë të gjitha reale, nuk kam ça të mohoj. Por po është përgjuar zotëria, tjetër gjë, unë s’di gjë.

Mirë, edhe ai është kujtuar dhe ka menduar se e ke përgjuar ti?

Po unë s’jam, me se të përgjoj, unë jam një hallexhi. Ato i di ai, që merret me shtet.

Faleminderit!

S’ka asgjë vëllai im!

/GazetaExpress/

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/dritehijet-e-deshmitarit-x-dhe-largimit-te-agron-xhafajt-nga-shqiperia-537601/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright