Dritë-hije mbi personalitetin kontradiktor të Ahmet Zogut, faktet dhe të vërtetat e një monarku

Sidomos për Legalistët, epoka e Zogut merret si një periudhë e artë e mbretërimit të rregullit, të qetësisë publike, e mirëqenies dhe e një demokracie që duhet patur zili edhe për shumë e shumë vite. Të gjitha këto duhen pranuar vetëm në mënyrë relative, pasi e vërteta në shumë raste është antitezë e asaj që proklamohet me aq bujë. Në kohën e mbretërimit të Zogollit, pavarësisht dorës së hekurt që përdori për të vënë rend e qetësi, asnjëherë nuk u eleminua, as hakmarrja, as gjakmarrja, as kusaria, sidomos në të gjitha trevat e veriut, ashtu siç nuk mund të mohohet se gjatë viteve tridhjetë pushteti qëndror i Zogut njihej dhe pranohej nga të gjitha krahinat e vendit, çka i siguroj Shqipërisë një stabilitet politik unik, dhe padyshim atributi më i rëndësishëm i Zogut qe krijimi i një mjedisi real për rritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, frymë e domosdoshme për krijimin e një shteti modern, frymë e cila as sot e kësaj dite nuk është optimale, gjë që e bën edhe sot shtetin e shqiptarëve të brishtë e të paqëndrueshëm, dhe si pasojë e kësaj mungese fryme kombëtare që kemi si popull, shpesh shetin e shohim si armik apo i japim ngjyrën e një force qeverisëse dhe mburremi duke e sulmuar e poshtëruar shtetin me garda galdiatorësh anti-shtet.

Ministri i parë i plotfuqishëm Britanik në Shqipëri është shprehur se Zogu kishte më tepër dhuntitë e një ministri të brendshëm se sa të një kryeministri.

Zogu, pavarësisht dëshirës së mirë, ambicjeve e përpjekjeve për zhvillim edhe sikur t’i kishte realizuar synimet e veta, ashtu siç mendonte ai, teorikisht duhet pranuar se trashëgimia 500-vjeçare otomane ishte një hiç, prandaj nuk mund të priteshin mrekullira në këtë drejtim kur vendi ishte në stadin e mesjetës së hershme.

Por Zogu ishte dhe mbeti i paaftë për të parë sensin e marrdhënieve ekonomike, dështak për të kuptuar thelbin e problemit financiar të fshatarsisë, ithtar i sistemit të çifligut, kur e lypte puna të siguronte mbështetjen e çifligarëve për pushtet, ashtu siç ishte i pafuqishëm të ndryshonte statuskuonë e tyre që buronte nga koha e dauletit, dhe këta çifligarë anadollakë ishin pengesa kryesore për zhvillimin e përparimin e marrëdhënieve të reja në sens kundër mesjetar.

Zogu e pati të pamundur dhe dështoi të realizonte një përparim të vërtetë material të Shqipërisë.

Situata, kur u largua Zogu nga skena e drejtimit politik, ishte ende e mjerë. Fshatarsia përbënte shumicën dërrmuese të popullsisë, ndërkohë që industria zinte vetëm 4,4% të të ardhurave kombëtare, nuk kishte ende asnjë hekurudhë dhe dispononte vetëm 500 milje rrugë automobilistike me një gjendje tepër të mjerueshme, 90% e popullsisë ishte analfabet. Shqipëria vazhdonte të eksportonte misrin, grurin, orizin dhe pjesën dërrmuese të artikujve të domosdoshëm, kushtet ekonomike të jetesës ishin shumë të këqija dhe populli kudo vuante prej ushqimit të keq e të pamjaftueshëm, prej sëmundjeve e epidemive masive, aq sa jeta mesatare e njeriut nuk ishte veçse 38 vjet. Fshatarët e varfër mbetën nën sundimin e çifligarëve faudalë, trashëgimtarë të pashallarëve filo osman, ndëras vetëm Durrësi, Shkodra, Korça, Vlora e Tirana mund të ngjasonin deri në një farë mase si qytete të rangut të tretë Evropian.

Zogu në karrierën e vet politike aktive pati suksese befasuese, sidomos deri në pranverën e vitit 1934, duke qenë eksponenti më i rëndësishëm në arenën e mbarsur me dhunë, konflikte e aventura të njëpasnjëshme mes grupimeve politike shqiptare, që dhunën e kishin mjet primar të arritjes së synimeve politike. Zogu dështoi në qershorin e 24 si pasojë e një pakënaqësie në rritje të popullit të varfër e të sakatuar nga skamja feudale, si pasojë e urrejtjes që kishte ngjallë vetë Zogolli si njeri i plumbit dhe i litarit, ndërsa iluzionet për një të ardhme më të mirë e një Shqipëri moderne ushqeheshin nga opozita e Nolit, që për të arritur këtë zgjodhi rrugën e revolucionit duke rrëzuar qeverinë e Shefqet Vërlacit e Zogun, që ishte dora më e fuqishme në parlament, ose siç thirrej ndryshe “pushteti prapa qeverisë”. Kryengritja e armatosur e 24-ës, që legalistët nuk e pranojnë kurrsesi ta quajnë revolucion, shënon mbylljen me disfatë të plot të viteve të para të jetës politike të mistershme të Ahmet Zogut në Shqipëri. Zogu do të ringrihej pas triumfit ngallnjimtar, dhe mundi të krijojë kushtet për ekzistencën e Shqipërisë si shtet i pavarur, ndërkohë kur as fqinjët tanë tradicionalë nuk u pëlqente një shtet sovran shqiptar, dhe as fuqitë e mëdha nuk besonin në aftësitë e shqiptarëve për të pasur një shtet të mirëfilltë të tyrin. Zogu ja arriti për një dekadë e gjysëm të mbante në këmbë shtetin e shqiptarëve pavarësisht nga gurët nën rrota q i futën të tjerët apo tërheqja për hunde që i bënë italianët.

Zogu dështoi në mënyrë të pasuksesshme për të krijuar një stabilitet ekonomik në vend, por disfata më e turpshme dhe më e pa justifikuara për opinionin shqiptar është ikja nga Shqipëria në 39-ën, ai duhet të kishte qëndruar për të udhëhequr rezistencën shqiptare, marrja e pjesës më të madhe të thesarit të shtetit me vete ditën që ja mbathi është diçka e pakapërdishme për shqiptarët, gjë që e bën mbretin të vlerësohet në mënyrë mjaft të kontestueshme e aspak pozitive, çka do të ishte shumë më ndryshe sikur ai të bënte të kundërtën e asaj që bëri në 39-ën.

Në qoftë se flasim të çliruar nga opiumi i politikës, një politikani, një sundimtari, mbreti apo diktatori, mundet që me kalimin e viteve historia t’ia lehtësojë barrën e mëkateve e makabriteteve në disa plane, vetëm në planin kombëtar, historia e një kombi nuk mund t’i falë askujt as edhe një mëkat.

Fasada demokratike e regjimit të Zogut

Sikur ta vëzhgosh nga kopertina e regjimit të Zogut mund t’i themi rregjim demokratik, pasi kishte parlament, liri fjale, besimi, liri shtypi, bile mund të shkruash edhe kundër qeverisë, ndërsa të shkruaje dhe të flisje kundër mbretit ishte kategorikisht e papranueshme e pamundur dhe heretike, ashtu siç nuk lejohej dhe dënohej pamëshirshëm ai që bënte çdo lloj propagande komuniste, megjithatë rregjimi i Zogut mbeti gjithnjë konservator, që luftonte të mbyste që në vezë çdo lloj opozite dhe asgjë s’e ndaloi të eleminojë fizikisht të gjithë kundërshtarët e tij politikë dhe të shtypë në mënyrë represive të gjitha revoltat që shpërthyen qoftë edhe spontane si reaksion i zemërimit ndaj tij.

Zogu, pas çdo represioni të brendshëm, merrte masa të menjëhershme për të përmirësuar imazhin si reformator me pikpamje moderniste perëndimore. Më 28 gusht të vitit 1932 paraqiti dekretin për zgjedhjet e para në periudhën monarkike, që ishin të parat qysh prej mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese, por se duke qenë se Asambleja ishte vetëshpallur si Parlament, ligji i ri elektoral i Shqipërisë nuk ishte vënë ende në provë. Sipas kushtetutës, të gjithë meshkujt që kishin mbushur moshën 18 vjeç kishin të drejtën e votës si zgjedhës të parë, për zgjedhësit e dytë kishin të drejtë vote një në 250 vetë, të cilët zgjidhnin deputetët. Zgjedhjet u bënë më 9 shtator dhe përfunduan brenda 25 ditëve, siç e parashikonte ligji. Gazeta “Besa” duartrokiste me mburrje se në votime morën pjesë 90% e elektoratit, kur në fakt kishin votuar vetëm 10% e popullsisë e shtyrë edhe nga dhuna e policisë dhe xhandarmarisë. Shifrat nuk lënë shteg për koment, pasi të gjithë supozonin kandidatët për të cilët zgjedhësit do të hidhnin votën nuk mund të ishin tjetër veç atyre që caktoheshin prej autoriteteve lokale. Sistemi elektoral i aplikuar nga Zogu ishte fals, rezultati i votimit ishte i paracaktuar në tavolinë, ndërsa xhandarmaria dhe ministria e brendshme e personalisht ministra të tillë si Musa Jukam vendosnin bilancin e rezultatit zgjedhor. Shqipëria, me një ligj të tillë, formalisht të pranueshëm për kohën, de fakto asnjë herë deri më sot nuk pati asnjë lloj tradite demokratike të votuari, për të arritur tek shëmtirat elektorale post komuniste që duan dekada të zhveshen nga dhuna e lympenit të dirigjuara nga kasapët e politikës që i ushqejnë e i inspirojnë në vazhdimësi.

 Triumfi i legalitetit vepër e Beogradit

Ndërsa Noli luftone për ekzistencë, Zogu, që e kishte shpallur veten përfaqësues të qeverisë së ligjshme të Shefqet bej Vërlacit, kishte liri të përgatiste kthimin e legjitimitetit të qeverisë, ndërkohë që legjitimiteti i qeverive shqiptare të viteve ‘20, në shumicën e rasteve ishte përcaktuar me anë të forcës, prandaj Zogu kërkonte hapur revansh. Arratisjen e Zogut në Jugosllavi e kishte përgatitur Ceno bej Kryeziu që kishte marrdhënie të mira me Beogradin, i akuzuar si agjent i tyre i vjetër. Zogu gëzonte famë të keqe si intrigant tek jugosllavët, por Beogradi e mirëpriti pasi synonte duke e ndihmuar ta rikthente në pushtet të shtrinte ndikimin e vet në Shqipëri duke rivalizuar konkurencën italiane. Zogu u tregua shumë bujar me premtime, pasi nuk kishte ç’të humbiste. Çmenduria e tij arrin sa pa ngurruar fare t’u premtonte jugosllavëve tokat e Shën Naumit dhe të Vermoshit, dhe nga ana tjetër mori kontakte edhe me italianët, duke pranuar koncensione. Zogu dinak dhe mjeshtër i kurtheve dhe i pusive, nxiste gazetat e Beogradit të shkruanin se kishte shkuar në Paris, bile edhe ministri i jashtë jugosllav Ninçiç pohonte se itinerari i tij ishte i panjohur pasi kohët e fundit ishte parë në Zvicër, ndërsa Zogu vazhdonte të qëndronte i fshehur në Beograd.

Më 4 dhjetor 1924 Ceno bej Kryeziu u largua nga Beogradi me një sasi të madhe të hollash, të destinuara për pagimin e bajraktarëve të Dibrës, ndërkohë që Zogu shkoi në Prizren për organizimin e forcave ushtarake. Ushtria përbëhej prej 1000 trupash të rregullta të ushtrisë jugosllave, 1000 rekrutë mercenarë nga trevat shqiptare të jugosllavisë, 500 matjanë, kryesisht të larguar nga Shqipëria, Zogu mori me pagesë 800 mercenarë të gjeneralit Wrangel të komanduar 40 oficerë rusë të bardhë, me dy bateri artilerie malore, me 10 mitroloza të rëndë dhe 20 mitroloza të tjerë të lehtë së bashku me mitralierët dhe të gjitha mjetet e motorizuara që mendohej se i nevojiteshin. Beogradi, duke pasë parasysh përshtypjen që do të bënin artileria dhe ushtria jugosllave në tokën shqiptare, u morën masa për të fshehur sa të ishte e mundur të vërtetën, ushtarët jugosllavë u veshën të gjithë me rroba tradicionale shqiptare dhe u këshilluan që operacioni i tyre ushtarak të përqendrohej sidomos në fazën e parë të invadimit, duke mënjanuar sa të ishte e mundur depërtimin tepër në thellësi të tokës shqiptare.

Nuk dua të ndalem as në qëndresën qesharake të Nolit, as në marshimin ngallnjyes të Zogut, por ajo që është e pakundërshtueshme është se Zogu nuk ishte në gjendje të organizonte një kryengritje të përgjithshme ofensive në vendin e vet, pasi lidhja e tij me Beogradin kishte krijuar përshtypje të keqe edhe mes radhëve të partizanëve të tij.

Triumfi i legalitetit ishte vepër e Beogradit, ishte shprehja më brutale e shkeljes së sovranitetit të Shqipërisë, nga ata që i sollën këtij vendi sovranin, i cili më 24 dhjetor shpalli këtë ditë si ditën e Legalitetit, shpalli veten diktator e kryekomandant dhe vendosi ligjin e jashtëzakonshëm deri në formimin e një qeverie të re. Ndihma jugosllave nuk ka si të jetë më e pakursyer, mos mirënjohja e Zogut pas ardhjes në fron ishte më tepër shprehje e karakterit të tij të paqëndrueshëm dhe përpjekje për t’i shpëtuar tutelës jugosllave, por do provonte një tutelë të re që e shpëtoi nga tutela jugosllave por e përpiu me kthetrat e veta.

 Ëndrra e Ahmet beut ishte të bëj sundimtarë, ia arriti të bëhet sundimtar tipik

Ahmet beu, që në rininë e tij ëndërronte të bëhej një sundimtar absolut. Në këtë frymë u rrit, u edukua dhe gjithë karrierën e tij e vuri në shërbim të kësaj ndjenje, duke kombinuar forcën me dinakërinë, pabesinë, me xhentilesën dhe sulmin me tërheqjen. Si për çdo sundimtar, kushdo që i dilte përpara në maratonën e tij drejt pushtetit, quhej armik ose duhej mënjanuar e eleminuar me marifet. Zogu në këtë drejtim nuk bënte asnjë përjashtim, ai kishte një vëlla nga i ati, Xhelilin, që ishte më i madh dhe sipas ligjit fisnor, si fëmija i parë, ai gëzonte të drejtën e trashëgimisë së titujve dhe ofiqeve të të atit të ndjerë qysh në vitin 1908. Nëna e Zogollit, Sadija e zgjuar për nga natyra, me shumë takt arriti të mënjanonte Xhelilin nga pretendimi për fronin e të atit duke spekulluar me pretendimin se ai ishte i paaftë, pijanec, madje edhe amoral, duke ushqyer tek Ahmeti ndjenjën e përbuzjes, përçmimit dhe urrejtjes ndaj tij. Zgou në sfidat politike ishte i pamëshirshëm, ai s’e kishte për gjë të luftonte hapur kundër Esat Toptanit, ndonëse ishte nipi i tij, duke mos kursyer as të vëllanë, që ishte në përbërje të forcave serbe që sulmuan Shqipërinë e Mesme për t’i ardhë në ndihmë dishepullit të tyre Esat. Thuhej se atentati i Avni Rustemit më 1920 në Paris, ishte kurdisje e vetë Zogollit, kjo gjykuar nga karakteri i tij thellësisht intrigant, ndërsa vrasja e Avni Rustemit nuk paragjykohet nga askush se ishte vepër e Zogut. Por kjo sikur e zbehu aludimin që është bërë fillimisht për vrasjen e Esatit, pa mohuar se kjo është spirale e ngatërruar e mbetur enigmë ndër vite. Zogu në teatrin e skenës politike mbarti vazhdimisht një Makbet të vërtetë, kurdisi dhe sajoi komplote dhe intriga të përgjakshme, zbuloi e dërmoi komplote e revolta duke përdorur e qëndrua besnik mjeteve tradicionale të cilat i konsideronte të domosdoshme dhekyç të suksesit.

 Eleminimi i Ceno bej Kryeziut

Zogu vendosi ta eleminonte Cenon edhe pse e kishte kunat, edhe pse e kishte ndihmuar fuqimisht të vendoste legjitimitetin e Legalitetit, duke mos pyetur fare se Cenoja ishte ministër i brendshëm. Zogu nuk e eleminoi në moment, kur mësoi se Cenoja ishte përzier në një komplot kundër tij, pasi e dinte se ai kishte lidhje të vjetra me Beogradin, prandaj e dërgoi ministër fuqiplotë në Jugosllavi, dhe pa vonuar shumë, në tetor 1927 e transferoi po në të njëjtin funksion në Pragë dhe fare pak kohë më vonë, Ceno beu u plagos dhe vdiq nga kjo plagë e një studenti nga Elbasani me emër Alqi Bebi. Në procesin gjyqësor, i pandehuri pranoi se kishte vrarë Ceno bej Kryeziun sipas një urdhri të një komiteti të fshehtë politik, anëtar i të cilit ishte. Përpara se Bebi të vazhdonte më tej në spjegimet e tij, Azis Vuçiterrna u ngrit nga mesi i sallës së gjyqit dhe vrau të pandehurin Ali Bebi. Faktikisht motivi i vërtetë i kësaj vrasjeje nuk u zbulua kurrë, diplomati grek në Tiranë dhe ambasadori rumun, ashtu si shumica e opinionit të kohës ishin të bindur se Ahmet Zogu kishte urdhëruar vrasjen e kunatit, pasi Cenoja konsiderohej njëri prej rivalëve më të rrezikshëm, që kishte tentuar ta përmbyste, ndërsa vrasësi i Cenos u eleminua të mos dëshmonte të vërtetën në sallën e gjyqit. Zogun do ta imitonte Enveri disa vite më vonë kur eleminoi kunatin e vet Bahri Omarin.

Zogu eleminoi opozitën e “24-ës”

Pas marrjes së pushtetit më 1924, tashmë dihet publikisht se në mars 1925 Zogu vrau në Dragobi patriotik plak të çështjes kombëtare, Bajram Currin, senatori Zija Dibra, kundërshtar i hershëm i Zogut u sulmua, u plagos për vdekje dhe vdiq më pas, të njëjtin fat pati edhe patrioti tjetër Lef Nosi, vrasësi i paguar me paratë e Ahmetit, Balto Stambolla, vret Luigj Gurakuqin, luftëtarin e paepur të çështjes kombëtare, atdhetarin e sprovuar, demokratin me pikpamje moderniste perëndimore, publicistin dhe poetin e shquar, Gurakuqi u vra në një kafe të Barit në Itali, plagosi për vdekje në Brindizi, Shefqet Korçën, dëboi dhe u detyruan të arratisen 200 oficerë nga radhët e ushtrisë. Zogu vrau, pushkatoi, syrgjynosi të gjithë udhëheqësit e opozitës shqiptare të viteve 20, një pjesë të vogël të tyre i detyroi të heshtin nën kërcënimin e armëve.

Zogu, gjithnjë këmbëngulës për eleminimin e kundërshtarëve të vet, në vitin 1933 arriti në konkluzionin se duhej eleminuar njëri prej udhëheqësve kryesor të emigracionit, Hasan bej Prishtina. Prishtina, një luftëtar i kahershëm i çështjes kombëtare, që serbët e akuzonin si irredentist të shfrenuar, i cili për dy ditë në vitin 1924 kishte qenë kryeministër i Shqipërisë, kundërshtar i moçëm e armik i betuar i Zogollit. Armiqësia e fortë mes tyre kishte rezultuar me një seri atentatesh të ndërsjellta dhe pikërisht në atentatin e Vjenës të vitit 1931, kur Ndokë Gjeloshi shtiu mbi mbretin, një nga organizatorët e atentatit ishte vetë Prishtina. Në prill të vitit 1933, Hysen Ibrahim Çelo u interesua se ku ndodhej vendqëndrimi i Prishtinës, pasi sipas tij Hasani i kishte borxh një sasi të madhe parashë. Në fund Çelo e gjeti në Selanik, e qëlloi me revolver në kokë dhe fare pas pak vdiq Prishtina duke i dhënë fund jetës në mënyrë të dhunshme. Shtypi grek gjerësisht dhe mbarë opinioni shqiptar edhe këtë makabritet ia atribuoi Zogut, i cili diktonte e sundonte me dorë të hekurt në Shqipëri.

Marrdhëniet armiqësore me Muharrem Bajraktarin

Muharrem Bajraktari, fillimisht kishte qenë oficer në ushtrinë serbe, të cilën e kishte thirrë Zogu në Shqipëri në vitin 1922, për ta ndihmuar në organizimin e xhandarmarisë. Në vitin 1924, Bajraktari u bashkua me Zogun në Beograd për të përmbysur peshkopin nga pushteti, për këtë u shpërblye me postin e prefektit dhe me gradën e majorit. Bajraktari, pas shtypjes së kryengritjes së Dukagjinit në 26-ën, udhëhoqi bandat e mercenarëve të Lumës, për të terrorizuar mizorisht popullsinë civile të Dukagjinit. Muharrem Bajraktari, në Shqipërinë e Veriut filloi të sillet si pasha i vërtetë, duke zhvatur të holla dhe duke e forcuar së tepërmi pushtetin e tij personal mes bajraktarëve të veriut.

Zogu nuk i pa me sy të mirë veprimet arbitrare të Bajraktarit, ndoshta për ta patur më afër dhe nën kontroll, e thirri në Tiranë dhe e emëroi komandant të përgjithshëm të xhandarmarisë. Muharremi, në vitin 1934 pohoi se kishte zbuluar një komplot që po i përgatiste një oficer i gardës kombëtare mbretit, me synim eleminimin e tij fizik.

Muharremi, pa e bërë të gjatë e kishte kapur të dyshuarin dhe e kishte çuar përpara mbretit që t’i jepte dënimin e merituar. Zogu, për çudinë e Bajraktarit të Lumës, e liroi të ndaluarin duke thënë se ai nuk kishte pasur ndër mend të kryente një vepër të tillë. Muharremi i fyer në sedër, i kërkoi leje mbretit dhe u kthye në Lumë. Në tetor 1934, vdes nëna mbretëreshë. Zogu e thirri Bajraktarin në Tiranë, por ai refuzoi, pasi sipas tij, në pallatin mbretëror ishte përgatitur një komplot për ta eleminuar. Ndërsa në Tiranë, ky akt i Muharremit u interpretua sikur ky ishte arratisur në male dhe po përgatiste një kryengritje të armatosur kundër regjimit. Musa Juka, si gjithnjë i gatshëm për raprezalje, mobilizoi dy batalione këmbësorie dhe i dërgoi në mbështetje të 150 xhandarëve në Lumë. Muharremi përpara një situate të tillë, u detyrua të arratisej në Jugosllavi. Ky veprim i dha fund marrëzisë së Musa Jukës dhe aventurës së tij në shërbim të Ahmetit, i cili sa më shumë ditë që kalonin, aq më shumë e shtonte numrin e armiqve të vet.

Prelë Milani